Ndryshimi i kufijve në ballkanin perëndimor, kërkon një fillim!

Ndryshimi i kufijve në ballkanin perëndimor, kërkon një fillim!

Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)

Atë që dëshirojnë SHBA-të për ta realizuar, e realizojnë sepse duan ta realizojnë. E fillova këtë analizë të shkurtër me këtë koncept, pasi në perspektivën e Ballkanit Perëndimor, duke parë krizat që e shoqëruan atë kohët e fundit dhe rrugët për zgjidhjen e tyre, nga opinionet dhe analizat është kuptuar rivaliteti në trinomin SHBA-Rusi-BE, ku pa dyshim janë evidencuar edhe një sërë faktorësh që çuan në një situatë krize, veçanërisht në territoret me popullsi shqiptare.

Destabilizimi i Ballkanit Perëndimor është një ndërveprim ruso-turk që po tenton nxitjen e konfliktit midis popullsisë shqiptare dhe Serbisë. Në forma të ndryshme, duke shfrytëzuar praninë e strukturave destabilizuese të dislokuara në territorin serb, ndërhyrjen më financa në nivelet më të larta qeverisëse, depërtimin në elementët strategjikë me efekte ekonomike dhe të sigurisë, e bëjnë ndërhyrjen dhe praninë ruse ekzistente dhe të rrezikshme.

Në të njëjtin plan vepron edhe Turqia, e cila nëpërmjet depërtimit të islamit politik, veçanërisht në trojet shqiptare, duke vënë në funksion struktura të financuara në fushën e besimit islam, të arsimimit, të literaturës, ngritjes së shkollave, investimeve direkte dhe indirekte, nxitjen e korruptimit të niveleve të larta të politikës, nxitjen e rikthimit në hapësirat e ish Perandorisë Osmane, dhënie të ndihmës ushtarake, shfrytëzimit të konjukturave politike të krizës rrotull Ballkanit Perëndimor, loja e dyfishtë në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë, e bëjnë ndërhyrjen turke të jetë e pranishme realisht, duke shtuar mbështetësit e saj në territoret shqiptare. Kjo mund të thuhet edhe për një kategori politikanësh shqiptarë që flirtojnë me Turqinë në dëm të interesave kombëtare.

Gjithashtu përplasja midis interesave gjermane – turke në Ballkan, sjell në vëmendje një gjeopolitikë komplekse dhe të rrezikshme për rajonin. Pavarësisht ndërhyrjeve të karakterit social – politik, ekonimik dhe religjioz, një skenar i ushtrimit të dhunës nëpërmjet përdorimit të forcave ushtarake mbetet pothuajse i pamundur, pasi në radhë të parë Rusia nuk ka interes, por dhe mundësitë për një ndërmarrje të tillë janë të kufizuara.

Perëndimi po e sheh ndryshe Ballkanin Perëndimor kohët e fundit. Fakti që kohën e fundit Mali i Zi pranohet në NATO dhe rritja e presionit dhe masave konkrete mbi strukturat politike në Maqedoni drejt kursit perëndimor, presioni i vazhdueshëm mbi Serbinë për orientimin e saj perëndimor, të gjitha këto krijojnë një panoramë politike komplekse në Ballkanin Perëndimor.

Samiti i Triestes hapi rrugën për investime në rajonin më të varfër të Europës, i kushtëzuar ky nga suksesi i reformave në shtete aspirante për anëtarësimin në BE. Pas këtij Samiti, kush frigohet apo aludon për një “ish Jugosllavi të re”, me sa duket i ka mbetur ora në vitin 1945. Deri këtu nuk kemi thënë ndonjë gjë të re, pasi këto opsione politike janë trajtuar deri në nivelet më të larta të politikave rajonale e kontinentale. Në këtë çështje, ajo që ka rëndësi të trajtohet, është qëndrimi amerikan ndaj synimeve të tij gjeostrategjike në Ballkan. Këtu kemi parasysh faktin që, atë që dëshirojnë SHBA-të për ta realizuar, e realizojnë, sepse duan ta realizojnë. Në këtë çështje të shikojmë disa probleme më konkrete dhe më afër realitetit. Jo më larg se disa ditë, rreth 300 ushtarë amerikanë të shoqëruar me mbi 20 mjete të blinduara moderrne, janë futur në Maqedoni nga kufiri bullgar dhe do të qëndrojnë një muaj rresht për të ekspozuar forcën e tyre në stërvitje të përbashkëta më forcat e Armatës së Maqedonisë. Ato do të zhvillojnë parada në qytete kryesore dhe do të përfshihen në krijimin e një situate miqësore të opinionit qytetar në Maqedoni më afër forcave të NATO-s.

Ky veprim, veç të tjerash, rezulton të jetë një garanci kundër strukturave shtetërore maqedone, të cilat ende janë të fuqishme si pasojë e pushtetit autoritarist të VMRO-DPMNE, që tani është parti në opozitë. Kjo mbështetje si një garanci e pranuar nga institucionet maqedone, do t’i jap mundësinë qeverisë së re në Shkup, që të marrë realisht pushtetin shtetëror në të gjithë nivelet, përballë rezistencës së strukturave të vjetra. Qeverisë së re i duhet të ushtrojë autoritetin e saj institucional realisht, në të gjithë nivelet, përfshi strukturat e Sigurisë, në ushtri, polici, gardën kombëtare. Marrja nën kontroll sa më parë e pushtetit dhe futja në kohë të shkurtër në rrugën e reformimit tërësor të shtetit të Maqedonisë, e ka të nevojshme mbështetjen politike ndërkombëtare në të gjithë planet. Kushtet kryesore që lidhen me ndryshimin e emrit, ndryshimet kushtetuese, refomën zgjedhore, respektimin e statusit të popullsive që jetojnë brenda Maqedonisë, shkrirja me këtë rast e partive nacionaliste duke u orientuar drejt partive qytetare, krjimi i mundësisë së zgjedhjeve për dhomën e nacionaliteteve dhe parlamentin etj, ndoshta do të krijojnë mundësinë e pranimit të shtetit maqedon me procedura të përshpejtuara në NATO.

Gjithësesi, kjo nuk është gjithçka. Është në dorën e partive politike maqedonase dhe shqiptare që qeverisin Maqedoninë, të cilat duhet të kenë vullnetin politik për t’i hapur rrugën shtetit dhe shoqërisë drejt NATO-s dhe BE-së. Me sa kuptohet, për të arritur një ekuilibër të marrëdhënieve dhe të forcës brenda Gadishullit Ballkanik dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, pa tjetër që duhet edhe një fillim. Ka kaluar më shumë se një shekull nga vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913, ku veçanërisht trojet shqiptare pësuan masakrimin më të paprecedentë në hisorinë e Europës. Këta kufij u diktuan edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke u bërë shkak që Ballkani në tërësi të mbetet një fuçi baruti. Edhe pse duhet një fillim i ri në rregullimin e kufijve absurd politik, fakti që shtetet e Ballkanit vazhdojnë të armatosen, duke prishur ekuilibrin e forcës, vazhdojnë të kërcënojnë njeri-tjetrin edhe pse strukturat e sigurisë kolektive janë të pranishme, kërkon vëmendje politike maksimale. Serbia vazhdon të blejë armatim nga Rusia, Maqedonia e rrit buxhetin ushtarak edhe pse është në prag të falimentit ekonomik shtetëror. Greqia afron forcat ushtarake në kufijtë e Shqipërisë, jo pse mund të rrezikohet nga vendi ynë, por i druhen një konflikt ushtarak Shqipëri – Serbi [Kosovë], një konflikt midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë, apo Serbisë dhe Kroacisë. Serbia vazhdon të kërcënojë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe rreziku i një pënetrimi ushtarak përflitet çdo herë. Sigurisht, vendimarrja për ndryshim të kufijve të falimentuar politik në Ballkanin Perëndimor u takon fuqive vendimarrëse ndërkombëtare.

Ndoshta situata ka shkuar aq larg, sa dhe fuqitë e mëdha e dëshirojnë një shkak për të shkuar në marrjen e vendimeve të tilla. Kjo diktohet nga situata jo e stabilizuar në Maqedoni, perspektiva e zgjidhjes së çështjes së saj mund të përbëjë pikën më të nxehtë të një kionflikti të ri. Po kështu, kriza e heshtur në Bosnje dhe Hercegovinë, ku de fakto ky shtet – federatë rezulton i ndarë në tri pjesë, si dhe bllokimi i statusit të Kosovës, janë vatra të mjaftueshme për një konflikt të mundshëm. Kjo është një situatë e vështirë që kërkon zgjidhjen, me synimin perspektiv për ta qetësuar përfundimisht rajonin.

Për shkak të ndërhyrjes ruse dhe bazimit të saj kryesisht në territorin e Serbisë, qoftë në qendrën gjoja humanitare në Nish, apo në bazën ushtarake të Cetinjës, ndikimi i fortë ekonomik dhe financiar në shtete e tjera, kundërshtimi i saj për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës në NATO, janë një arësye e fortë për përjashtimin e rrugës paqësore të stabilizimit të kufijve të rajonit.

Në këto kushte, për shumë arësye që shtrojmë, nga nevoja e një “preteksti” nxitës, mendoj se një situatë e tillë e rëndë është shumë afër. Po aq sa duket që këtë situatë e kundërshtojnë të gjithë, po aq konstatohet se zgjidhjen e kërkojnë të gjithë. Janë të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor që bartin brenda tyre krizën etnike dhe territoriale. Askush nuk mund të pretendojë të fshihet pas gishtit, po aq sa dëshirojnë të mbulojnë diellin me shoshë. Fillimi dhe përfundimi i saj mund të synojë normalizimin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet rolit të Shqipërisë, Serbisë, Kroacisë dhe Greqisë. Kjo e fundit, si një “federatë në hije”, shpëtimin e saj do ta ketë vetëm nga heqja e pjesëve të tepërta territoriale, të cilat po e fundosin Greqinë në një perspektivë të errët. Në këtë ndërmarrje, qoftë paqësore apo konfliktuale të pjesëshme, ka të ngjarë që Serbia nëse do të luajë me dy porta, mund të detyrohet të ngushtohet në territoret e saj historike, pa Vojvodinën dhe Republikën Serbska.

Në këtë analizë me opsione parashikuese, ajo që na intereson është vendi dhe roli i shtetit shqiptar, duke pasur parasysh tri qendrat më të mëdha politike – administrative, Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin. Është e padiskutueshme që lidershipi shqiptar nuk do të mund të veprojë në asnjë rast pa miratimin e SHBA-ve. Njoftimet që jepen hera herës edhe në shtypin amerikan e kanë një objektiv. Ato nuk janë të rastësishme dhe ndonjëherë për shumë arësye që trajtojmë në këtë analizë, duhet marrë ana e kundërt e tyre. Në këtë kontekst, ajo që ka rëndësi për ne është fakti që, politika shqiptare duhet të jetë e përgatirur për situata të tilla, jo vetëm në brendinë e saj, por edhe në opinionin e gjerë shqiptar. Një hapje e institucionalizuar Shqipëri – Kosovë, në unifikimin e një integrimi gjithëshqiptar në të gjithë fushat, shtrirja e këtij objektivi edhe në bashkërendimin e veprimeve dypalëshe me qeverinë e Shkupit, [mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Pogradec], do të mundësojnë vlerësimin realisht të potencialeve dhe energjive kombëtare. Në një situatë të tillë, ajo që duhet besuar dhe që nuk duhet besuar, është fakti që, Rusia nuk ka interes dhe fuqi për një konfrontim ushtarak në Ballkanin Perëndimor, ashtu sikundër edhe Turqia, të cilat janë me shkëputje territoriale nga ky rajon, por mund të veprojnë me “dorën e tyre të zgjatur”.

Acarimi i marrëdhënieve dhe shpalosja e krizës me protagonistë serbët, shqiptarët dhe kroatët, mund të mundësojë që kufijtë politikë të e falimetuar të pas Luftës së Dytë Botërore, të vihen në diskutim në nivelin më të lartë ndërkombëtar dhe të ndryshojnë pa një përplasje ushtarake midis shteteve të Ballklanit Perëndimor. Paqja në Ballkanin Perëndimor ndihet e kërcënuar rëndë. Retorikat politike dhe patriotike në këtë situatë, mendoj se kanë dalë jashtë loje. Se çfarë ka ndërmend të bëjë politika shqiptare në këtë situatë, kjo do t’i mbetet kohës.

Klasa politike shqiptare, veçanërisht në Shqipëri dhe në Kosovë, në një situatë të tillë e ka të nevojshme të vetëpastrohet nga korrupsioni i thellë politik, moral dhe financiar dhe të hedh vështrimin nga strukturat e përbashkëta të sigurisë kombëtare. Kjo nuk i duhet asaj, pasi dihet se çfarë natyre ka, por kjo i duhet Kombit dhe shqiptarëve. Të mendojnë shumë seriozisht për mbrojtjen kombëtare, duke u mbeshtetur në rritjen e frymë së atdhdashurisë tek populli dhe marrjen e masave urgjente për të forcuar strukturat e Sigurisë Kombëtare. Ajo duhet t’i drejtohet në të gjithë format e nxitjes së atdhedashurisë në radhë të parë brenda vetes dhe në popull, për të rikthyer besimin e popullit ndaj vlerave të Shtetit dhe të Kombit.

Ndoshta duhet të jetë më shumë vigjilente ndaj zhvillimeve të situatës rajonale në të ardhmen. Le të jemi të gjithë syçelët, atdhetarë, intelektualë patriotë, institucionet politike, shkencore dhe ato të sigurisë, rinia dhe të gjithë forcat e interesuara për një zgjidhje paqësore në interes të Kombit Shqiptar.

Tiranë, 30.07.2017