Vargje nga: Namik Selmani.

9.Ku shkoi ?
Më thanë
se në pyllin gjetheshumë kishte shkuar
Me kokëshkrepje për të shkruar lirika.
Ca ujq te këmbët i kishin shfryrë të urtuar
E…… jetimë mbetën pisha e lisa ..

Kishte ndalur një çast në strehë qerpiku,
Sodiste qiellin e brigjet, fletët e zogjtë.
Në dallgën e parë pas erës së nisur,
Shkumëzën e bëri folezë të ngrohtë.

E ndali në grykën e pusit të sapohapur
Nuses së re ia ngriti ujin e kovës së mbushur ,
Ish ujë i kaltër apo ujë diellor i përflakur?
Apo përralla e gjyshes po zgjohej vrullshëm?

Më thanë se ishte futur në shtratin ndriçuar nga hëna
Ku fjala flinte nën jorganin e heshtjes.
Të merrte dhimbjet, puthjet e amanetet e pathëna
Për t’i shkruar në Memuarët e jetës .

Kishte shkuar…….e unë, ah, s’e takova,
Me sytë nga strehët mbeta mbërthyer
Duhet të nisesha pas saj me revan kohërash
Këmbëzbathur mes qelqesh të thyer …..