Valixhja e mërgimtarit. Vargje nga Namik Selmani.

1.
Kujdes, bir, kur të mbushësh valixhen e udhëtimit!
Mos harro ndërresat e adresat e miqve të largët!
Mos harro një libër shqip të mundësh netët e mërgimit!
Mos harro një fidan luleje ta mbjellësh afër, te shkallët!

2.
Po ku të vë mallin e vendlindjes në udhët e largëta?
Në cilin krah të çeliktë avioni kujtimet t;i fsheh?
Si të mos i humbas dhimbshëm në mjegulla e shtrëngatat?
Si ta shuaj zjarrin e lisnajtë që në gjoks po më djeg?

3.
Në cilin jastëk shtrati të vë ninullat e urimet e nënës?
Në cilën valixhe të vë shkronjat e mermerit të varreve?
Si t’i jap krahë të pakëputur shkronjës dhe këngës?
Si të thaj pikëlotin kur të kujtoj amanetet e baballarëve?

4.
Cilat pamporë i mbajnë dot vallë zilet e një shkolle?
Kush i merr në avionë, hapat gjunjëvrarë tek pragu?
Mund të të vënë në këmbë gjithë thesarë bote,
Po nuk ta sjellin ngrohtësinë e vendlindjes tek oxhaku.

5.
Në cilin valixhe të vë shiun që më dukej si petale?
Ku ta vë puthjen e parë të dashurisë fshehur pas lisi?
Qënkam sot si dallandyshja që ka strehe një palë dallge
Qënkam udha e tingujve që kërkon të ketë rizgjim!

6.
Ah, kjo valixhe udhëtimi!!!!