NJË ENCIKLOPEDI NË VEPRIM, NDONËSE 85 VJEÇ…
Me çantë në krahë, me bllok në xhep, me stilolaps në dorë… Duke shkruar… Duke ecur… Duke medituar… Autor i 10 librave për sportin, 7 të botuar, 3 presin ende në flesh…
Botuar:
1.Histori e futbollit beratas.
2.Enciklopedia sportive e Beratit.
3.Sporti i alpinizmit beratas.
4.Lojëra popullore.
5.Mjeshtri i 5 dekadave-Ibrahim Keli.
6. Propaganda sportive.
7.Sport, sport…
Presin në flesh:
1.Gol Kovaçi.
2.Forca Tomori !
3. Populli në lojë…
Autori: I palodhuri dhe i kudondodhuri, Vlash Pambuku.
85 vjeç… I freskët në kujtesë… I qetë, i pa rënë në sy, i thjeshtë ekstremisht, memorie e vërtetë e sportit beratas prej 67 vjetësh…
Me një arkiv fotografik sportiv të pashembullt e të pangjashëm, gazetar sportiv, fotograf, komentues, autor i 32 fotoekspozitave sportive, i pari që ka shkruar librin e parë për tifozat beratas, mësues prej viti 1953, mësues e drejtor shkolle në Dyshnik, Uznovë, instruktor i talentuar për sportin në Shtëpinë e Pionierëve Berat për 20 vjet me radhë… Ku nuk shkruante dhe botonte? Tek “Sporti”, “Sporti Popullor”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Ylli”, “Shqiptarja e Re”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Kushtrimi”, bashkëpunëtor i Radio Tiranës ku jepte lajmet e kronikat sportive…
Sa i thatë ky tekst, ky postim për 85-vjeçarin me energji të pashuara këmbësore në rrugët e Beratit… Berati i gjithë e njeh, e dallon, por vallë sa e kanë kuptuar heshtjen e urtë dhe të palodhur të tij?
Një beratas tipik që e njeh kaq mirë Beratin, por ajme!
Sa pak e njeh Berati atë!
(Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)

