PREZANTIM I PROJEKTEVE TË WPI QË DO TË ZHVILLOHEN NË SHQIPËRI.. Nga: Artur Vrekaj

Artur Vrekaj artur_vrekaj
Në vazhdim të punës kërkimore katër vjeçare të qëndrës Shqiptare të projekteve të Institutit Politeknik të Uster, Masaçusets (WPI) një grup studentësh do të nisen javës tjetër në Shqipëri për të zhvilluar punën kërkimore në terren për shtatë javë.
Për këtë qëllim në ambjentet e kolegjit WPI u bë prezantimi i projekteve kërkimore të këtij viti akademik sipas grupeve studimore.
Studentët amerikanë kanë tashmë si bazë njohurish edhe eksperiencën dhe faktet e punëve studimore të grupeve të mëparshme për gjeografinë, klimën, traditat, kulturën, turizmin, edukimin e rinisë, ekonominë e vëndit etj.
Projektet e këtij viti që u prezantuan nga grupet kërkimore-studimore janë:projekti-wpi
1-Rritja e interesit të publikut në pastrimin e lumit Drin me mbështetës financiar SHUKALB.
2- Hapja e ECO-ADVENTURE PARK në kanionin e lumit Osum me mbështetës financiar Albania Rafting Group.
3-Planifikimi i sipërmarrjeve për mjedisin në rajonin e Ballkanit me mbështetës financiar Yunus Social Bussines Balkans.
4-Bimët mjekësore përgjatë lumit Vjosë, ndikimi ekonomik dhe përpunimi i tyre me mbështetës financiar EcoAlbania.
5-Mbetjet farmaceutike në Tiranë me mbështetës financiar EDEN Center.
6-Robotët në Institutin Harry Fultz me mbështetje financiare nga vetë Instituti.proje-wpi
Studentët shpjeguan mënyrat se si do të punojnë në Shqipëri për çdo projekt në bashkëpunim me organizata joqeveritare, agjenci shtetërore, ekspertë të fushave përkatëse, stafe shkollash dhe banorë në zonat lumore ku shtrihet puna kërkimore-studimore.
Në përfundim të kësaj pune studentët do të zhvillojnë veprimtari ndërgjegjësuese në takime të drejtëpërdrejta me publikun për të rritur interesin e agjencive shtetërore dhe joshtetërore në shërbim të një mjedisi më të pastër dhe edukimit në tërësi për të mbrojtur burimet natyrore.
Profesorët Hersh dhe Christopher drejtues të kësaj qëndre të projekteve të WPI në Shqipëri falenderuan pjesëmarrësit në prezantim si dhe studentët e grupeve që do të zhvillojnë këto projekte.
Profesori Shqiptaro-Amerikan Peter Christopher i matematikës falenderoi në veçanti edhe shqiptaro-amerikanët që morën pjesë në këtë veprimtari e cila u filmua nga dokumentaristi Ardjan Murraj dhe do të jetë pjesë e punës prezantuese edhe në Shqipëri e veçanërisht në Kukës, Përmet, Tepelenë, Tiranë, Berat e Skrapar qytete të cilat janë pjesë e gjeografisë së zhvillimit të këtyre projekteve.proj-wpi
Artur Vrekaj
10 Tetor 2016