Në vend të një parathënieje për librin e poetit Namik Selmani “Pesha e qiellit të vendlindjes”

Bekimi i një libri
Në vend të një parathënieje për librin e poetit Namik Selmani “Pesha e qiellit të vendlindjes”

Kur për herë të parë lamë pas kurrizëve tanë të lodhur, nga hallet që na kishte dhënë koha dhe e keqja ca shtëpi të mbetura me dyert të hapura bash si ca gojë memece që nuk mund të flisnin me zë të lartë që ne të ktheheshim shumë shpejt tek ato, kujtuam e menduam shumë e shumë gjëra. Po, ato na thërrisnin e na thërrasin, me një zë që mund ta dëgjojë e ta kuptojë shumë mirë vetem një mërgimtar shqiptar kudo ku ai është. Një zë që të kërkon sërish për të ardhur sa më shpejt e sa më shpesh. E ndjenim se Kryemalli ynë ishte e mbetet shumë më i lartë se mali që kishim parë në vendlindje. Ishte malli për gjuhën shqipe. Ndjemë jo vetëm mallin për një rrugë ku gjakosëm gjunjët, për një shkollë ku mësuam me aq dashuri e durim shkronjat e shqipes sonë, ku luajtëm dhe u bëmë gjykatës të rreptë të lojës sonë fëminore. Atëherë e kuptuam se diçka të madhe kishim lënë pas. Kishim lënë kumbullat dhe manaferrat që binin në tokë pa u mbledhur nga duart e fëmijëve. Kishim lënë lumenjtë e vegjël pa i përkëdhelur me trupat tanë të hajthëm. Dhe kudo ku brodhëm nëpër botë, mbi avionë të zhurmshëm, aq komodë, me rrugë me drita që bënin e bëjnë garë edhe me diellin ku shumë shumë gjuhë na vinin në timpanët e veshëve tanë ende të uritur për shkronjën shqipe. Çdo poezi, çdo tregim, çdo fjalë e shkruar e gjuhës sonë të bukur na dukej e na duket ende si një lëndinë që kemi akoma mall ta shohim, ta prekim.

Këtë ndjesi të bukur e kam patur që kur më kanë rënë në duar poezitë e poetit me origjinë nga Çamëria Namik Selmani. I njëjti mall për trojet e të parëve tanë. E njëjta dhimbje nga gjaku i derdhur për tokën e të parëve. Është shumë e vërtetë që në botën tonë moderne njerëzit të njihen edhe me ekranët e kompjuterave, me zërat që përcjellin celualarët nga më të shtrenjtët, qoftë dhe më modernët që ka bërë njeriu. Por askush nuk mund të bindë tjetrin se, nëse shpirtërat e atyre që ninin këtë kuvendim nuk përputhen me njëri-tjetrin, atëherë zërat e celularëve heshtin shpejt, shumë shpejt. Faqet elektronike mbyllen shpejt, shumë shpejt. Kjo ndodh kur miqësitë ngrihen mbi themele të buzëqeshjeve të shtirura, të miqësive që iu mungon e nesërmja.

Jo, me mikun tim të Fjalës së Mençur, Namik Selmani, me mikun tim që më zgjon shumë mirë atë filiz të kombit kudo ku shkoj, kudo ku hap e mbyll dyert e botës së madhe, kudo ku rris fëmijët e i martoj apo bëhem si një Kryekrushk, nuk ka ndodhur kështu. E nuk do të ndodhë edhe nesër. Kur para disa viteve në Tiranë bëhej Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë, duket se ngritëm së bashku edhe me shumë miq të tjerë një Urë. Një Urë që lidh jo thjesht dy brigjet e një lumi, të një deti. Shumë më tepër se kaq. Se mendoj se ne, si komb, jemi ndoshta kombi i vetëm në botë që duhet të ngrejmë në kohërat moderne sa më shumë Ura të tilla bashkëpunimi. Armiqtë e dukshëm e të padukshëm na kanë humbur shumë kohë të dobishme për rrugën tonë të mbarësisë, ose të mbrothësisië, si thonin rilindasit tanë të shquar. Ata kanë dashur të na qorollepsin në ca shtigje ku humnerat kanë qenë aq afër syve tanë, aq afër theqafjes sonë historike. Për fatin tonë e për bekimin që na dha Zoti ne mbjetuam e sot po gëzojmë Stinën më të re të Rilindjes Kombëtare, për të cilën edhe një vëllim poetik i këtij lloji është si një GUR i fortë kështjelle dhe një trase e re re rruge.

Kohë më vonë kur unë përgatita dhe botova një roman me autoren Drita Braho “Nusja nga Çamëria“ e ndjeva se Ura e Bashkimit ishte bërë më e fortë, më e madhe, më e bukur. Kësaj radhe nuk ishim thjesht dy miq që ndërronin kafenë e mëngjesit apo bukën e konakut. Nuk ishin thjesht dy miq që takoheshin në Pazar e shkëmbenin me shumë dashuri fjalën e mallin. Jo, Namiku po më sillte aq pranë atë që më mungonte pak më shumë se zakonisht. Po më sillte fryën çame, atë që na mungonte në magjet dhe sofrat tona të Kosovës. Në trojet e saj po kaq të gjakosur sa dhe ato të Çamërisë ëndërrvrarë. Dhe e desha fjalën e tij, dhe e mësova vargun e tij dhe fjalët e atyre tregimeve që të sjellin jo vetëm mallin e dhimbjen, por edhe amanatin e madh që nuk e tret koha, lumi toka, deti, zjarri, tërmeti, oqeani..

Unë sot kam në duar librin e tij të fundit me poezi me një titull të bukur e të gjetur ”Pesha e qiellit tim”. Libri ka një organizim shumë të bukur. Duket se krah temës së tij të dashur, asaj çame, të cilën ai e ka vënë në një cikël me një titull shumë emocional “Bëj të zë, por të merr era” ka edhe motive të tjera, po kaq tundues se ai i Çamërisë. Është tema e Kosovës ku ka shumë epizëmë e lirizëm ( sërish me një titull simbolik “Trëndafilët e Prishtinës”) Në të ka një kryepoezi për Loken e Këngës Nexhmije Pagarusha apo poezi për Gjakovën e për bardin e poezisë kosovare Din Mehmeti, për Urën e Ibrit. Në ciklin e Amerikës me titull “ Sytë e Amerikës” shohim një risi tematike dhe një këndvështrim bukur të ri . E kishim parë Amerikën në sytë e studiuesve por në sytë e petëve e kishim pare rrallë.
Ndoshta nuk duhet të ma marrë për një humbje kohe lexuesi i vargjeve të tij dhe i fjalëve të mia nëse do të citoja në këtë parathënie disa tituj të librave të mëpërshëm të këtij autori me poezi. me këtë libër që po lexojmë ato bëhen 8 të tilla “ Vatra e mallit”, “Zërat e brigjeve të mia”, “Kroi i këngës çame”, “Fari çam” , “Shpirti çam”, “Djepi i këngës”, “Dritaret e besimit” dhe ky I fumdit “Pesha e qiellit të vendlindjes” Metaforat e tyre të ftojnë që të lexosh dhe të gjesh atë që shpesh në jetën e përditshme të mungon, atë frymë atdhetare, për të cilën duhet të punojmë të gjithë e kudo ku jemi. Krenohem se po bekoj një libër të tij në këtë prag jete kuar ai po mbush 6 dekadat e jetës së tij të vrullshme, tërë pasion krijimi, tërë përkushtim. Po, si pjesë e të njëjtit profesion, atij të mësuesisë, mbase duhet që tregojmë fëmijëvë tanë shqipfolës kudo ku janë jo vetem kështjellat e larta, të panumërta e aq të forta amembanë trojeve tona, por edhe t’u ngrejmë para syve të tyre të ndezur për dije e përparim, për shqiptarizëm edhe ca Kështjella të tjera, të larta të mençurisë sonë, ato të Shqiptarizmit tonë pa patur drojen e frikshme se dikush mund të na akuzojë padrejtësisht për këtë gjest nga më fisnikët e botës së qytetëruar.
Librin e shoqëron edhe një pasthënie nëse do ta quaja kështu të shkruar nga studiuesi shqiptar nga Maqedonia Zejadin ismaili me titullin“ “Shenjtëria e papërsëritshme e shprtiti çam” kushtuar librit të tij të para disa viteve “ Shpirti çam e në përgjithsi të poezisë së tij. Ky shkrim është një dritare nga ku mund ta shohim edhe më mirë poezinë e tij. Nga ky shkrim po shkëpus disa rreshta: “Tashnë ai ka krijuar origjinalitetin e tij vetanak të veçantë, arketipal dhe ka një vazhdimësi të qëndrueshme në vijën e zhvillmit kreativ poetik. Në konteks më të gjërë dhe autentik trajton njeriun çam dhe sakrificën e tij për idealin kombëtar dhe atdhetar. Virtuoziteti krijues i Namikut manifestohet përmes motiveve të reja që ai trajton…”

Duke i uruar rrugë të mabrë librit më të fundit poetik të autorit Namik Selmani “Pesha e qiellit të vendlindjes“, do të dëshiroja të citoja me shumë dashuri disa vargje nga poezia e tij “ Zinxhirët e mallit”. Janë zinxhirë që shqiptarët i kanë të pranishëm shumë herë në jetën e tyre të përditshme, edhe ata që janë larg trojeve të lindjes. Por po kaq të forta janë këta zinxhirë edhe për ata që jetojnë në trojet tona amtare. Zinxhirë që vëmë në provë dashurinë për trojet tona, përpara së cilës edhe armiqtë më të fuqishëm thyhen “E bëhem dallandyshe që nuk njeh stinimin/për të trokitur te malli me frymën e fjalës-behar/kështu mbetëm ne, drurë që nuk njohim zverdhimin /kudo ku ecim, kudo ku do të kemi një varr….
Remzi Basha
Suedi

Kush eshte autori Namik Selmani:

Namik Selmani ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinione të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.

Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Që prej 6 vjetësh ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. K a pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.

Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” me qendër në qytetin e Elbasanit,