“Sandalja e djathtë”, një rrëfim dhembje e kohës sonë

“Sandalja e djathtë”, një rrëfim dhembje e kohës sonë

Hamdi Meça, “Sandalja e djathtë”, roman poetik për të vegjël e të rinj, Sh. B. “Himn”, Tiranë, 2015

Përsiatje letrare
Maxhun Osmanaj
Hamdi Meça, shkrimtar i mirënjohur, letërsisë shqipe ia solli një libër paksa të veçantë. “Sandalja e djathtë” (2015) është roman poetik, që shënon një risi në botën e poezisë shqiptare-moderne. Hamdi Meça (1952) nga Kruja e Shqipërisë, një kalorës tashmë i stërvitur në poezi dhe prozë, autor i mbi dyzet veprave në poezi, prozë, paraqet një autoritet letrar mjaft prodhimtar dhe një autor me një bagazh të pasur, fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Romani poetik “Sandalja e djathtë” është një krijim-paralajmërim për botën e ndjeshme të fëmijëve, për botën delikate të tyre. Që në fillim shtron themelin e dhjetëra këshillave në vargje që zgjojnë vëmendjen në tërë romanin poetik. Meça hynë thellë në botën, në shpirtin e fëmijëve, atje ku në çdo çast ata përballen me fatkeqësitë, dhe në çdo çast heroi lirik bie viktimë për hir të dashurisë që të shpëtojë jeta fëmijësh, shpirtra engjëjsh. Poenta e këtij romani është këshilla e qetë, e matur, jo si një moralizim i thatë, por si një mbështetje e fuqishme në formimin dhe edukimin civilizues të fëmijëve, përballë dukurive shëmtuese dhe fatkeqësive që rrethojnë botën e fëmijëve. Autori nëpërmjet vargjeve lidh një realitet me një mjeshtri rrëfimi. Romani poetik përbëhet prej dhjetë pjesëve dhe çdo pjesë ndahet në krye(kapituj), që fillon me “Paralajmërim për të vegjlit” dhe e përfundon me “Paralajmërim”. Heronjtë lirikë janë të gatshëm të sakrifikojnë veten, vetëm e vetëm t’i shpëtojnë fëmijët. Ai shprehet: “Fort me kokë një gjë godet/Djalin e shpëton prej vdekjes, /duke gjetur vdekjen vetë. Kur e gjeti ai vdekjen, e pa veten, /jo tek toka, po tek qielli”. A shpëtoi?’’-pyet jetën, /kap dhe hedh ca rreze dielli” (fq. 24).
Kreu i dytë është një nga pjesët e arrira estetikisht me mesazhin që përcjell ku gropa-metaforë bëhet objekt interpretimi poetik, ngase gropa simbolikisht paraqet fatalitet për fatin e fëmijëve. Kreu i tretë i pjesës së parë fillon me subjektin lirik për sandalen, ku rrëfimi poetik me metaforën e zinxhirëve shpërfaq gjithë atë dramë të dhimbshme; zinxhirët janë dhembja, vuajtja, kriza, hallet, mjerimi ku autori thotë: “Zgjatet ai zgjatet, kurrë nuk ka mbarim/ku ka më tepër halle, kriza dhe mjerim” (fq. 37). Dhe mu këtë zinxhir-metaforë, autori ka arritur të bartë tek lexuesi porosinë që sjell, ku ironia dhe sarkazma godasin këtë zinxhir në mënyrë që të këputet e keqja, ku haptas mund të nënkuptojmë si rrëfim- këshillë dhe porosi. Brenda rrëfimit poetik nënkuptohet demaskimi i këtij zinxhiri: “Por te ky zinxhir duhet pasur dhe kujdes/kur dikush për mall vendas shet prodhim kinez” (fq. 38). Meça, di çfarë duhet t’u ofrojë lexuesve të vegjël si këshillë -kujdes; “S’është veç ky zinxhir që në botë zgjatet/ka një zinxhir tjetër, matet e nuk matet” (fq. 38). Autori të kreu i pestë derdh rrëfimin për një familje, një çift punëtor, rritin një cucë që këta prindër janë si dy duar; “Nënë e babë duar janë/njëra dorë po mban një xhan/tjetra dorë rrok një shpirt/përkëdhelja rrit fëmijët/Xhan e shpirt cuca e vogël/ e thërrasin prindërit “Motër” (fq. 44).
Qoftëlargu – metaforë e dhembjes
Një kaptinë e veçantë është kreu i parë i pjesës së dytë ku autori merret me Qoftëlargun si fenomen, si fat i lig, si diçka e pahetuar, si qenie mistike, si diçka e padëshiruar, që mund të na ngjitet fshehtas si rriqër kudo; në trup, por që sjell edhe fatkeqësi, frikë, ankth, si dreq-djall, si…si shtrigë, si fantazmë, si katallan, si kuçedër apo si… “Qoftëlargu i padukshëm, / i atjeshëm, i këtushëm” (fq. 52). Autori nuk dëshiron të nxisë frikë as tmerr për Qoftëlargun, por më tepër vargjet rrëfyese mëtojnë të japin një porosi te fëmijët që mos ta kujtojnë fare Qoftëlargun si çast i ligë apo orë e ligë e njeriut; dhe ai në fund të kreut të parë me 44 strofa dyshe që ia kushton i tëri këtij Qoftëlargu, si këshillë apo si lutje, urdhër apo… ku thotë: “Qoftëlargu qoftë veç larg/nga çdo mendje, zemër prag!”(fq. 56). Ndërsa në pjesën e dytë, kreu i dytë autori nis rrëfimin me aq thjeshtësi sa sikur të jetë një skicë apo një tregim, prandaj mendojmë se me të drejtë autori e quan veprën roman poetik, ngase i përmbush kriteret e romanit poetik, si në kompozicion, strukturë, narracion, i ndarë në pjesë dhe krerë (kapituj). Struktura poetike ka një ndërtim ideor mjaft domethënës. Autori nuk e tregon ngjarjen në tërësi nga ku ia fillon, por lë lexuesin të meditojë , që interesimi mos të bjerë. Tani nga blerja e sandaleve, Meça kthehet te një ëndërr që i lajmërohet nënës së vajzës për t’ia vjedhur lumturinë dhe kjo shënon një pikë kthese në romanin poetik. Pra autori di të freskojë rrëfimin dhe të mbajë gjallë interesimin për lexim, ndonëse rrëfimi bazë nuk këputet, por qëndron si një zinxhir deri në fund. Për ta prishur qetësinë familjare, Qoftëlargu apo ëndrra e keqe i drejtohet nënës në gjumë dhe i thotë: “Çka po dua, mos e zgjat më/më jep atë. Më jep atë ushqim/ushqim, lumturinë” (fq. 64). Pra, një metaforë e qëlluar, ku Qoftëlargu paraqet një paralajmërim për një prishje të lumturisë së familjes se vajzës. Por edhe kësaj radhe, nëna, edhe pse e kërcënuar keq nga Qoftëlargu për hakmarrje, kjo i kundërshton dhe nuk i përkulet këtij të keqi, kësaj fantazme të themi dhe i thotë jo! Kjo është poenta e fitores-ngadhënjimit mbi të keqen pa i menduar dëmet. Autori mjeshtërisht ka arritur nëpërmjet vargut të shpalosë dhe përcjellë porosinë te lexuesi se ndaj së keqes s’duhet nënshtruar dhe përkulur asnjëherë, por duhet synuar të dalë fitimtar. Grimcat rrëfyese tregimtare në vargje e freskojnë romanin, por ato grimca herë janë të këndshme , por mbarojnë me dhembje. Psh. të pjesa e tretë, kreu i tretë, vjersha “Pjesë pa lidhje, me lidhje”, në të cilin Meça mbështetet te tabani i legjendës apo përralla e ujkut me qengjin, por autori e freskon me skena të reja, me ambient rural, plot idil, qengji, livadhi, kullota, kënaqësia, loja e djalit me qengjin, por lajmërimi i ujkut , prish qetësinë dhe kënaqësinë e djaloshit, por: “Bisha këqyr përballë, një qengj, një fëmijë/çunin s’e prek fare/ Qengji, zgjedhja e tij” (fq. 83).
Ilustrimet e llojllojshme janë një gjetje e kapshme pedagogjike që kënaqin intuitën e lexuesit dhe lidhin materien ideore-poetike me figurën. Meça në asnjë pjesë të romanit poetik nuk e shkëput kryeheroinën, vajzën me sandale, por në pjesën e katërt, kreu i gjashtë, mësojmë për rrëmbimin e vajzës nga surrati-qoftëlargu dhe në ikje, rënia e sandales se djathtë dhe për këtë rrëmbim, pas dhembjes që e ndjen shpirti i nënës, atë e ndjen edhe toka, qielli, gurët. “në rrugë i ra kjo sandalja e djathtë/Shembet ajo turrë gurësh e reve lart. Zhurma që u ndje nga kjo shembje në qiell/ishte një gjëmim i gjatë e i thellë” (fq. 101). Autori godet dhe demaskon rrëmbimin, vjedhjen e fëmijëve, një dukuri e tmerrshme, tronditëse kudo që ndodh. “Sepse kush rrëmben një fëmijë të botës/në çast ka rrëmbyer çdo këlysh të tokës”(fq. 102). Rrëfimi vazhdon në vargje, ku nëna në pyll, rastësisht gjen sandalen e vajzës dhe gati i bie të fikët, kur e di se e kujt është sandalja. Teksa në pjesën e gjashtë, në kreun e dytë mësojmë fatin tronditës që vajzën e rrëmbyer sikur e ekspozojnë për treg nga rrëmbyesi kriminel. Autori ka dashur ta bëjë një paralele të ngjashme që mund të jetë plotësisht edhe realitet. Dhe atë do ta blejnë dikush për veshkë, dikush për kanibal, dikush për laborator, dikush për film, dikush për shërbyese, dikush për binjakëzim, dikush për të vjedhur, për spiunim, për të lypur, dikush kërkon për ta dërguar në Siri për luftë, ndërsa dy strofat e fundit shpërfaqin më tepër se akuzë, mallkim: “Mami-vajza ka thirrur fort/Zërin la dëshmi në botë/E ka lënë edhe me jehonë/ tek gjithkush në jetën tonë/Përgjithmonë. Është cuca a s’është më?/ Në e dëgjofsh të sajin zë/ mbro fëmijët menjëherë/se qoftëlargu vjen i merr, me të tjerë” (fq. 131). Pra, autori me anë të këtyre vargjeve vret ndërgjegjen e secilit që gjithmonë duhet pasur kujdes dhe syçelëti që secila vajzë a djalë i rrëmbyer është yni dhe duhet mbrojtur me çdo kusht. “E ka lënë një jehonë”, është varg-dhembje, trishtim, ankth dhe krim.
Meça godet edhe një dukuri të shëmtuar të kohës sonë, bixhozin, ku në pjesën e shtatë, kreu i pestë, vjersha Pjesë pa lidhje me lidhje, godet bixhozxhiun duke u sorollatë rrugëve, duke mashtruar dhe “infektuar” shoqërinë, njerëzit, por një ditë, fundin e pat të dhimbshëm, sepse: “Ke luajtur bixhoz, – i flet vdekja në vesh/ndaj për këtë në ferr, vendin do ta kesh” (fq. 150). Ndërsa te njeriu i mirë, me vepra të mira, engjëlli i rri të kryet: “Ç’po thua, moj vdekje, ti për këtë njëri?- Engjëlli te kryet e atij burri rri. Engjëlli që i rri burrit për së gjalli, tregonte nga vetja pamjen e një djali” (fq. 150).
Meça me këtë roman poetik ka dhënë porosinë më të dëlirë, të kristaltë para botës së të vegjëve duke goditur fenomenet më të dobëta, pos rrëmbimit, bixhozit, tani godet edhe faltoren që vargu i njerëzve është i gjatë, ndërsa falltorja kinse di t’ia tregojë nënës rrëmbyesin. Pra, autori e demaskon faltoren e gënjyer. Meça nuk ndalet me kaq, ngase ai godet edhe mashtruesit- shoqatat, deputetet që në emër të mbrojtjes së fëmijëve përfitojnë dhe mashtrojnë në forma të paskrupullta popullin vetëm për të ardhur te fitimi-monedhat. Këto shtatë zonja plaka, që kinse formojnë shoqatën për fëmijë, autori i ironizon me mjeshtri me figurat e ironisë dhe sarkazëm për këtë dukuri të mashtrimit, në emër të mbrojtjes së fëmijëve. Ndërsa në kapitullin “Pa numër”, vjersha kreu i parë autori kalon në një tematikë fetar ku ai shpërfaq mendimin se foljen adhuroj mos ta përdorim askund , pos vetëm për dikë: “Një vetëm Ai, çdo gjë tjetër shumë. Adhuroj veç Zotin, fol dhe në gjumë” (fq. 170). Në çdo pjesë , autori ruan lidhjen strukturore-ideore të kryepersonazhit lirik të veprës, vajzën, por që mjeshtërisht fut grimca rrëfimi për fenomene dhe dukuri që mëtojnë një porosi dhe mbresë. Në pjesën e nëntë, autori skalit shpirtin e nënës në një nënë të përvuajtur, që digjet si qiri për fatin e vajzës së rrëmbyer dhe mendojmë se është pjesa më e realizuar, përballë fatit të vajzës ku autori shprehet: “Ti ke para, prona, pasuri private/ ajo ndjenjat djeg si meteorë nate/krejt fillikate” (fq. 180). Pra mjafton kjo strofë për ta pasqyruar shpirtin e vrarë të nënës. Autori përmbyll këtë libër me titullin “Paralajmërim”, i cili u drejtohet prindërve dhe gjithë shoqërisë sesi të kenë kujdes ndaj shpirtit engjëll i fëmijës, sepse: “Thonë, Hyji i Madh, sa herë në dhe zbret/më parë çdo fëmijë takon në planet” (fq. 211-12).
Stili dhe figuracioni poetik
Në ndërtimin metrik Meça përdor lirshëm që nga dyvargëshi deri të pesëvargëshi, apo ai përdor edhe sonetin dhe vargun e lirë, ndonëse më se shumti pëlqen dyvargëshin. Thuaja në çdo strofë përdor rimën e njëpasnjëshme apo edhe rimën e kryqëzuar, që për botën e fëmijëve pëlqehet shumë. Metafora është mbretëreshë që përdor më se shumti ku arrin të përmbush idenë dhe porosinë. Por krahas metaforës, autori përdor edhe krahasimin edhe hiperbolën dhe ndonjë përshkrim poetik te ambientit. Vargu i Meçës duket më shumë rrëfim poetik, por aty shfaqen herë ndjenjat , herë meditimet shpirtërore. Në çdo pjesë, përkatësisht kre, përdor ilustrimet si ndërlidhje pedagogjike dhe ka funksion pedagogjik-psikologjik, duke u lidhur vargu me figurë që zgjon një interes për lexim. Gjuha e autorit është e kapshme e nivelit te fëmijëve dhe ambientale që ka frymën herë lirike, herë epike në frymën edhe të vendlindjes. Me këtë formë shkrimi autori ka shkruar një krijim paksa të veçantë që dramaciteti nuk fiket asnjëherë por krijon një realitet në mes legjendës dhe realitetit, ku dramaciteti është motor që vë në lëvizje tërë rrëfimin. Një kolorit i tillë e bën ndër veprat më moderne-novatore të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rritur.