Pranvera bashkon artistë dhe diplomat në festën e gjethes në Berat .. Nga E Azizolli

Pranvera bashkon artistë dhe diplomat në festën e gjethes në Berat

Festa e çeljes së gjethes, si simbol i ripërtëritjes pas një dimri të gjatë, synon të kthehet në një traditë festive në Berat, ku bashkohet vera me muzikën në një mbrëmje ku mbizotërojnë ngjyrat e natyrës, shija e gatimeve dhe eleganca e shërbimit.
Kantina “Çobo” ka qënë mikpritësja e këtij eventi tejet të veçantë, ku festohet çelja e gjethes së rrushit, hapi i parë i mbarë i një rrugëtimi të gjatë deri në degustimin e verës.  Prodhues të njohur, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, artistë të fushave të ndryshme, miqë dhe të ftuar nga Shqipëria, Kosova janë bashkuar në një mbrëmje festive në natyrë.
Vikena Kamenica këngëtarja e njohur ka qënë e ftuara speciale e kësaj feste, e cila duket se do të vijojë traditën ku prodhimi i verës po i jep një tjetër vlerë zonës së Beratit.  Zëri dhe interpretimi i Kamenicës është ngjizur magjishëm me shijimin e verës, në një mbrëmje festive, ku është shijuar dhe gatimi i japrakut.
Resmie Çobo, amvisa e familjes mikëpritëse e rrethuar nga një grup vajzash të veshura me kostume popullore ka përdorur gjethet e para të vreshtit dhe në mënyrë simbolike ka sjell për të pranishmit gatimin e japrakut. Ulliri si një tjetër prodhim i njohur i zonës, sëbashku me djathin, kulaçin dhe japrakun gatuar nga kryefamiljarja, janë shërbyer gjatë mbrëmjes për të pranishmit, shoqëruar padyshim me verë.
Muharem Çobo në emër të familjes uroi gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen, duke premtuar tashmë se kjo festë do të kthehet në një traditë siç është dhe prodhimi i verës trashëguar në breza.
Pjesëmarrës në këtë event kulturor zëvendës Ambasadori i Kinës në vendin tonë, Bai Yunbin, u shpreh se se kjo eksperiencë e parë në këtë festë e ka tërhequr shumë, pasi ka mundur që të shijoj dhe gatimin e japrakut.
“Është një eksperiencë shumë e veçantë për mua. Unë uroj dhe shpresoj që në të ardhmen më shumë vizitorë kinezë të vijnë në Shqipëri për të shijuar këto prodhime të mrekulleshme”, u shpreh ai.
Ndërsa, për Petrit Çobo, prodhuesin e verës dhe organizatorin e eventit surpriza e kësaj mbrëmje ka qënë prezantimi i prodhimit më të ri të kantinës, shampanja shqiptare, e cila vjen për herë të parë me një emër në shqip ‘Shëndeverë”.
“ Mendoj që njerëzve u shijon shumë shëndevera, prodhimi ynë më i fundit që bëhet me rrushin puls të Beratit. Fal dhe ndihmës që na dha Ministria e Bujqësisë me disa sipërfaqe toke të reja ne kemi munduar që të prodhojmë dhe shampanjën shqiptare që ne e kemi quajtur ‘shëndeverë”, tha ai.
Pasi kanë mundur të provojnë dhe qershinë mbi tortë “Shëndevrën” të ftuarit kanë festuar në shoqërinë e njeri-tjetrit deri në orët e vona të natës.