“QE E KEQE KJO SENEJA, PO PI GJAK NGA XHERIMEJA…” Nga Simon Vrusho Berat.

“QE E KEQE KJO SENEJA,
PO PI GJAK NGA XHERIMEJA…”

Xhevit Xherimeja nga Droboniku, Berat, ka një peng 27-vjeçar. 35 vjet në punë shteti, në punë të rënda duke prerë dru e duke bërë qymyr… Punonte vetë me dy mushka… Pluhuri i qymyrit e pudroste nëpër pore, sa që gjysma e rrogës do t’i shkonte për sapun e për shkumë…

Punonte, por dhe paguhej… Jemi para ’90-ës. Merrte deri 15 000 lekë në muaj, prandaj mendonte se edhe pensioni do ta zinte shumë mirë, kur…

-Pensioni , -i thanë, – të ka kapur pak, 3750, minimumi…
-Jeni në vete? Unë po pres pension 7000 lekë, ju… Nuk i keni parë borderotë? Sa kam punuar? Sa kam firmosur? Me dy mushka dhe vetë, vetë i tretë?

-Nuk quhesh punëtor i normuar. Pastaj do dhe pension për mushkat, ti?

-Po kam firmosur unë, jo mushkat, se, po të qe për mushkat ato, dihet, ato nuk dinë shkrim e këndim, nuk hedhin dot firmë, por vulë po, me gjurmë mushke, patkonj mushke…

Një mik imi, që i vjen ndoresh për këngë, më ngriti dy vargje:

“Qe e keqe kjo seneja,
Po pi gjak nga Xherimeja…”

Dhe janë bërë 27 sene gjakpirëse… Në poret e fytyrës së Xherimesë feksin ende grimcat e pluhurit të qymyrit të zi…

-Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”-