Presidente Kroacisë, zonja Kolinda – Grabar Kitaroviç.”QYTETARE NDERI E BERATIT”

Në sallën e konferencave në Bashkinë e Beratit, u organizua ceremonia e dorëzimit të titullit të lartë:
“QYTETARE NDERI E BERATIT”
Presidentes së Kroacisë, zonja Kolinda – Grabar Kitaroviç.

Pak dite me pare, Presidentja kroate, znj. Kolinda Grabar – Kitaroviç, e shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, ishin për vizitë ne qytetin e Beratit. Krerët më të lartë të shteteve respektive janë pritur në një takim zyrtar nga nga Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj. Në sallën e konferencave të Bashkisë u organizua ceremonia e dhënies së titullit “QYTETARE NDERI” Presidentes kroate me motivacionin: “Personalitet i shquar i politikës rajonale dhe më gjerë, model frymëzimi, humanizmi dhe solidariteti, si përfaqësuese e një populli mik, që çmon dhe vlerëson kontributin e shqiptarëve për lirinë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi, tolerance, mirëkuptimi dhe paqeje midis popujve.‘’ Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Shtetit, z. Ilir Meta, ambasadorja e Kroacisë, znj. Sanja Bujas – Juraga, ambasadori i Austrisë, z. Johann Sattle, Prefekti i Qarkut të Beratit, z. Harilla Dafa, përfaqësues të klerit, përfaqësues të autoriteteve rajonale dhe lokale etj.
Moderatorja e kësaj ceremonie, znj. Klejda Kusta, pasi bëri një paraqitje të shkurtër të biografisë së Presidentes së Koroacisë, ftoi për të përshëndetur Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, i cili në fjalën e tij, vlerësoi praninë e Presidentes Kolinda Grabar – Kitaroviç në qytetin e Beratit. Midis të tjerave ai tha: “Presidentja e Kroacisë zgjodhi të jetë në Berat për të marrë këtë titull nderi dhe në emër të qytetarëve të mi e falenderoj atë për vizitën dhe praninë e saj të veçantë këtu. Berati do t’ju ftojë të eksploroni arkitekturën mesjetare, kalanë e qytetit, lagjet muzeale, “Mangalem” dhe “Goricë”, kishat bizantine dhe xhamitë e vjetra, ikonat e famshme të Onufrit dhe mbishkrimet e vjetra, kulinarinë e pasur dhe shpirtin mikpritës të qytetit. Mbi të gjitha do të ndjeni shpirtin e banorëve të tij, të cilët ruajnë prej shekuj qytetërimesh vlerat e miqësisë dhe traditën e bukur të mikpritjes. Ju tashmë do jeni pjesë e qytetit, si “Qyetare nderi” dhe do të keni gjithmonë një vend të privilegjuar në zemrat e çdo qytetari beratas.”
Ndërsa Presdidenti Meta u shpreh se ndihej mjaft i kënaqur që merrte pjesë në këtë ceremoni kaq të bukur, po ashtu edhe Berati do të duket edhe më i bukur mbas kësaj ceremonie, sepse sot po nderon një personalitet të shquar të një vendi jashtëzakonisht të dashur dhe të shtrenjtë për shqiptarët, siç është Kroacia. “Lidhjet tona të miqësisë me popullin mik kroat zënë fill qysh herët, miqësi kjo që vazhdon deri në ditët tona. Shqiptarët në Kroaci e demonstrojnë hapur me krenari origjinën shqiptare, ashtu sikurse Presidentja kroate demonstron mirënjohjen për sakrificat që ata kanë bërë për Kroacinë. Kroacia nuk është një vend i dashur vetëm për ne, por prej së dielës një vend i dashur për të gjithë botën, për shkak të magjisë së futbollit, por edhe të performancës së ekipit kroat, duke bërë krenarë jo vetëm kroatët e miqtë e tyre shqiptarë, por cilindo që aspiron të realizojë një ëndërr. Do të doja të falenderoja anëtarët e Këshillit Bashkiak për vendimin që kanë marrë, pasi ky vendim do t’i zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e Beratit jo vetëm me qytetin e Bjellovarit, por me çdo qytet tjetër të Kroacisë, në çdo aspekt. Mirënjohje për Beratin, që diti të nderojë një mike të veçantë të shqiptarëve”.
Pas fjalës së Presidentit Meta, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj dhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka i dorëzojnë Presidentes së Kroacisë titullin “Qytetare nderi” e Beratit.
Presidentja Kolinda GRABAR – KITAROVIÇ, në fjalën e saj u shpreh: “Është kënaqësi e madhe për mua të ndodhem në këtë ceremoni ku më ofroni titullin “Qytetare nderi” e Beratit. Për këtë falenderoj Kryetarin e Bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Berati është vërtet një thesar i çmuar që mbrohet në listën e trashëgimisë kulturore nga UNESCO. Nuk mund të kisha zgjedhur një vend tjetër më të mirë se Berati për t’u nderuar me këtë titull. Në lidhjet historike midis popujve tanë, që shkojnë përtej 1000 vjetëve, s’ka pasur asnjë konflikt dhe kjo është mjaft domethënëse. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, pa folur për lidhjet tona historiko-kulturore, por kemi edhe një det të përbashkët që na bashkon. Në parlament sot fola për figurën e Skënderbeut, për djalin e tij, i cili është zgjedhur si qytetar nderi në qytetin e vjetër të Dubrovnikut. Ka shumë për të folur për historinë, por unë do të fokusohem tek e tashmja. Ne u jemi shumë mirënjohës shiptarëve, të cilët në vitet ’90 dolën përkrah nesh, kur atëherë miqtë që na mbështesnin ishin të paktë. Sot ne jemi aleatë të NATO-s, duke mbrojtur paqen në Europën Juglindore dhe më gjerë. Në Kroaci ne kemi një njësi të veçantë, e cila do t’ju mbështesë ju në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Historia jonë e përbashkët duhet të na frymëzojë që të punojmë edhe për një të ardhme të përbashkët brenda familjes së Bashkimit Evropian. Rroftë miqësia midis Shqipërisë dhe Kroacisë, rroftë miqësia mdis shqiptarëve dhe kroatëve!”