Paradë karnavalesh në Berat. Aktiviteti gjallëron jetën artistike.
Qyteti muze i Beratit është zgjuar këtë të dielë nga atmosfera festive e karnavaleve, aktivitet i cili ka vënë në garë nxënësit e kopshteve dhe shkollave nëntë vjecare, ndërkohë që sipas bashkisë synon të rikthejë traditën e munguar të maskave, muzikës dhe haresë festive. Të gjitha kopshtet dhe shkollat e bashkisë ishin organizuar dhe sollën për publikun veshje me maska, pjesë artistike të botës së përallave në një festë karnavalesh të munguar në qytetin e mbrojtur nga UNESCO. Fëmijët parakaluan në një paradë karnavales përgjatë pedonales së qytetit, duke u ndjekur me mjaft interes nga qytetarët. Vetë fëmijët uruan për festën e karnavaleve nëpërmjet personazheve të tyre të dashur.
Për kryetarin e bashkisë së Beratit shtimi i eventeve kulturore dhe artistike është pjesë e punës së institucionit që ai drejton.
“Po kthejmë një traditë që kishte humbur prej vitesh dhe shohim se interesi është i jashtëzakonshëm. Kjo festë i shtohet listës së aktiviteteve që ne do ta shumfishojmë edhe gjatë këtij viti për ti dhënë jetë dhe gjallëri qytetit”, bëri me dije kryetari i bashkisë Pertit Sinaj.
E diela festive e karnavaleve ka gjallëruar jetën në qytetin turistik të Beratit, i cili edhe këtë vit është destinacioni kryesor për vizitorët e huaj sipas agjensive më të rëndësishme botërore të turizmit.
Erjola Azizolli

