MOS QOFSH USHTARI I FUNDIT I PETRALBËS, AQIF YMERI. Nga Namik Selmani

MOS QOFSH USHTARI I FUNDIT I PETRALBËS, AQIF YMERI
Nga Namik Selmani!
Është larg beteja e Petralbës, larg në vite, po shumë afër ai mal ku është ngritur Kalaja e Petralbës, që sjell pranë jehonën e viteve të stuhishme të Skënderbeut. Atje, në shtëpinë e Aqif Ymerit, e kisha një shtizë syri larg. E kisha vetëm një vrap larg. Ai, profesori i matematikës, më ngjante mes blerimit dhe begatisë së natyrës dhe të djersës, bash si një gjeneral i vonuar i viteve apo dhe ushtari më i mirë. Kur e pyesim se pse nuk vrapon poshtë luginës së Matit, diku në Klos, në Burrel, ku ka frymë mbretërore dhe ku e njohin gurët dhe fijat e barit, në Tiranë ku ka një djalë e një vajzë, apo dhe në Austri, ku ka një djalë, ai vrapon të na hedhë disa arsye. Si për çudi (Më fal, profesor që po quaj çudi atë që për ty është vetë e natyrshmja, e zakonshmja, jete!), ai ka një Motiv të madh, të thotë se pse qëndron këtu. Ose, më saktë, ka disa motive të jetojë këtu edhe në mes të dimrit ku i duhet që të merret me sobën me zjarrin dhe me bagëtitë që duan të ushqehen dhe të trajtohen si njerëzit, por jo si në kohën e Migjenit. Këtu ku dimri nuk është aq miqësor me njerëzit, po që ka një pranverë dehëse, një verë e një vjeshtë të begatë që kthehet në një sofër të madhe të stërmadhe M’u kujtua në këto vizita një ngjarje në Boston të SHBA.

Një amerikane kishte ngritur një fermë të vogël familjare, ku në të njëjtën shtëpi kishte një stallë për derra, për keca,  pula, madje me një teknikë të veçantë në disa drurë të zgjedhur rriste dhe kërpurdha për ushqim me kërkesa që shtoheshin dhe më shumë në restorantet më luksozë të zonës. I kishte lindur ideja që të hartone një projekt për t’u bërë një lloj muzeu në natyrë, ku fëmijët e shkollave të zonës të shkonin atje dhe të shihinin se si rriteshin pulat, këpurdhat, kecat, gicat… E për këtë bashkia përkatëse duhet që të jepte një fond për këtë “Shkollë” Për të gjithë miqtë e tij për të afërmit, tregon se kur vijnë fëmijët (Në Tiranë ka një djalë dhe dy vajza, ndërsa në Vjenë ka një djalë) jo rrallë shtrohet tryeza me rreth 40 vetë me gjithë të mirat që nga mjalti, bulmeti, frutat e njoma e të thata, mishi. Po, ai është mbreti i blerimit dhe begatisë. Aqif Ymeri është personazhi më i spikatur i këtyre brigjeve. Në letërsi ky quhet një karakter i spikatur. Një çast po kujtoja Robinson Kruzonë e Daniel Defosë. Nganjëherë edhe ai ka pak ngjajshmëri me Kruzonë. Se atje në fshatin Fshat ai është më i veçanti. Është në një ballkon natyral të Luginës. Fshati i sotëm është Fushati i Petralbës, kur për ‘të Barleti thotë se dikur këtu Skënderbeu kishte 8000 kalorës dhe 4000 këmbësorë, madje edhe përmend një fakt të bukur se në verë ai rrinte me familje në Petralbë dhe në dimër shkonte në Krujë. Aqif Ymeri ka një formim matematikor dhe fizikant. Por me librat, me studimet, me atë arkiv të jashtëzakonshëm të pasur që ka, radhitet në një nga personalitetet më të spikatur të Matit dhe të krejt Veriut të Shqipërisë, me atë punë të madhe botuese dhe promovuese për vlerat e historisë, të etnografisë që ka krahina e Kryematit.
Vitin e kaluar botova një libër me poezi “Gurra e Budit”, që kishte si tematikë jehonën vargërore të Pjetër Budit, poetit të parë të letërsisë shqipe, i cilimbushte 450 vjet nga lindja e tij. Dhe bekimi, dhe urimi që ai më bëri për librin ishte ndër më të veçantët. Mbaj mend se kur e promovova në shkollën e mesme në Klos, ai erdhi e më nderoi, edhe pse ishte pak i sëmurë. Para pak vitesh ai me një djalë shumë punëtor dhe artist, Artan Kurtin, kishin bërë një film të rrallë për Pjetër Budin. Pa e shkruar në ballinë mund të them me plot gojë se ai ishte një nga frymëzimet e parë të këij libri, ashtu si është dhe frymëzim për mjaft libra në të ardhmen, të paktën për Matin e njerëzit e tij. Dhe kur e promovoja atë në një ditë pak a shumë të ftohtë në shkollën e mesme të Klosit, ku dikur ai ka qenë drejtor, thashë me vete: “Mos qofsh ushtari i fundit i Betejës së Shkronjës për Klosin, për Kryematin, që e do kaq shumë miku im, Aqif Ymeri!” Një jetë të tërë ai ka qenë dhe mbetet edhe tani një luftëtar i denjë i kësaj beteje. Ka botuar 4 libra është bashkëutor i disa librave. Është autor i dhjetra shkrimeve në revistën “EMATHIA”, në gazetën “MATI” në faqet internetike dhe në mjaft gazeta të Tiranës. Shumë shkrime të tij bëhen referenca të padiskutueshme për mjaft studiues të vendit, të Kosovës etj. Ky front diturie në Mat ka disa të vërteta të mëdha para tij, që ai i njeh shumë mirë. Është vendi i Formulës së Pagëzimit, që e ka vendin “në këtë krahinë që pak më vonë do të bëhej e njohur në të gjithë trojet amtare për dingat e barutut. Edhe Aqif Ymeri në këtë front, që në Mat ka një llogore. Ja si shkruan për këtë vend Barleti në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” dhe që Aqifi e citon shpesh kur vijnë miq nga afër e nga larg: “Petro Alabam-Petralba, ngrihet rreth 30 mijë hapa larg Petrelës, 25 mijë hapa larg Krujës e Stelushit. Ky është një vend në Mat, i ndërtuar në një majë mali, i vogël, por që s’i trembet asnjë furie armike, përveç urisë. Veç kësaj, lumi i Matit duket se ia shton këtij vendi jo me bukurinë, se sa fuqinë mbrojtëse dhe dobinë”. Nëse do të kishte një garë të hapur të fshtatarëve për tokë-dashjen, për miqësine e tij për bimët drurët, kafshët, Aqif Ymeri. do ta merrte një kurorë. Jeton këtu në këtë vend, ku Rruga e Arbrit është fare pak larg, se kërkon që të mbajë hapur derën për fëmijët e tij, për fëmijët e fëmjëve. Jeton këtu për të mbajtur zgjuar kujtimin e gjyshërve të tij, që kanë jetuar me kaq sakrifica e ka kaq dashuri për këtë truall. Nuk ka rëndësi se çfarë emri i vëmë ne, por është një shqiptarizëm i kulluar. E gëzon shumë fakti që pak, fare pak familje janë larguar nga këto troje të begata, edhe pse jo të gjithë janë nikoqirë të tokës dhe të pemëve si ai. Jo të gjithë janë të përkushtuar ndaj punës dhe resurseve e vlerave që trashëgojnë. Për ditë mendon që të shtojë një gjë të re të dobishme, të bukur në Klos, në Mat. Ai ishte njëri nga stimuluesit për Bashkinë Klos, që çoi në hapjen e rrugës deri në majën e malit, ku ndodhet kalaja e Petralbës. Me sugjerimet e tij dhe të disa intelektualëve të tjerë, bashkia ka projektuar që rrëzë Petralbës të ngrejë muzeun historik dhe etnologjik, pranë Rrugës së Arbërit, e cila së shpejti do të bëhet realitet, në një hapësirë me plot ngjarje historike të lidhura me Kastriotët, dingat e para të barutit shqiptar, Budin e Madh etj. E pret me gjithë të mirat një strehë të ngrohtë në Landin e Foral-bergut në Austri, ku ka shkuar disa herë, madje ka bërë dhe një kurë për shëndetin e tij. Ka jetuar me magjinë e liqenit të Bregenzit ku bashkohen tre shtete, ai i Gjermanisë Zvicrës dhe Ausrisë, por Fshati Fshat që ka ende jehonën e betejave të Skënderbeut, butësia e livadheve të këtyre maleve është më shumë se një jetë. Dhe Aqif Ymeri di të jetojë kudo për vete, por më shumë për të tjerët. Për ‘të, për gruan Hanife, por dhe për nënën që e ka në një moshë të thyer dhe që kujdeset që asaj të mos i mungojë asgjë. Sa herë që niset për rrugë, ai e takon me dashuri nënën dhe flet për shumë gjëra që lidhen me traditën e fshatit. Kam shkuar disa herë në shtëpinë e tij, në stinë të ndryshme dhe jam befasuar nga mikpritja e tij, nga emocioni njerëzior që të jep ai. Nuk është shumë emocional, po shpirti i tij i madh ku buron kaq shumë mirësi, lexohet lehtë. Veç këtë radhë u deha vërtet me blerimin e livadheve. Është e vërtetë se në muajin prill mungon begatia e drurëve të kopshtit të tij, gati perandorak për nga bukuria e nga begatia e tij, por kur ecja mbi lulet e livadhit, më dukej se po kritikoja veten se po shkelja këtë bukuri të virgjër që kishte bërë natyra. Joooo, edhe Aqifi e kishte bërë këtë bukuri, se në të tri parcelat e tij ai hidhte shumë herë pleh. Në shtëpinë e tij më mirë se në qytetet më të mira me kushte jete nuk mungon uji dhe dritat. Dhe këtë gjë ai e ka bërë me duart e tij. Ka një sistem të përsorur të vaditjes të ujit të pijshëshm. E marrin ujin që prej larg e në tokën e tij, në shtëpinë e tij, asnjëherë nuk mungon uji i rrjedhshëm. Nuk më takon që të bëj krahasime me të tjerë bashkëvendas të tij, po Aqifi është vërtet i rrallë. Mjafton që të bëjmë dhe disa çapitje të vogla në bahçe. Nuk ka rival në dytë në këtë luginë, ku një hap i ndan malin, grykën, Urën e Vashës. Ecim në livadh. Në këmbë na vjen macja pullalie që do ushqim, mjaullin dhe zemrohet sa herë që nuk e bën detyrën ndaj saj. Diku më tej në një vend të mbyllur, është qeni Pac, që është fort i bukur dhe është 4 vjeç. Në një vend tjetër është qeni Gjeneral, që e ka emrin OKI. -Qeni nuk shartohet, miku im. E kam blerë 300 euro këtë qen në Tiranë. Madje nuk kam bërë dhe pazar për ‘të. Nuk është njeri ai që sharton qenin. Kiko ushqehet mirë. Nuk lë as mizën që të kalojë. Natën lihet i lirë brenda hapësirës së rrethimit të shtëpisë dhe bahçes. Nuk miqësohet fare me asnjë njeri që i vjen në shtëpi. Kur nisim bisedën për kyçet që në një botë të hapur po shtohen, thotë se ato duhen së pari për qentë se mund të dalin jasht gardhit ku ka pasoja. Në oborr na tregon furrën e bukës, që më kujton furrat e nënave çame. Diku më tej gati është i pafikur oxhaku, ku zihet rakia. Drutë janë gati për ngrohje, të prera për merak me sharrë. Midis parcelave shohim zgjojet e bletëve, si për një traditë të pashkruar. Nuk e pyesim për numrin e zgjojeve, por janë shumë, shumë, madje ai dhe mund t’i shumëfishojë, se ka boll lule, livadhe, ka shumë pyje për ‘to. Por thotë se bleta është shumë delikate, do shumë shërbim. Dhe na befason kur thotë se të gjithë mjaltin që nxjerr (dhe nuk nxjerr pak) ai ua jep fëmijëve, miqve dhe atyre që janë në nevojë, por nuk u merr para! -Atë mjaltë që ua jap atyre në nevojë nuk u marr para asnjëherë,- na thotë ai. Në buzë të parcelës sheh disa bidona plastikë me një përzjerjeje squfuri që në të gjithë stinët e vitit largojnë gjarpërinjtë, që nuk janë të paktë. Madje më thotë se kur të vijnë fëmijët, u kujton që të sjellin dhe disa të tjerë bidona bosh, që të plotësojnë edhe ndonjë pemë që nuk e ka. Është gjuetar me të gjithë dokumentat e shtetit. Është në atë vend, ku falë njohjes që ka dhe pozicionit, mund të gjuajë në çdo stinë të vitit edhe pa u parë. Por ai është gardian i vetvetes për të respektuar jo vetëm ligin në fuqi, por edhe për ta ruajtur atë pyll të bukur që është dhe pjesa e jetës së tij, e gjyshërve të tij. Kur vdiq babai, i la atij 80 kokë dele, 4 lopë dhe një mushkë. A mund të kuptohen livadhet e këtyre maleve përrallore pa delet, pa zërin e bagëtive? Ishte mësues dhe nuk kishte dot mundësi. Dhe e dini se ç’bëri? Gjeti një barì që e pagoi me një pagë shumë të mire, vetëm se donte delet që i kishte lënë babai. Dihet se bagëtia do njeri, madje njeri të sakrificës për t’i mbajtur ato. Nuk e gjeti dot, ose më saktë ai që fjeti nuk e bëri mirë detyrën dhe me dhimbje i shiti bagëtitë, duke i kërkuar falje babait të tij, që nuk jetont për këtë “mëkat“ që po bënte. Mbase portretin e tij do ta bënte dhe miku ynë i përbashkët, Hamdi Hysuka, që sapo ka krijuar në Mat dhe Klubin Letrar “Pjetër Budi”. Aqif Ymeri është mësuesi i mirë që ka lindur i tillë. “Mësues ideal” thonë për të kudo. Pjesë e ideales është sjellja e tij, pa të bërtitura. Është shembull dhe pikë referimi për idetë dhe veprimet e nxënësve. Më- sues dhe prind ideal, me ndershmeri dhe dinjitet. Është edhe pak “xhandar”, sidomos kur vlerëson njerëzoren. Nuk i kanë lindur shqetësime disiplinore kudo ku ka qenë. Model para nxënësit. Një mësues me nivel shkencor e kulturor, figurë morale të lartë, me aftësi didaktike, psikologjike e pedagogjike. Ka dashur nxënësin, shkollën dhe punon shumë për mbarëvajtjen e tyre. Nuk ka njohur dështim në shkollë, as jashtë saj. Dinte të jepte mësim, respektonte personalitetin e nxënësit. Moto e tij ka qenë ajo e Pestalocit, që ka thënë për veten si mësues: “Dora ime ishte në dorën e tyre, syri im shihte syrin e tyre… Ata ishin tek unë e unë tek ata”. Më tregonte se disa kohë ishte drejtor i një shkolle të mesme private. Administratorit ia kishte thënë që në fillim, që të tregoheshin të drejtë me të gjithë nxënësit që nuk e bënin si duhet detyrën. Dhe në këtë mënyrë numri i nxënësve u rrit. Kur iku nga ajo shkollë, për arsye shëndetësore, numri i nxënësve ra ndjeshëm, se në emër të parasë, u zbut kërkesa e mësuesve dhe e drejtorisë. I drejtë, njerëzor, kompetent. Vendos theksin te përmbajtja intelektuale e lëndëve mësimore, vlerëson nxënësit paanësisht. Shpjegonte mirë, përditësonte dijet. Pozitiv dhe tolerant. Nuk bërtiste. Nuk harronte të ishte dhe nxënës. Ka botuar veprat “Breza në sherbim të dijes dhe vendlindjes” studim, “Vatër e hershme qytetërimi” monografi, “Klosi, vështrim gjeohistorik” (bashkëautor) “Gjurmë të mësimit dhe shkollës shqipe në Klos”. E ka kënaqësi që të tregojë dhe rrugën që ka kaluar këto vite me Njerëz të mirë Namik Selmani 86 botime të ndryshme: -Unë përveç librave që kam botuar, në organe lokale e qëndrore kam publikuar disa studime me karakter pedagogjik dhe mbi “origjinën e Kastriotëve”, mbi Petralbën, Rrugën e Arbërit, Pazarin e Urës, Klosin si vatër e parë e barutit shqiptar, Kryematin, portrete të fshatrave të Kryematit, portrete të figurave të Kryematit, Urën e Vashës, Urat në Pazarin e Urës, Qytezën e Petralbës, Klosin si vend i qytezave dhe qytetërimeve të hershme, si dhe mjaft shkrime të tjera me karakter publiçistik mbi aktualitetin. Gjatë dhjetë viteve të funksionimit të saj, kam qenë pjesë e stafit të revistës “Emathia” dhe bashkëpunëtor me disa organe lokale e qëndrore. Ai e ndjek politikën dhe vetëm tek ai kostumi i politikanit rri më mirë se tek askush tjetër. Në Shqipëri politikanët shpesh tjetërsohen nga ambicja për pushtet. E si Aqifi ka pak. Ja si thotë ai për këtë moral të shqërisë që po jetojmë: -Numri i shokëve realë është më i vogël se numri i gishtave të njërës dorë. Shokë nuk ka, ose mund të jenë shumë pak, 1 ose e shumta 2. Kush mendon se ka shokë shumë, në të vërtetë nuk ka. Ai drejtoi një protestë të organizuar për 4 hidrocentrale që pengonin jetën, turizmin në këtë krahinë të rrallë për nga vlerat. Ka pak të afërm që të duan, por shokë një pakicë edhe më e vogël. Për më tepër sinqeriteti dhe çiltërsia, tani në pak njerëz ekziston. Njeriun e sinqertë e të ndershëm sot nuk e duan, sepse prej tij nuk përfitojnë me pa të drejtë e në kurriz të të tjerëve. Por të jesh njeri, “o të jesh i ndershëm e i sinqertë, ose më mirë të mos ekzistosh”. Ka “shoqëri njerëzish” dhe “shoqëri individësh pa vetëdije”. Qëniet pa arsye kanë mbuluar vendin. Vlen vetëm marrëdhënia prindfëmijë. Vetëm rregulli e sinqeriteti brenda familjes. Qëniet janë shitur e shndërruar në vegla qorre interesash, njerëz nuk ka. Në tërë ato aksione sociale, që ai ka drejtuar, do të veçonim mbrojtjen që ai bëri për pasuritë ujore të zonës së Klosit. Për këtë po citojnë një shkrim të atyre kohëve. Më 16.12.2016 në Bashkinë Klos qe planifikuar të organizohej dëgjesa publike mbi projektet e ndërtimit të HEC-eve mbi Lezedër dhe lumin Mat. Irritimi i banorëve nisi që me marrjen e njoftimit në facebook. Në njoftim, nisur nga leximi i projektit, nuk përmendej fare fjala Lezedër, por “Përroi i Shkallës”. Natyrisht, nga që hartuesit e projektit nuk kanë aspak njohuri mbi objektet, resurset dhe problemet më jetësore të kësaj treve, bashkia duke përdorur emërtimet sipas hartuesve, dëshmon se që këtu nis papërgjegjshmëria totale e hartuesve të këtij projekti në raport me nevojat jetësore dhe ndjeshmërinë e komunitetit. Në Klos gjithkush e ka të qartë se emërtimi Lezedër, i përdorur këtu e afro 600 vjet më parë, nis që me ngritjen e dingave të para të barutit në trojet shqiptare, pikërisht mbi Lezedër, me mbështetjen e familjes së Kastriotëve, e cila në Petralbë, mbi Lezedër, kishte rezidencën e saj. Pra, nuk mund të thuhet kurrë “Përroi i Shkallës”, por “Lezedër”. Është pikërisht ajo Lezedër, që me mijëra vjet mban gjallë fshatin Fshat (Fushatin e Petralbës), mbasi me ujin vaditës të saj funksionojnë tokat pjellore të këtij fshati dhe është po kjo Lezedër që mban gjallë burimet e ujit të pijshëm, nga të cilët çdo familje e këtij fshati, duke investuar privatisht me miliona lekë blerje tubash e hapje kanali, merr ujë të pijshëm. I gjithë fshati Fshat, përveç lagjes Zhukaj, merr ujë të pijshëm nga ato burime. Pra, uji vaditës dhe uji i pishëm i këtij fshati, është i lidhur tërësisht me Lezedrën. Përveç në lagjen Zhu-kaj, në këtë fshat asnjë qeveri nuk ka bërë asnjë investim për ujin e pijshëm. Si e mendon të ardhmen e zonës? Dëgjon se në disa shkoll 9-vjeçare mungojnë mësuesit e matematikës. A nuk do të ishte më mirë që të bëheshin më të mira rrugët dhe me transportin e garantuar të grupoheshin në një qendër si Klosi, ku të kishte më shumë mësues cilësorë të secilës lëndë, më shumë kushte. Kjo do të ishte kursim dhe kulturë. Mezi e pret Rrugën e Arbërit, ku për një orë fshatarët e zonës do të shkojnë në Tiranë për të shitur qumështin. O, sa ëndrra të bukura që ka ai! Para se ta botoja në këtë libër e hodha për miqtë e fb. Dhe më erdhi fort mirë se testi i shkrimit doli mbarë. Ndoshta nuk i kisha thënë të gjitha. Ja si shkrujanë disa miq të tij dhe të mitë për Aqifin pas leximit të shkrimit: Azis Keta: Një shkrim interesant, ku shkrihet ana historike me këndvështrimin letraro-artistik. Lidhen natyrshëm me një personazh konkret të ditëve tona. Përgëzime dhe për insitucionin e Bashkisë Klos, që po i paraprin turizmit të nesërm. Nëse do kishim vetëm 27 km të Rrugës së Arbërit. Tjetra ishte dhe është ekzituese edhe se e parikonstruktuar. Profesor Muharrem Dezhgiu: Qofsh i nderuar gjithmonë z. Namik Selmani, që i keni ngritur një përmendore madhështore njeriut me virtutet më të mira të shqiptarizmit. Aqif Ymeri është model i njeriut që i do njerëzit dhe natyrën, të lidhur pazgjidhshmërisht. Ndaj ai është kaq i përkushtur ndaj njerëzve dhe natyrës, si e përshkruani ju, i nderuar Namik. Bashkohem me ju për urimin që bëni për Aqif Ymerin . Aqif Ymeri: Faleminderit, miku im Namik. Ndjehem shumë i respektuar nga miqtë dhe shokët, jo vetëm për vlerësimin e veprimtarisë sime në këtë trevë, por, mbi të gjitha, për promovimin dhe publikimin e vlerave të mëdha të trashëgimisë së vyer etnokulturore e historike të kësaj vatre të hershme qytetërimi. Jam i bindur se bashkërisht, jo vetëm do të dimë të respektojmë miqtë, por njëherësh do të shtojmë përpjekjet në funksion të promovimit të vlerave të mëdha të trashëgimisë sonë të vyer. Ju, profesor Namiku, me shkrimet tuaja të bukura për Klosin, për Gurin e Bardhë veçanërisht për gurrën budiane, jeni bërë një mik i vyer i kësaj treve. Ju faleminderit! Demir Rusi, poet: Më vjen mirë që shkruani për këtë figurë karizmatike, si është z. Aqif Ymeri. E njoh nga afër familjarisht për faktin se kam punuar aty, por edhe kam banuar katër vite në fshatin Fshat. Me familjen e Aqifit, babain (tani i ndier) Liman, kemi shkuar shumë mirë, sepse ishte familje me taban dhe shumë bujare. Një familje vërtet me norma e rregulla të mrekullueshme të moralit, por edhe të traditës, model në zonë. Urime juve, miku im Namik për shkrimin e spikatur, por edhe Aqif Ymerit si mik i kahershëm yni! Si një mirësi e re edhe ai jep këtë falenderim. Ndjehem shumë i respektuar nga miqtë dhe shokët, jo vetëm për vlerësimin e veprimtarisë sime në këtë treve, por, mbi të gjitha, për promovimin dhe publikimin e vlerave të mëdha të trashëgimisë së vyer etnokulturore e historike të kësaj vatre të hershme qytetërimi. Jam i bindur se bashkërisht, jo vetëm do të dimë të respektojmë miqtë, por njëherësh do të shtojmë përpjekjet në funksion të promovimit të vlerave të mëdha të trashëgimisë sonë të vyer. Ju, profesor Namiku, me shkrimet tuaja të bukura për Klosin, për Gurin e Bardhë, veçanërisht për gurrën budiane, jeni bërë një mik i vyer i kësaj treve. Ju faleminderit.
Nuk e di se si bëhen orët e edukatës qytetare në Klos, në Burrel ose në Tiranë, por, kur e shihja e dëgjoja apo dhe kur shfletoja një nga një me qindra libra të një bibiloteke, që nuk e gjen as në zemër të Tiranës, më lindi një ide e bukur. A nuk mund të vijë këtu një klasë e shkollës së mesme, sidomos të kryeqytetit në orët e vendlindjes me disa kushte paraparke. Të heqin nga duart celularët e të rrisnin vemendjen se çfarë do të shohin. Të prekin me dorë, me këmbë, me sy, me zemër tërë këtë punë dhe këtë dashuri që kaai për token, për fshatin, për krahinën, por edhe për Shqipërinë,
Njerëz të mirë Namik Selmani 90 më shumë se vargjet e poetëve që mësojnë në klasë. Të shohin nga afër Aqif Ymerin dhe t’i bëjnë atij një mijë pyetje të vështira e të thjeshta për jetën. Pa menduar se në një pyetje ai edhe mund të ngecë. E kur të ikin, të bëjnë një konkurs, se cili do ta jepte më bukur emocionin e kësaj vizite në një poezi, në një tregim, në një ese. Jo nga ato fjalë që parfumosen me fjali të shtirura, të varfëra apo dhe nga ato qaramane, me të cilën është mbushur realiteti shqiptar, por shumë më natyrshëm. Të disa eseve që flasin për lypsa, të droguar, për papunësi, për politikanë që nuk drejtojnë mirë etj. Dhe me mësues që nxitojnë të vënë 10 me yll pa e kuptuar se këtu ata do të marrin leksionin më të mirë të atdheut. E pas tërë këtyre radhëve modeste, para fjalës së pathënë për Aqif Ymerin, sërish doja që të uroja me jo pak dhimbje brenda sinorëve të fjalës, brenda klithmës për të patur sa më shumë mirësi në jetën e kombit tonë: “Mos qofsh guri i fundit në kalanë e men- çurisë dhe të Mirësisë Aqif Ymeri”!