Nga Janina …në kampin e Dakaut.. Tregim nga Namik Selmani.

Nga Janina …në kampin e Dakaut

Rrëfimi i tij ishte sa tragjik aq edhe rrënqethës . Kishte njohur një njeri që dontë të ma tregonte edhe mua,edhe të gjithëve . Unë e dëgjoja dhe para meje më shfaqej kaq i gjallë ai njeri që mbeti sa anonim, aq edhe hero.Mbeti një pjesë e historisë ,pse jo edhe e legjendës së gjallë:

Ai vinte shpesh në shtëpinë tonë. Xhixho Nuriu ,nip Ninati dhe babai bir Ninati, kishin lindur të dy në fillimshekullin e kaluar . Të dy kishin qejf që herë pas here të kujtonin se ishin nga fshati i të diturve .Për këtë kujtonin gjithmonë Hasan Tahsinin dhe shumë ndodhi që fshatarët e Ninatit ia përcillnin çdo brezi. I pastër deri në madhështi. I matur . I qetë.E zbukuronte dhe hapin, dhe rrugën që hidhte.
E, më tej, dihej…Niste ajo , më e thjeshta , më e madhërishmja “shkollë’ e Çamërisë.Histori nga më të bukurat e më të çuditshmet.E hapur kanat më kanat,biseda e tyre nuk kishte nevojë për zile e për trokitje. Të dy bëheshin profesorë e nxënës. Ata të dy, ne , të tjerët më të vegjël se ata që dëgjonim dhe iu rrinim pranë , ishim nxënësit që mençuroheshim shumë më tepër se në bankat e shkollës ku kishim filluar të mësonim shkronjat e para.Nganjëherë me zë të ulët ia mernin ca këngëve të vjetra të krahinës .
Ulët, shumë ulët. Sa të mos zgjonin edhe fëmijët në gjumin e djepit. Babait i pëlqenin ca vargje të tillë që edhe sot më vijnë copa-copa si purteka të florinjta:”Hajde, hajde , zëra e bardhë /mos je çun a mos je djalë/mos i ke glarë sat ëme/hoj në llaf/hoj në kuvende.”Xha Nuriu ia priste më tej :”Kam di netë e sonte tri/që kam rënë në silloi/shamikuqe zerdeli/ke dalë në shkallë e rri.”
Xha Nuriu kishte vetëm disa vjet që kishte lënë kampin e përqëndrimit të Dakaut e të Mynihut , në Gjermani. Atje kishte parë vdekjet e shokëve sikur të kishte kaluar një shteg që e sheh dhe e prek çdo ditë kur kalon në të.Torturat. Prangat. Qelitë. Zinxhirët e ndryshkur në duar e të internuarve. E kishin marrë që nga prilli i vitit 1944 e ishte liruar prej andej kur kishte kapitulluar Gjermania naziste .Ia tregonte babait me zë të ulët ditët e internimit, sikur të tregonte Lojën e Vdekjes, e cila kishte vazhduar më shumë se një vit. Një lojë që të fut në hapësirat e saj e nuk e di as vetë se si mund të shkëputesh i gjallë nga kthetrat e saj të egra.
Rrufisnin së bashku kafenë. Ngadalë. Sikur të kryenin një ceremoni të thjeshtë e po kaq madhështore.Po kaq ngadalë dridhnin edhe duhanin e fortë që e ndërronin të dy kutinë e duhanit të siguruar që një vit më parë. Plot një vit të tërë e ajrosnin sikur të kishin një qilim të kafenjtë e donin ta diellëzonin çdo ditë.
Shkonin në klubin më të madh të qytetit që ishtë rrëzë xhamisë më të vjetër mes miqsh të tjerë e …ai prapë ikte . Shkonte në Cërrikun e varfër ku e priste Zonjë Nailja, pasuria më e madhe e tij ,qetësia e gëzimi që shtohej edhe më shumë kur midis tyre u fut edhe djali i tyre i vetëm,Hiqmeti. Djali Hiqmet rritej e rritej si një Nuri tjetër më i shkolluar , më fisnik….
E shumë vite më vonë kur shekulli që jetojmë edhe sot ishte si një foshnjë Presidenti i vendit përmendi me respekt emrin e tij, emrin e krahinës nga vinte, të Çamërisë. Në gjoksin e Hiqmetit vuri dekoratën e lartë “Medaljen e Shqiponjës “Që larg , shumë larg, nga Bota e Kujtimit , xha Nuriu vazhdonte të skuqej fytyrëskuqur tërë modesti , si një fëmijë i përjetshëm , edhe pse i takonin të gjitha tribunat e nderit që ngriheshin e do të ngriheshin në qytete të ndryshme të këtij vendi, të stolisura me gjethe dafine të porsakëputura.
Bëhej më madhështor në thjeshtësinë e tij, në krenarinë tonë që e patëm njohur , në krenarinë e Cërrikut , Delvinës , Tiranës, Peqinit, Rrogozhinës që e patën qytetar të përkohshëm në punën e tij si këpucar. Kudo rregullonte këpucë. Të prishurat i bënte të reja. Po bënte edhe të reja .Këpucë fëmijësh. Këpucë të bukura grash. Këpucë të ngrëna nga vitet e hapat paksa të zvarritur të pleqve…Këpucë nënash që bridhnin në radhët e panumërta për të blerë pak qumësht, ca vezë për fëmijët e vegjël.Këpucë nusesh …..
“Këpucët janë si njerëzit “-thoshte Xha Nuriu,-Ato të dërgojnë kudo ku njeriu gëzon e hidhërohet.Të çojnë në derën e ksodhit ( ngushullimit) e të dasmës .Të çojnë në shkollë ,në xhami….Këpucët të çojnë edhe në luftë. Sa e sa vlerë kanë këpucët kur ti duhet të çash baltën , dëborën,, kur kapërcen lumin e të ftohen putrat.”
Që 20 vjeç djalë ai rregullonte këpucët e vëllezerve çamë të Batalionit “Çamëria “.Nuk dihet se sa luftëtarë nga 1500 pjesëtarët e këtij batalioni kaq me tradita apo dëshmorët Bido Sejko, Ali Demi nga Filati, dëshmorët e tjerë Muharrem Myrtezai, Ibrahim Halluni, Husejn Veseli etj e patën njohur nga afër këtë Hero të prapavijës .
E urimet për Nuriun si këpucar e si njeri, nuk mbaronin kurrë.Po kur mbaronte ditën e lodhshme të punës e kthehej në shtëpi , ribëhej një model i ri bukurie të një shpirti që s’kishte një të dytë…
Si për të provuar këtë luftëtar, një ditë prilli të vitit 1944 për të nisi një udhë tjetër . Udha e Vdekjes. Ndryshe nuk mund të quhej jeta në kampet naziste të përqëndrimit kudo ku të ishin ata. Kështu me Nuri Zanen, Zenel Takën e Koço Samarait nga Filati, Ramazan Gorën nga Shqefari, Hajri Fetahun nga Grikohori dhe Sotir Moçit nga Mursia, Çamëria dhe Shqipëria shkruante fletë të pjesëmarrjes në kampet e përqëndrimit të Luftës së Dytë Botërore.
Pa dyshim mes të internuarve të kampit të Dakaut në Gjermani askush nuk e dinte se ku kishte lindur Nuri Zane.Nuk e njihnin Filatin që po futej ato ditë në ombrellën e pushtimit grek duke i dëbuar padrejtësisht që më qershor të vitit 1944 ata që kishin jetuar aty që kur kishte dalë dielli për herë të parë në tokë..Ç’donte ai në këto kampe? Pse duhet të ndëshkohej një njeri vetëm pse kishte bërë këpucë për njerëzit, për bujqit.? Se këpucët që veshin njerëzit që mbjellin ullinj, që rrisin fëmijë pa tymin e barutit janë më të vlefshmet.
I vunë një numër në gjoksin e tharë nga vuajtjet. Dhe i provoi ato që nuk i kishte provuar në jetë .Shumë kohë harroi edhe emrin e vet.Provoi të gjitha ato që nuk i kishin shkuar as në mendje.Urinë,sëmundjen, pagjumësinë, . Të ftohtin e paduruar. Pa vdekjen e të tjerëve me sy e mendoi se një ditë mund të ishte edhe ai mes tyre.I futi të gjitha në shpirt,por prapë mbeti. Vërtet jo si një shkëmb, por si një degë ulliri që lulëzohet e rinohet pa e hequr blerimin në drurin e tij.
… Dhe një ditë erdhi nga Ferri. Donte të shkonte në Filat te shtëpia e tij, por ca ushtarë me pushkë nuk e lanë. Edhe po të ishte në Çamëri do të bëhej pjesë e genocidit grek. Për herë të parë i rrëshqiti një lot . Nuk kishte qarë as në kampet e nazizmit para torturave të pashembullta ,por ky kufi i mbyllur për shtëpinë e tij stërgjyshore e pikëlloi fort.Ca nazistë të rinj ishin rizgjuar në këtë kufi.
Nisi të punojë.20 vjet më vonë prapë u gjend në hekurat e një burgu. Kësaj radhe ishte burgu i diktaturës komuniste që i kishte sajuar akuzën “për sabotim në ekonomi” Kishte vetëm pak kohë që ishte gjykuar më vdekje grupi çam i Teme Sejkos e Tahir Demit , të dy nga Filati i tij.Më 1995 shtatë vjet pas vdekjes iu njoh e drejta e veteranit e më 2005 mori “Medaljen e Shqiponjës” nga Presidenti i Republikës. Kësaj radhe në gjoksin e djalit, se ai nuk jetonte më që prej vitit 1988.
Anonimati i ndershmërisë dhe i patriotizmit, Lulja e trimërisë dhe e mençurisë, punëdashësi e urimshumi Nuri Zane po ngjitej në piedestalin që duhet ta kishte prekur me kohë.Atë ditë djali i tij, Hiqmeti, shkoi sërish te varri .Jo si zakonisht . Bashkë me lulet e përkëdheljen e pllakës këtë herë edhe mbase i ka folur . Si djali babait. Si burri burrit. Kushedi edhe e dëgjonte. Një popull i tërë e kishte vlerësuar jetën e bëmat e tij, sakrificat e shpirtbardhësinë e tij.
…..Shumë miq të tjerë moshatarë që kishte njohur babai i tij, Nuriu, kishin vdekur një nga një.Ca edhe jetonin si për të mos harruar asnjëherë për të rimbjellë farën e dashurisë për Çamërinë , tokën ende të mohuar.
Duke e përjetuar edhe unë këtë çast apo duke e përfytëruar që nga fëmijëria ime, m’u duk se diku në Mbretërinë e Qetësisë ai me mikun e tij dhe babain tim, Ibrahimin po vazhdonin sërish të këmbenin kutinë e duhanit të fortë e po kuvendonin ende për gardhin me dyer betoni që është akoma në portën e Çamërisë .
Në sinorët e jetës së Nuri Zanes me ca këpucë të reja , të forta,të bukura si të një Dhëndrri të përjetshëm Mençurie kishte ardhur LAVDIA.
Një lavdi paksa e vonuar , por plotësisht e merituar.
Për të e për dhjetra, qindra të tjerë çamë që e kanë dashur Shqipërinë, Çamërinë me gluhën e bukur çamçe. Që kishin dashur deri në sekondën e fundit të jetës çdo gjë që mban frymën, aromën e ajrin shqip.