Nga triptiku (“Rrëfej, rrëfenja, rrëfime,”) Autor Simon Vrusho. TEK KAFE “TIMBRI.” NË BERAT…

TEK KAFE “TIMBRI.” NË BERAT…

MEKANIK DHE AKTOR ME TIMBËR TË VEÇANTË…

Petrit Kalluçi, ky kamerieri 62-vjeçar që shërben kafe në qendër të Beratit, ka zbritur bashkë me ujërat e ftohta të Bargullasit rrëzë Tomorit, zbriti në Berat, aty nga viti 1957, kur ishte ende dy vjeç… Zbriti, siç thotë, një ditë dimri, kur përpara syve i binte shi, kurse mbi shpinë i binte borë…

-Bashkë me kombinatin rritesha edhe unë. I kishim shtëpitë pranë e pranë… Mbarova të mesmen mekanike më 1975 e, duke qenë fqinj me kombinatin, doja të bëhehesha inxhinier tekstili. Kujt, përpara meje i takonte kjo e drejtë, kjo degë? Nuk ma dhanë të drejtën. Më çuan ushtar. Më 1978 në Elbasan u bë një koncert i madh, ushtarako-civil, ku konferiencieri ushtarak isha unë, kurse civile ishte një gjimnaziste Elbasani, tejet simpatike, kurse unë, e dija, kisha simpatik zërin… Timbri efektoi sallën, midis të tjerëve dhe Hysni Kapon, i cili në fund të koncertit më komplimentoi: “Po të kishe edhe pamjen, si të kësaj vajzës, do të çoja direkt në Institutin e Arteve.”

-Pas ushtrie – mekanik kombinati. U krijuan grupet teatrore të fabrikave, konkurime, ku më përfshinë edhe mua… Më zbuloi Regjisori Vangjush Popllo, i prurë për korrektim në kombinat, i cili më mgarkoi rolin e Harunit 60-vjeçar, nga drama “Thellësitë” e F.Gjatës. E refuzova. Unë 20-vjeçari në rol 60-vjeçari? Por më bindi. Aktor i madh është ai që luan çdo moshë, më tha, madje dhe 100-vjeçarin… Dita e shfaqjes… Babai, i cili punonte dhe ai në konmbinat, në radhën e parë…

– Në një pushim, midis aktesh, dikush i tha babait:
– E pe çunin, sa mirë?
– Jo, tha babai, -çuni im nuk ka dalë akoma…
-Ishte i hutuar dhe nga efektet skenike, dekori, dritat, kostumet, grimi, nuk më kishte dalluar fare si 60-vjeçar…

Ka luajtur me teatrin amator të kombinatit mbi 20 role. Ka luajtur dhe me Kadri Roshin, i cili e vlerësonte për kapacitetet aktoriale, duke theksuar veçanërisht timbrin e tij specifik..

Edhe kafen po me këtë timbër e shërben, prandaj edhe unë e pi kafen tek Kafe “TIMBRI”:

Nga triptiku (“Rrëfej, rrëfenja, rrëfime,”)