PERSONAZH…Drejtuesi rrethit “BERATASIT E VEGJËL” . Nga Simon Vrusho

PERSONAZH…

Dhimitër Topi, 81 vjeç, nga lagjia Goricë e Beratit, që filloi të punonte që 14 vjeç si xhenerik, elektro-mekanik e pastaj mori një sërë profesionesh me radhë: fotograf, radist, mësues në 7-vjeçare, masovik në pallatin e kullturës, telekronist, që kryen të mesmen dhe të lartën me korrespondencë, inspektor kulture, mësues në gjimanzin “B.D.Karbunara”, instruktor për sektorin tekniko-shkencor në Shtëpinë e Pionierit… Është vlerësuar për punën e tij me diploma në Ekspozitën Ndërkombëtare të arteve, organizuar nga UNESCO në Oslo, Norvegji, më 27 qershor 1986… Vajtën punimet në Norvegji, jo Dhimitri… Ishin punime duararta të fëmijëve që nuk shkonin në shkollë, fëmijë rrugësh, por që i tërhoqi në rrethet profesionale të pionierëve Dhimitri… Ishin fëmijët e famshëm të rrethit “BERATASIT E VEGJËL” që kur u bënë beratas të mëdhenj i qenë mirënjohës Dhimitrit, se i bëri me zanat, ata që nuk i mblidhte dot shkolla…

Vlerësuar me Çmimin e Konkursit Ndërkombëtar “MARUBI”, më 2005, vlerësuar nga ambasadorja amerikane Marti Riis…

-Nuk më hiqen nga mendja, veç të tjerash, dy personazhe, Todi Sotira e Gola Buda, Todi, ish-drejtori i Muzeumit Berat, orator i lindur, – thotë Dhimitri,- i katandisur keq, i dënuar në mirëmbajtje rruge, por edhe i rrënuar, rrezatonte dije, dukej gërmadhë kulture apo Gola, emigrant në minierat e Francës, që dilte në protesta përkrah Moris Torezit, që në një entuziazëm të gabuar më 1946 kthehet në Berat, ku detyrohej të shpërndante qymyr me karrocë e që herë- herë më thoshte: ” Miti, qymyri u mbarua dhe asistenca sociale nuk po duket…”

-Isha në Kanada, tek vajza, – vazhdon,- qëndrova disa muaj. Por shpejt u ktheva në Shqipëri, në Tiranë, tek djali, por frymën e mbajta në Berat. Ah, Berat! Berat! Se Berat! Se Berat!…

81 vjeç… Është nga Gorica… I shkojnë thinjat…

Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho
Fotografia e Simon Vrusho