Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së, Mesila Doda i ka kthyer përgjigje Vangjel Dules, në lidhje me tezat e këtij të fundit se Çështja Çame nuk ekziston, kthimi i qytetarëve shqiptarë që e kanë vendlindjen në Çamëri është thjesht procedurë teknike apo që nuk ka Ligj Lufte mes dy vendeve.

Me fakte, argumente, foto, ligjvënësja e PDIU-së ka akuzuar Vangjel Dulen se është shovinist, i lidhur me organizatat terroriste të Vorio Epirit.

Më poshtë fjala e plotë e sekretares së përgjithshme të PDIU-së, Mesila Doda, mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Para se të nisim punën në Kuvendin e Shqipërisë, ne parlamentarët betohemi se do të mbrojmë Kushtetutën e Shqipërisë dhe pavarësinë e vendit. Qysh në Preambulën e Kushtetutës sonë ne, shqiptarët marrim përsipër të punojmë për bashkimin kombëtar dhe po jua them me një fjalë të vetme t’i dalim për zot shqiptarisë.

Zonja dhe zotërinj,

Këtu mes nesh, është një ligjvënës që shkel me të dyja këmbët Kushtetutën dhe punon për shbërjen e pavarësisë së atdheut tonë. Kemi një njeri mes nesh, i cili shfaqet pa teklif me flamujt e organizatave ekstremiste, terroriste, shoviniste të Vorio Epirit. Fotot që kam këtu flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për shpjegime të mëtejshme.