I TMERRSHMI MEHMET SHEHU … DHE NJË “QEN BIR QENI”…

I TMERRSHMI MEHMET SHEHU … DHE NJË “QEN BIR QENI”…

Një i dënuar nga diktatura komuniste, me mbiemrin Bimo, pasi kishte bërë 10 vjet burg, por i mbeteshin dhe po kaq të tjera, pasi u mendua thellë, i shkruan një letër shokut të ngushtë të konviktit të shkollës teknike amerikane “Fullz”, me të cilin kishte qenë shok dhome, konvikti, i cili ishte, as më pak , as më shumë, por dora vetë, kryeministri Mehmet Shehu…

Letrën nuk ia dërgon me postë, por u gjet mënyra, rruga, shtegu që letra t’i mbërrijë dorazi atij, të tmerrshmit Mehmet, dora vetë…

I tmerrshmi e lexon… Mediton… Reagon…

Thërret kryesekretarin e kryeministrisë, i cili i kishte dorëzuar letrën, dhe i thotë:

-E di ti se cili është ky që më ka dërguar këtë letër?
-Jo, – i përgjigjet kryesekretari.
-Ta them unë, – i thotë Mehmeti. – Ky është një qen bir qeni, që nuk e ka shokun. Ka qenë kundër Zogut dhe Zogu e futi në burg. Ka qenë kundër fashizmit dhe fashizmi e futi në burg. Por … ka qenë kundër dhe kundra nesh… Dhe ne e kemi futur në burg… Por, ç’ta zgjasim më… Shko tek Haxhiu (Lleshi) dhe i thuaj të bëjë një dekret për ta liruar nga burgu këtë qen bir qeni…

Nga Simon Vrusho Berat Albania.