ROLI I FAKTORIT SHQIPTAR, PËR EMRIN E RI TË MAQEDONISË! Nga :DR. SULEJMAN ABAZI NESHAJ

Gatishmëria e Zajev për ta zgjidhur problemin, duke u marrë vesh për çështje të rëndësishme, por “jo përtej shkeljes së interesave tona” dhe lajmi për një “referenduam të mundshëm për çështjen e emrit”, janë një qëndrim i pritur dhe i shtrirë në kohë.Faktori kryesor politik dhe diplomatik që nxit këtë çështje, sigurisht është kërkesa greke për një emer të ri të shtetit maqedon. Por jo më pak e interesuar shfaqet Bullgaria në qëndrimin dhe kërkesat e saj, në lidhje me këtë çështje. Çfarë kërkon konkretisht politika bullgare në bisedimet maratonë të Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit?

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaron që, “emri i Maqedonisë duhet të zgjidhet në interes të tri shteteve; Maqedonisë, Greqisë dhe Bullgarisë”. Kjo porosi e tij për politikën maqedone, bëhet një ditë para vizitës së tij në Shkup. Në intervistën e tij ai deklaron që, “për këtë qëllim, organet e pushtetit bullgar do të jenë në kontakt me ato të Maqedonisë… Në këtë pikëpamje, palët mund të llogaritin edhe ndihmën tonë. Por, unë besoj se ky kontest do të zgjidhet në atë mënyrë, që të mos ndikojë në interesat e asnjërit nga këto tri shtete. Për ne kjo do të thotë që, në emrin e ri, të mos ketë përcaktim gjeografik që përmban pjesë të territorit të Bullgarisë. Për këtë qëllim do të jemi në kontakt me organet e pushtetit në Maqedoni, që të gjëndet një zgjidhje në formën më të mirë të mundshme”.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Radev është i qartë në atë çfarë kërkon për përfaqësimin e interesave të Bullgarisë në marrëdhënie me Maqedoninë.

Problemi që shqetëson shqiptarët në Maqedoni, është pozita dhe vlerësimi i faktorit politik shqiptar në këtë vendimarrje. Deklarata e publikuar mbi qëndrimin e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, shpreh shqetësimin për “gjumin letargjik” dhe mungesën e trasparencës nga partitë politike shqiptare, të cilat janë thirrur formalisht në kontaktet e brendëshme zyrtare, pa ndonjë peshë në këtë vendimarrje.

Brenda shtetit të Maqedonisë, është përfshirë rreth 40 për qind e territorit shtetëror e banuar nga popullsia shqiptare, e cila përfaqësohet nga rreth 800 mijë banorë. Shqiptarët janë elementi i dytë politik dhe etnik më i rëndësishëm shtetformues, të përfaqësuar institucionalisht në qeverisjen e vendit. Natyrisht, roli i tyre dhe e drejta e propozimeve në përcaktimin e emrit të Maqedonisë, duhet të jetë parësor. Por, si në çdo problem politik që kërkon zgjidhje në Maqedoni, edhe në këtë çështje, faktori politik mbetet i shpërndarë, jo unik, duke e lënë problemin në udhëkryq.

Rasti i qëndrimit të Bullgarisë dhe kërkesa e saj konstruktive, për të qenë “tre palët” në zgjidhjen e problemit, është një mësim për politikën dhe diplomacinë shqiptare. Është koha dhe momenti që, politika shqiptare në Maqedoni të ketë pranë ndihmën dhe mbështetjen e Republikës së Shqipërisë.

Çështja e emrit të Maqedonisë përmban element të territoreve dhe popullsisë shqiptare, të cilat pavarësisht statusit shtetëror, kanë edhe një status etnik. Me të njejta të drejta, siç kërkon shteti grek për pretendimet e tij ndaj Maqedonisë, brenda qëndrimit të saj konstuktiv, bashkëpunues dhe mbështetës, Republika e Shqipërisë, sot gëzon të drejtën e barabartë, ashtu si Bullgaria dhe Greqia në sitemin e brenda NATO-s dhe organizmave të tjera ndërkombëtare.

Respektimi i vullnetit të politikës dhe popullsisë shqiptare brenda Maqedonisë me këtë rast, duhet të jetë shprehje e vullnetit të mirë, për të arritur me standardet e paplotësuara deri në mbajtjen e Sanmmitit të NATO-s, në korrik të këtij viti.

Përgjumja e shtetit shqiptar është e pajustifikuar. Qëndrimi konstruktiv, nuk ka të bëjë aspak me problemet që janë shtruar për zgjidhje midis Greqisë dhe Shqipërisë, përkundrazi, familjarizimi me vullnetin dhe dëshirën për t’i zgjidhur problemet e mbartura nga historia, do të dëshmojnë angazhimin politik të shtetit shqiptar, i cili mbështet dhe inspiron mbrojtjen e interesave kombëtare, në kushte dhe pozita të barabarta.

Mbështetja e kësaj të drejte kalon përtej hapësirës së një emri. Respektimi i vullnetit të shqiptarëve në Maqedoni edhe në këtë çështje, ka të bëjë me plotësimin e standardeve për të respektuar dhe garantuar statusin e tyre qytetar, etnik dhe shtetëror.

Nuk do të shihej asgjë e keqe që dhe shqiptarët të dilnin në një varjant, si pjesë e zgjidhjes së problemit. Respektimi i të drejtës, do të rriste vlerat e koncensusit, i cili mund të shfaq vlerat e tij positive në një referendum të mundshëm. Të mos lejohet që momenti të kalohet në heshtje dhe me vendimarrje të njëanëshme. Kjo do ta dëmtonte procesin e zgjidhjes. Urojmë që edhe këtë herë shqiptarët të gjejnë rrugën e mendimit konstrukltiv, të bashkuar në një qëndrim dinjotoz, që do t’i shërbente të ardhmes së Maqedonisë dhe popujve që jetojnë brenda saj.

Dr. Sulejman Abazi NESHAJ