Ndotja nga plehrat në Kuçovë në vëmendje të organizatës mjedisore “EDEN”

Problemi i mbetjeve urbane ka qenë sfida më e madhe për drejtuesit e bashkive në Qarkun e Beratit. Të pesta njësitë vendore kanë probleme të mëdha me ndotjen që vjen si pasojë e mos menaxhimit ndër vite të venddepozitimeve, të cilët ndonëse ndodhen në zonat e banuara, janë krejtësisht jashtë parametrave normal dhe prej vitesh janë ndotësit kryesorë në mjedis.

Një i tillë është dhe venddepozitimit të mbetjeve urbane në bashkinë e Kuçovës, nga dy të tillë që ka kjo bashki. Sipërfaqia më e madhe e depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit dhe fshatrave rreth tij, ndodhet në zonën e quajtur ish “Ferma Partizan” dhe zë një sip prej 28 000 m2.

Për vetë emrin që mban kjo zonë, dikur ka qenë fermë prodhuese me fruti-kulturë, ndërsa pas viteve 1990 tokat ju shpërndanë ish punonjsëve, ndërkohë që zona u popullua dhe nga banorë të ardhur nga zonat rurale. Në një sipërfaqe të konsiderueshme në këtë zonë prej vitesh mblidhen mbetjet e bashkisë së Kuçovës dhe fshatrave të saj, ndërkohë që situata sot është alarmante.

Venddepozitimi, në fakt vetëm emrin ka të tillë, pasi prej vitesh aty grumbullohen dhe digjen mbetjet e mijëra banorëve. Zona nuk është e rrethuar, ndodhet pranë bregut të lumit dhe gjithashtu shumë pranë banesave e tokave të rreth 400 banorëve.

Bashkia e Kuçovës, për zgjidhjen e këtij problemi të trashëguar ndër vite e shikon tek investimi i Qeverisë Zviceriane, që parashikohet në fakt të zgjidhë situatën në të pesta njësitë e qarkut. “Po punohet për një plan të ri të menaxhimit të integruar të mbetjeve në Bashki, në kuadrin e bashkëpunimit me projektin zviceran në qarkun Berat . Ndërkohë është përgatitur plani i rehabilitimit për venddepozitimin e mbetjeve urbane”- thotë Petrit Shyti, Bashkia Kuçovë.

Gjendjen e rënduar të venddepozitimit të mbetjeve e ndjejnë banorët që banojnë më në afërsi të vend-depozitimit, të cilët nuk kanë parë zgjidhje të gjendjes së tyre prej vitesh. Banorët e kanë ngritur dhe vazhdojnë ta ngrejnë shqetësimin që ndiejnë sa herë që sheshi i depozitimit përfshihet sidomos nga flakët, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe asnjë masë konkrete nuk është marrë për të përmirësuar standardet e funksionimit të venddepozitimit.” Qëndrimi është i pamundur për shkak të erës së keqe që përhapet në të gjithë zonën, është shumë e vështirë jetesa afër tymit dhe erës së keqe. Mbyllim dyer dhe dritaret në shtëpi ”-shprehen banorët në afërsi të venddepozitimit.

Banesat e banorëve janë rreth 100 metra larg dhe shqetësimet janë të përditshme. Këtu si në çdo vend-depozitim nuk mungojnë të papunët që mbledhin materialet e riciklueshme dhe që kanë gjetur mënyrën për të mbijetuar, në kushte aspak normale.

Qendra Mjedisore EDEN, në vijim të punës së saj ka ndjekur dhe çështje të tjera të ndotjes në fushën e mbetjeve, si vend-depozitimi i mbetjeve në Sheq, Fier. Banorët afër vend-depozitmit dhe qendra EDEN kanë paditur Bashkinë Fier në datë 30 korrik 2018 me objekt të padisë: mbyllja e vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq,Fier si një vend depozitim pa leje mjedisore, ndotës dhe i dëmshëm për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të qytetit të Fierit; si dhe rehabilitimi i plotë dhe i menjëhershëm i vend depozitimit

Qendra EDEN sapo ka nisur të zbatojë projektin “E drejta e informimit-Forca qytetare për të luftuar ndotjen mjedisore nga keqmenaxhimi i mbetjeve urbane”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë (SOROS), i cili do të zbatohet përgjatë një periudhe kohore nëntë muaj.

Qëllimi i këtij projekti është të ndikojë në përmirësimin e jetesës së banorëve përmes nxitjes së aktivizimit qytetar dhe përdorimit të bazës ligjore për uljen e ndotjes së shkaktuar nga veprimtaria e vend-grumbullimeve të mbetjeve brenda qyteteve”, tha Lira Harkani, nga Qendra EDEN, në lidhje me këtë projekt të ri.