THIRRJE PËR RISHIKIMIN E MARRËVESHJES PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT SHTETËROR MES KOSOVËS DHE MALIT TË ZI

THIRRJE PËR RISHIKIMIN E MARRËVESHJES PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT SHTETËROR MES KOSOVËS DHE MALIT TË ZIDemokracioni

(Lidhja: Marrëveshja për demarkacionin e kufirit shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, e nënshkrua më 27 gusht 2015, në Vjenë, kryeqytetin e Austrisë. Kjo marrëveshje, për palën kosovare u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igor Llukshiq, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Rashko Konjeviq. Dëshmitarë të nënshkrimit të saj ishin, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Sebastian Kurz.)

AKADEMIA SHQIPTARE AMERIKANE E SHKENCAVE DHE ARTEVE-NJU JORK

AKADEMIA SHQIPTARE AMERIKANE E SHKENCAVE DHE ARTEVE-SHKUP

Duke marrë parasysh se,

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, e negociuar që nga viti 2009, me ndërmjetësim ndërkombëtar të Bashkimit Evropian, e nënshkruar gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor, më 27 gusht 2015, në Vjenë të Austrisë, ka krijuar pakënaqësi, revoltë dhe kundërshtime në popullin e Kosovës, në qarqet akademike, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në diasporën shqiptare, si dhe në partitë politike opozitare të Kosovës, të cilat gati një vit protestojnë fuqishëm kundër kësaj marrëveshje, bashkë me banorët e Komunës së Pejës, të Rugovës dhe Podgurit, të cilët protestojnë sidomos për mënyrën e imponimit të kësaj marrëveshje, me kushte të padrejta dhe poshtëruese ndaj qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar për shkëmbim të liberalizimit të vizave për qarkullim të lirë në zonën e Shengenit, t’i falin shtetit fqinj, Malit të Zi, një territor prej afërisht 82 kilometër katrorë.

Përderisa, pala malazeze është shprehur se marrëveshja është shembull për rajonin dhe paraqet konfirmim se rajoni është i përkushtuar në procesin e integrimit në BE dhe NATO, ndërsa pala kosovare nënshkruese e marrëveshjes konsideron se ajo është në përputhje me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke konsideruar se Kosova tanimë e ka përmbyllur procesin e demarkacionit të kufirit me Shqipërinë, Maqedoninë dhe tani me Malin e Zi, me shpresë që së shpejti kjo çështje do të përmbyllet edhe me Serbinë, në anën tjetër, pakënaqësia e popullit të Kosovës, përmes subjekteve politike dhe qarqeve akademike vazhdon të rritet, me tendencë të eskalimit të situatës dhe cenimit të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit.

Me faktin se, ratifikimi i kësaj marrëveshjes për demarkacionit është caktuar nga BE-ja si kriteri i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka kërkuar që të bëhet ratifikimi i kësaj marrëveshje, si kusht i fundit për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës, opozita kosovare disa muaj me radhë është duke e bojkotuar punën e Kuvendit, duke konsideruar se një kusht të tillë nuk e ka pasur asnjë shtet tjetër për liberalizim të vizave, madje as Kroacia, e cila akoma ka probleme me Slloveninë për demarkacionin e kufirit mes tyre, ku çështja është dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit. Prandaj, konsiderojmë se, edhe për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të veprohet në këtë mënyrë, me formimin e një komisioni të ri, të përmirësohet ky version dhe pastaj të ratifikohet në Kuvend, apo në rast të mospajtimit mes palëve të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit.

Mbetemi me shpresë se, Bashkimi Evropian nuk mendon seriozisht që ta përdor këtë çështje si kusht për zvarritjen e mëtutjeshme të liberalizimit të vizave, pavarësisht se Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, konsideron se pa zgjidhjen e çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Duke marrë parasysh se, kundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave, qytetarët e Pejës kanë organizuar protesta masive, ndërsa është nënshkruan edhe një peticion nga qytetarët e Kosovës, ku mbi 200 mijë qytetarë janë deklaruar kundër kësaj marrëveshje, edhe shumë organizata joqeveritare, akademikë, profesorë dhe intelektualë janë deklaruar kundër saj, të cilët i kanë drejtuar apele Qeverisë, Parlamentit dhe Presidentit të Kosovës që kjo marrëveshje të mos ratifikohet nga Parlamenti. Edhe deputetët e partive opozitare janë deklaruar se nuk do të kthehen në Kuvend derisa të mos hiqet nga rendi i ditës ratifikimi i kësaj marrëveshje.

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka thënë se marrëveshja e demarkacioni duhet të ratifikohet patjetër, por nuk ka thënë që të bëhet pikërisht siç e ka vendosur komisioni qeveritar, duke i falur afërsisht 82 kilometër katror tokë Malit të Zi.

Duke u bazuar në argumentet e paraqitura, ekspertët e kësaj çështje konsiderojnë se kjo kërkesë nuk ka ardhur nga Bashkimi Evropian, por nga vetë klasa politike kosovare, e cila me dinakëri mundohet ta mashtrojë popullin dhe t’i falë Malit të Zi pjesë nga territori i Kosovës, pa kushte të njohura për opinionin e vendit dhe atë ndërkombëtar. Madje, disa zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të BE-së nuk janë në dijeni se si ka rrjedhur që kjo marrëveshje të jetë kusht për liberalizimin e vizave, përderisa nuk ka qenë kusht për asnjë shtet tjetër.

Duke marrë parasysh se, marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ende nuk është sjellë në Kuvend për ratifikim, dhe në ndërkohë vazhdon të jetë kusht për liberalizim të vizave, shumica e kosovarëve mendojnë se BE-ja duhet ta kuptojë që Kosova nuk mund të bëhet gjithmonë kurban i Ballkanit, për faljen e territoreve të veta shteteve fqinje.

Ekspertë të kësaj çështje theksojnë se, pikërisht tek vendkalimi i Kullës, në rrugën Pejë–Rozhajë, kufiri është i vendosur pesë kilometra brenda territorit të Kosovës dhe me këtë rast Kosovës i janë marrë 12 mijë hektarë tokë, të cilat i takojnë me kadastër Komunës së Pejës.

Njohës të së drejtës ndërkombëtare konsiderojnë se kjo marrëveshje ndërshtetërore nuk e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, si dokument që e cakton vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe nisur nga ky fakt, edhe Kuvendi i Kosovës nuk e ka të qartë se me çfarë procedure duhet ta bëjë ratifikimin e saj.

Duke konsideruar se, ekspertët parashohin dy rrugë kushtetuese përmes të cilave mund të bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe atë: e para, është nëpërmjet votimit në Kuvend, ku pa votën ,,për” të dy të tretave të deputetëve nuk mund të ratifikohet asnjë marrëveshje ndërkombëtare, që ka të bëjë me territorin e shtetit. Por, ka marrëveshje për një listë çështjesh të tjera, në të cilën nuk bën pjesë çështja e territorit, të cilat ratifikohen pas nënshkrimit nga presidenti i shtetit.

Qytetarët e Kosovës, subjektet politike opozitare dhe shumica e ekspertëve të kësaj çështje konsiderojnë se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të prodhojë paqe, dhe se kushti i BE-së për Kosovën është i padrejtë, duke qenë kërkesë vetëm për Kosovën, që të ratifikohet kjo marrëveshje e demarkacionit si kusht që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në zonën e Shengenit.

Disa akademikë, intelektualë, profesorë, studiues dhe profesionistë të kësaj çështje, nga një tubim shkencor i organizuar në Tiranë, janë bashkuar në thirrjen drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë lidhur me marrëveshjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke apeluar që t’i thuhet Jo dhënies së territoreve për viza!

Këto forca intelektuale, duke e ndjekur me shqetësim vendosjen e një kushti të paprecedent për popullin e Kosovës, sa i takon përfitimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, konsiderojnë se, pasi që Republika e Kosovës i plotësoi të gjitha kushtet dhe kriteret e vendosura, edhe pse ato qenë ndryshe dhe më shumë se për të gjitha shtetet e tjera që morën liberalizimin e vizave, BE vendosi një kusht shtesë, që t’i jepet Malit të Zi një pjesë e territorit të Kosovës, të cilin e konsiderojnë si një kusht i padrejtë, i paarsyeshëm dhe denigrues për çdo shqiptar.

Ju përkujtojmë se,

Pozita gjeografike e trojeve shqiptare, me pasuri të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore, përherë ka qenë tragjike për popullsinë autoktone shqiptare, e cila përjetoi pushtime të njëpasnjëshme përgjatë shekujve, sidomos pas Paqes së Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës, kësaj radhe edhe Samitit të Vjenës, ku shembulli i trojeve shqiptare mund të jetë i vetmi në botë, ku kushtëzohet vetëm pala shqiptare, edhe pse harta politike e shtetit të tyre kufizohet nga të katër anët me trojet e veta etnike të grabitura nga shtetet fqinje.

Ashtu siç ndodhi në mënyrë të dhunshme copëtimi i territoreve në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe përgjatë shekullit njëzet, me ndikimin dhe vendimin e Fuqive të Mëdha, pavarësisht kundërshtimeve të popullsisë autoktone shqiptare, me ndikimin e Rusisë dhe luajtjen e rolit të e viktimës nga popullsia sllave e gadishullit Ballkanik, duke i shpërblyer me toka shqiptare, drejtpërsëdrejti ndikuan në formimin e shteteve të reja sllave në territoret etnike shqiptare, në këtë rast edhe formimin e shtetit të Malit të Zi dhe atë të Maqedonisë.

Mali i Zi synim kryesor përgjatë historisë ka pasur zgjerimin në territoret shqiptare, siç kërkoi nga Kongresi i Berlinit, aneksimin e Plavës dhe Gucisë. Mbasi ushtria e Malit te Zi nuk mundi ta pushtojë me luftë Plavën dhe Gucinë kërkoi nga Kongresi i Berlinit që t’i jepen Hoti dhe Gruda, por pasi nuk arriti ta pushtoi as Hotin e Grudën, Mali i Zi kërkoi nga Kongresi i Berlinit që t’i jepet një zonë tjetër, Ulqini dhe Tivari.

Me gjithë vendimet e Fuqive të Mëdha për aneksimin e këtyre territoreve Malit të Zi, populli shqiptar asnjëherë nuk u pajtua më këtë ndarje dhe gjatë gjithë kohës bëri rezistencë të armatosur dhe kurrë nuk e njohu pushtimin malazez.

Populli shqiptar nga Plava, Gucia, Ulqini, Tivari, Ana e Malit, Hoti, Gruda, Trieshi, Koja e Podgorica gjithmonë qëndruan të rreshtuar në ballë të luftërave për çlirimin e këtyre territoreve të aneksuara. Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si republikë e ish federatës jugosllave, Malit të Zi iu dha edhe Rozhaja, e cila ishte nën administrimin e Pejës deri në vitin 1945.

Duke konsideruar se, demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk duhet të konsiderohet si çështje formale dhe teknike, por si çështje politike që e cenon sovranitetin shtetëror dhe tërësinë e trojeve etnike shqiptare, si e tillë nuk është vetëm çështje e Kosovës, por edhe çështje e tërë kombit shqiptar, duke marrë parasysh luftën dhe përpjekjet shekullore për mbrojtjen dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të trojeve etnike.

Edhe pse ekspertët kanë ofruar shumë fakte për këtë çështje, siç është Kushtetuta e Malit te Zi e vitit 1947, e cila e përshkruan saktë vijën kufitare, ku shihet qartë se vija kufitare ka qenë Çakorri dhe Kulla, por këto fakte të ofruara më herët Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh, prandaj, apelojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta rishikojë edhe një herë këtë çështje dhe të sjell vendim të drejtë, duke pasur parasysh përherë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës.

Duke pasur parasysh këto fakte, u bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos pranojë kushte që e vendosin vendin në pozicione të pafavorshme krahasuar me vendet tjera të rajonit, duke konsideruar se Qeveria e Kosovës nuk është e detyruar të pranojë kushte të padrejta dhe të pabarabarta, krahasuar me shtetet tjera, në dëm të integritetit territorial.
Ndërsa, Qeveria e Republikës së Shqipërisë të mos jetë indiferente ndaj copëtimit të mëtejshëm të territoreve shqiptare, por t’i përdorë të gjitha mundësitë për eliminimin e këtij kushti të padrejtë dhe të dëmshëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian.
Demarkacioni i kufirit është çështje midis dy vendeve sovrane, Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk mund të bëhet peng për marrëveshje ndërkombëtare që Kosova lidh me palë të treta, në këtë rast me vendet anëtare të marrëveshjes Shengen të BE-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarët kudo që janë, duhet ta ndalojnë krijimin e precedentit që për çdo të drejtë anëtarësimi në marrëveshjet evropiane të detyrohen t’u japin territore fqinjëve të tyre ballkanikë.
I bëjmë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, TA RISHIKOJË MARRËVESHJEN PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT SHTETËROR MES KOSOVËS DHE MALIT TË ZI, dhe të sjell vendim të drejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës, të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, të vlerave të demokracisë perëndimore për qarkullim të lirë të njerëzve, ideve dhe kapitalit, si dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë mes vendeve dhe popujve të Ballkanit.
Nju Jork-Shkup, 11 korrik 2016

Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve – Nju Jork
Kryetari, Prof. Dr. Skender KodraKodra
Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve – Shkup
Kryetari, Prof. Dr. Abdulla Mehmeti