Mbresa nga një ngjarje e jetuar në Amerikë. Nga Namik Selmani

Mbresa nga një ngjarje e jetuar në Amerikë
Nga Namik Selmani

E kisha përherë të parë që e takoja Isuf Restilicën. Kishte ardhur bashkë me babain në takimin e kërkuar nga ai dhe, pas pak minutash mbërritëm në lokalin aq të njohur të Kuincit, pranë Bostonit që quhej ALBA.
Ishte një mirënjohjeje që ai ma kishte shprehur së largu dhe ja tash donte të ma jepte sy më sy, edhe pse kishte vitlindjen e djalit tim. Kuinci ka në jetëshkrimin e tij 2 presidentë amerikanë. ALBA është një lokal që njihet shumë edhe nga amerikanët e pasur të zonës që jo vetëm në fundjavë, por edhe në ditët e tjera, kanë shumë dëshirë që të vijnë në të. Nuk bëhet fjala për shërbimin që është kaq i kulturuar që kur hyn në të deri sa del, madje edhe për të gjetur parkim ngarkohen njerëz të personelit të lokalit. Një shqiptar i mirë nga Shkodra ka nisur traditën e bukur në këtë zonë që mund të garojnë edhe me lokalin gati legjendar të Antoni Athanasit.
….Isuf Restelica ishte vetëm 17 vjeç . Një lloj me moshën e djalit tim që aso kohe ishte nxënës në një shkollë të Beratit.
Është e vërtetë se ishte i ri, si thotë populli “I riu si veriu”, por udhëtime të tilla nuk harrohen lehtë. Të bëjnë më të burrëruar se mosha që ke në supe. Kërkon që t’ia thuash fëmijëve (edhe ai ka një vajzë të vogël që me shaka të gjithë i thonë “loçka”), kërkon t’ua thuash miqve, pse jo dhe atyre që një ditë të përcollën mes dhimbjes së shtëpive të djegura dhe të pamjes tragjike të të vrarëve . Ose dhe atyre që të pritën më krahë hapur. Vërtet ishte 17 vjeç , por dhe tani pas gati 18 viteve e kujton si të ishte pesonazh i asaj dite të paharruar. Thuhet se ngjarje të tilla janë si një goditje e madhe që shumë vite të vjen në mendje.
Avioni i linjës Athinë-Njy Jork ishte mbushur plot e përplot dhe ishte posaçërisht për refugjatët kosovarë që do të vinin në Amerikë.. Asnjëherë nuk kishte patur më parë një avion që të transportonte në oqeane kaq shumë dhimmbje dhe kaq shumë shpresë. Kishte në të fëmijë të vegjël gra, të moshuar që e kishin dhe të vështirë që të thithnin llullat me duhan të fortë, djem të rinj, njerëz në nevojë të goditur psikiqisht nga humbja e të afërmëve. Ishte një udhëtim që nuk mund ta zbutnin shpirtërisht as psikologët më të mëdhenj, më të aftë të botës që mund të të vënë para teje sa e sa teori të shumta. Mes tyre kishte dhe gra shtatzëna, mbase dhe gra të dhunuara që e fshihnin brenda vetes lotin e hidhur të pamundësisë për tu përballur me atë fat që u trokiti atyre në derë të afërmëve të tyre, mbarë Kosovës. Ishte një korrik i përvëluar, por që në avion nuk ndjehej qoftë nga lartësia qoftë dhe nga ftohësi që ka avioni në linja të tilla. Një korrik që sapo kishte hedhur hapat e tij të parë. Data 9 korrik 1999. Sikur të gjitha nëntat ishin mbledhur në atë datë.
Avioni i madh me qindra kosovarë sikur ishte bërë më i rëndë tek mbante me vete dhe qindra ngjarje të dhimbshme që ata kishin lënë pas. Po ishte rënduar edhe nga ëndrrat e shumta që ata të gjithë thurnin mes atyre lotëve të fshehur brenda gjoksit apo dhe iu kishn ngrirë në qerpikët pa mundur që të zbrisnin në prehërin e pluhurosur nga rruga. Edhe Isuf Restelica që vinte nga Fushë Kosova, e shihte këtë pamje të dhimshme. Ishte dëshmitari më i saktë. Një udhëtim i gjatë i gjatë, shumë i gjatë, nga më të gjatët që ai mban mend në këta 18 vjet në ecejaket që ka bërë dhe bën për në Kosovën e tij të dashur.
Disa ditë më vonë do të vendosej në Nju Hemsher. Më tregon se i duhej që të bënte për gati 11 vjet rrugën prej qindra kilometrash me makinën për të punuar në Boston. Edhe kjo një sakrificë më vete, por atë rrugë nuk e harron kurrë.
Dhe mes tërë atij udhëtimi nuk mund të ndaloje atë zhurmë që duhet të jetë rregulli i parë i çdo udhëtimi ajror
Në atë udhëtim që ishte me shumë se 12 orë ndodhi e jashtëzakonshmja në dy cepa të avionit lindën dy nëna Kosove. Nuk e di se si u gjetën mjekët, rrobat për fëmijët e porsalindur që e pritën lindjen. Ishin a s’ishin të tillë mjekë ata që asistuan aty? Oh, vitet e hodhën në harrim këtë fakt. Mbetën ata dy fëmijë që po i shtoheshin vargut të refugjatëve ose të gyrbetçinjve si thuhet në Kosovë. Nuk kishte nevojë që të merrje megafon apo të dëgjoje një lajmërim nga ato që bëjnë stafi i avionit në nisje për mjete e shpëtimit apo dhe me njoftimin për zbritje ku nuk harohet kujtesa për bagazhet.Mbeti dhe thirrja ”Faleminderit, Amerikë!”
Ja, ashtu gojë më gojë, u mor vesh se në atë udhëtim të gjatë sikur kishin jetuar mbi avion, lindën dy fëmijë.Djalë e vajzë. Po cila do të ishte vendi i lindjes që do të vihej në dokumentat e tyre të ardhshme? Cila?? Askush nuk e di edhe sot aq më tepër mund të ketë edhe mundësi komunikimi. Këto kohë ai bashkë me bashkëkrahinasit etij Agim Sejdiu që është dhe kryetar i Shoqtës “Kosova” për Shtetin e Masacusesit po punojnë për identetetin e komunitetit kosovar që jeton në këtë shtet. Ai kujton shpesh ato ditë, po nuk bie dot në gjurmët e atyre fëmijëve djalë e vajzë që lindën në atë ditë të 9 korrikut 1999.
Po emrat e tyre? Po të lindnin në Kosovë, të gjithë do të vraponin për emra të ndryshëm ilirë dhe modernë Kaltrina, Selami. Adriatik, Valbona, Drilon, Shqiponja, Bjeshka. Sërish nuk u kuptua se si të dy emrat u përcollën gojë më gojë pas atyre dy grupeve të grave dhe burrave të profesionit të mjeksisë BILL dhe HILARI.
Nuk ishte më bukur. Ishin dy emrat që kishin mbetur në buzë të popullit të Kosovës, të Shqipërisë dhe të mbarë popujve përparimtarë të botës ato muaj kur forcat e Nato-s dhe më shumë ata të Amerikës e liruan Kosovën.
Nuk e di se si u gjetën pelena për fëmijët e porsalindur, se si u ushqyen më tej dhe si u lanë në atë rrugëtim ku aeroplani nuk mund që të ndalonte në asnjë vend për t’u ardhur në ndihmë atyre nënave të reja. Mund të gjeje një kafe më shumë në atë rrugëtim oqeanik, një pije më shumë, po gratë lehona që po i mbijetonin dhe lindjes së fëmijës, ishin të bekuara nga ajo rrugë e vështirë dhe e bukur. Po realizonin një pjesë të përtëritjes së Kosovës. E tek po shkruaj këto radhë sërish m’u kujtua një plak në Kosovë që më tha: “Dëgjo, vëllai im, Kosovën e shpëtuan gratë, nënat se ata na lindën më shumë djem për luftën dhe i bekuan më tej luftën” Kishte të drejtë. Natyrisht as nuk i dëgjuan ninullat e para kur donin që t’i vinin në gjumë pas të qarës së parë fëminore.
Të gjithë ata që do të lindnin në ato ditë e kishin më se të merituar atë emër të atij çifti presidencial që po sakrifikonin aq shumë për të gjunjëzuar Kasapin e Ballkanit
Tashmë vetë 17-vjeçari i dikurshëm Isuf Restelica e ka një vajzë të vogël. Është martuar me një vajzë Kosove. Përtëritja e Kosovës e ka një degë të fortë të bukur edhe tek ata emra që ata i vunë atë ditë korriku. Po përtërihej Kosova e fortë, gjer në palcën e palcës. Dhe sikur po merrnin djemtë edhe në ato tela çiftelie të babait të Isufit që edhe në mes të Bostonit me kaq traditë kulture, arsimore, arkitekturore mban në gjirin e tij këtë komunitet njerëzor kaq të fortë të kulturuar.
Isufi është modeli më i mirë më i bukur që na prêt me një buzëqeshje miku. Buzëqeshja e tij na përcjell deri larg . Faleminderit, Isuf Restelica.! Rrofsh sa ëndrra më e bukur njerëzore dhe qofsh edhe ti një URË e madhe dhe e bukur mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Kombi ynë liridashës e ka dhe do ta ketë brenda vetes mirënjohjen e madhe për këtë komb që i priti, i strehoi, i shkolloi dhe i bëri njerëz të këtij marshimi njerëzor në shërbim të demokracisë botërore.