“NJERIU ËSHTË GATI?” Nga : Simon Vrusho Berat. Albania.

Kryekrushku proverbial i fshatit Velçan, Berat, Jonuz (Shahini) Agalliu, (me jetën e vet thuajse e kish përshkuar shekullin XX), që kishte kryer detyrën e selamasit në 27 dasma, që ishte sa i muhabetit, aq dhe i terezisë, i dollisë dhe i rakisë, i këngës dhe i valles (e hidhte vallen sa në një tepsi, aq dhe në një shilte) ishte dhe një diplomat popullor i klasit të parë.

Njëherë ndodhi një grindje, një keqkuptim në një krushqi të re ngjitur me fshatin fqinj, Ismozezë, ku kishte të ngjarë që krushku i ri ismozezas të mos ia kthente më çupën-nuse dhëndrrit, krushkut në Velçan. Për ta kthyer nusen tek shtëpia e burrit ngarkohet Jonuz Shahini. Biseda e hollë e Jonuzit herë ecte, herë ngecte. Po vinte koha e drekës. Koha për kthim… Por edhe kohë dreke… Biseda po ngecte… Jonuz Shahini po mendonte si të dilte nga situata. Si ta quante nusen? Nëse miqësia prishej, nuk quhej më nuse, nuk quhej e tillë… Atëhere Jonuz Shahini gjen zgjidhjen, pyetjen fine:

-Do të ikim, do të çohemi. Njeriu është gati?

Fotografia e Simon Vrusho

Pra, në moment, nusja qe shndërruar në “njeriu”, diçka abstrakte, asnjanëse, e papërcaktuar… Krushku ismozezas “ngriu”… Dhe ai, në të njëjtën valë, ia kthen:

-Ja, gati është dreka… Dreka…

Shtrohet dreka. Po të kishte ëmbësirë në fund, fundi do të ishte i ëmbël…
Dhe ja, ëmbëlsira, bakllavaja me 40 petë…, por në çastin që u shtrua ajo një nga pleqtë e shtyrë në moshë nga krushku pritës, bëri një gjest shkërmoqjeje mbi bakllava, sikur thërrmonte diçka…
-Çfarë bën ? – i drejtohet Jonuz Shahini… Pse e pahit me hi bakllavanë?
-Jo , -ia kthen i moshuari me moshë të shtyrë. – Nuk është hi, po hedh sheqer, sheqer mbi sherbet, se çdo gjë u mbyll me lezet…
-Miqësi e pandarë! – tha Jonuz Shahini. -Thirreni dhe nusen të vijë…
Ajo që pak më parë ishte “njeriu”, kishte rifituar statusin e vet: nuse…

(Jonuz Shahini në foto me të shoqen, Taimenë, bijë nga Nishica, Skrapar.)

Fotografia e Simon Vrusho