Ti më mësove që të dua jetën.. Vargje nga : Namik Selmani.

Ti më mësove që të dua jetën

Ti më mësove të dua ballaz jetën, pa mistere
Të dua ndryshe derën që hapet pa trokitje.
Ti më dhe rrezen që fshihet edhe pas reve
Një stap bariu që mbledh delet në shtigje.

Ti më mësove të dua gonxhen e lules së një saksie
Që nga filizi i brishtë deri sa shpërthen petalja
Nëse diku ka një mjegull që i jep tokës hije
Do ta zbukurojë fjala jote ku gjunjëzohet parajsa.

Ti më mësove që lumin të mos e quaj përrua.
Zjarrin ta ndez gjoksit më fort se në oxhakun e vatrës.
Ti je kaprollja e një pylli të dendur, të gjethuar.
Ti je drenusha që luan me degën e lofatës.

Ti më mësove të përkëdhel fjalën e nënës.
Në shkronja abetareje të jem përherë si në festë.
Ah, sa gjunjë të fortë dashka Mali i Ëndrrës!
Sa lule urimesh dashka të thuren në jetë!

Ti më mësove të dua trungun dhe gjethen verdhane.
Tek bie pas një valleje fluturore në tokë.
Më mësove të dëgjoj frymën e malit në tufane.
Më dhe në sy e në zemër një tjetër kurorë.

Dhe hesht para lumturisë si nxënës i zellshëm.
Dhe prek pikëlotin e kristaluar si pikë vese.
Ç’do më thuash nesër me alfabetin e mistershëm?
Ç’lule do të mbjellësh në jastëkun tënd ditënetëve?

Më mësove të dalloj baltën e ngjyrosur nga bronxi
Floririn të mos e ngatërroj në tregun me vjetërsira
Të prek majën qoftë edhe me plagë te gjoksi
të kuptoj urimet e ëmbla pa buzëqeshjet e shtrirura.

Më mësove që të dua lumturinë e një tjetri
Më shumë se lumturinë e hapit tim në udhë
Nëse një ditë mbetem i vetmuar nëpër dallgë deti
Do të kem forcën tënde të mos bie në gjunjë

Ti më mësove që të prek jetën si petale të freskët
Dhe me kapistall të kap lakun e së përpjetës.