Lulishtari nga Kaliforinia. Nga: Namik Selmani

Nga Namik Selmani
***
Kur më 1993 Adem Harxhi, ky sojli Gjirokastre, me një shtetësi amerikane të shënuar në pasaportë, zbriste nga shkallët e avionit, kujtonte babain e tij që kishte ardhur këtu me avullore të mëdha nga Saranda, nga Italia që më 1916 Gjëja e parë që bëri në atë zbritje të parë në këtë shtet –kontinent, ishte që të shikonte te ato vite amerikane të babait të tij, Ibrahimit. Për një mijë e një arsye që kur kishte shkelur tokën ëndrrave e kishte harruar emrin e tij të shenjtë të fesë islame dhe kishte marrë përsëri një emër të shenjtë kësaj radhe “Abraham”. I treguan shkallët e larta ku për herë të parë hipnin emgrantët e të gjitha vendeve. E gjeti edhe ai emrin e babait në kompjuter, rreshtuar në radhën e emigrantëve të parë të shekullit XX. E “lexoi” sakrificën e tij për ta përsëritur edhe ai vetë në ditët e jetës së tij në Shqipëri e në Amerikë. E çudia amerikane e bëri që në hapat e parë pjesë e saj. Testi i punësimit të djemve e burrave ishte ai test krahasues i ecjes mbi shkallë. Nëse një njeri ecte drejt, pa u kërrusur, me një lehtësi të lakmueshme njerëzore e pa u trishtuar për jetën e re që e priste, domeos ishte dhe i privilgjuar..

Kësaj radhe do të ishte vetë Ademi ky emër hazreti që do të bënte ndryshimin e tij. Nga Adem në Adams. Kapriçio emigrantësh. Një shkrirje e parakohshme me mjedisin e ri që e priste? E na vinte ky shqiptaro-amerikan në një lloj trysnie që përjetonte çdo emigrant dhe që fillonte nga emri i tij që duhet të hiqej si gungë e të merrej një tjetër… Mund të kenë qënë të gjitha. Të gjitha…Të bukura lulet që mbillte. Vadiste e ia falte shpesh kalimtarëve amerikanë që çuditeshin me këtë flokëthinjur fisnik. Po ata nuk e dinin se Adams (Adem) Harxhi kishte ca lule të tjera në shpirtin e tij që kishte kohë që i vadiste me pasion. Atje pas darkave ulej e shkruante libra . Ashtu si bën edhe tani. Adem Harxhi, i fshehur mes një robinsonade moderne amerikane paksa edhe i llastuar për gjuhën angleze që e njihte, por edhe me atë pasaportë amerikane kujtonte odisenë e babait që, si duket, prej shumë vitesh, e kishte lënë dorën prapa për të. Por që të përtërinte mbarë fisin. Rrugët e largëta nuk e penguan që të ishte Shqiptar e të vinte e të martohej në Gjirokastër , të niste të mbushte shtëpinë e fisit të Harxhëve nga më të vjetrit në qytet me fëmijë. I çuditshëm ky Ibrahimi prej Gjirokastre, ose Abrahamsi amerikan. Në çdo pesë vjet ai vinte këtu për të bërë nga një fëmjë dhe, pasi përkëdhelte atë që ishte bërë qoftë edhe 6 vjeç mendonte për tjetrin . Kështu doktor Ademit i ra radha që të lindëte  në një ditë të ftohtë janari të vitit 1936. Feraseti e bukur, nëna e Ademit, po kaq fisnike sa edhe i shoqi, rriste fëmijë e, kur vinte pas disa vitesh i shoqi, duhet që të merrte një urim të ri për fëmijët e lindur por edhe për ata të palindurit ende. E megjthatë varri i Abrahams Harxhit u bë në hijen e kalasë së Gjirokastrës, se në kurbet, mbase edhe dheu nuk do ta treste. larg ku këndoheshin vetëm këngë malli…
Shok me Kadarenë në një klasë. Kur ai dhe shokët e tij luanin në atë pak shesh lojërash që kishte qyetit në vite të luftës, tregon se mblidheshin në një qoshe duke dëgjuar shokun e tyre pa fëmijëri që i tregonte për librin “Konti i Monte Kristos”. Mbase dhe dashuria për librin që është edhe tani kaq e gjallë, madje edhe për t’i bërë ato libra që sot t’i përpijnë të tjerët, mund të ketë patur një filiz edhe në ato vite.
..E në atë kohë kur ai nuk kishte  punë për të bërë , kur nuk kishte djalin e tij Anteun pranë që të fliste, ai u mor me lulet. Dhe ku? Në një Kaliforni të ngrohtë Lule, lule nga të gjitha llojet. Lule që i kishte parë në Gjikorkastër, në Sarandë, në Tiranë, në Berat, në të gjithë qytetet e Shqipërisë së tij që, gati asnjë nuk e njihte në bregdetin kaliforian . As në Nju Xhersi ku ai ka një shtëpi që e hap vetë herë pas here.
Ky lulishtar i ri sa kalifornian i ri aq edhe gjirokakstrit deri në palcë donte t’i rriste e t’i ujiste lulet më të veçanta me një frymë Gjirokastre. Në mbrëmje mbillte dhe ujiste fjalët e shkruara në Lëndinën e Bardhë të kompjuterit për të ndihmuar brezat me këshillat e moshës. E mbante gjallë një frymë e re që lindëte mbase edhe nga një burrë i mençur si Alizot Emiri, librari i paharruar i udhëkryqit të Qafa e Pazarit që dinte t’i tregtonte librat si ai. Që i lexonte librat edhe para profesorëve të shkollave. Jo thjesht si një tregtar Alizoti.. Duket se ky Alizot. që kish një emër që lidhej me zotin” ishte “ciceroni” më i saktë i kulturës njerëzore, i të gjithëve atyre që futeshin në atë qoshk të një qyteti që nderonte njëlloj si librat si dhe gurët. I jepte frymë nga kënga gjirokastrite me një Xhevat Avdalli që ndërronte bukët e ngrohta me ison e ngrohtë, me atë këngë që është përkëdhelur nga rakia e mirë, nga urimi i dasmave dhe nga ajo iso e mrekullueshme që në shekuj ka mahnitur Evropën. I jepte pak frymë nga inteligjenca e qytetit që ishte “universiteti“ i parë i një fëmije gjirokastrit para universiteteve të Shqipërisë e të mbarë botës.
***
Një jetë të tërë deri në 73 vite që sot i ka në shpinë Adem Harxhi nuk ka jetuar me psikologjinë e turmës. Mos ka qenë hija e rëndë e fisit ? Mos ka qenë hija e rëndë e kalasë së mbushur me bëma e legjenda??Mos…. ? Të gjitha do të kenë qenë? Edhe emrat e fëmijëve e kanë këtë mendim. Djali i tij, Anteu, ka qenë për 5 vjet marins amerikan dhe tani është kirurg. Vajza Adela ka bashkuar emrat e prindërve.
Një jetë të tërë ka qenë okulist. Madje ka bërë edhe një libër shkencor për sytë. Ka qenë edhe disa kohë edhe drejtor i spitalit të Gjirokastrës ku vinin edhe shumë nga Saranda dhe trajtoheshin rastet më të vështira, Ka qenë edhe në Ambasadën shqiptare në Hungari ku mjekoheshin rreth 200 shqiptarë në vit me sëmundjen e syve. Jo thjesht si i besuar i politikës, se testi profesional ka bërë që shpesh, të jetë edhe mjek i të burgosurve politikë që kalonin ditët e zeza të jetës dikur në Burgun e Bënçës. Nuk harron ca fjalë të mençura që të futin në sinorë mençurie . Tek po vizitonte sytë e “armikut” që dinte vetëm të lexonte në burg, Koço Tashkos, dëgjon prej tij këto fjalë: “Kam një jetë të tërë që lexoj në errësirë“– i thotë ai. Në një rast tjetër vizite do të kishte përpara Bedri Spahiun, Maqo Çomon dhe Halim Xhelon. Në një rast tjetër më 1978 në spital do të vinte Myslim Peza, të cilit do t’i bënte një operacion në sy. Kur po i bënte një operacion të lehtë, Kadri Hazbiut nisi t’i dridhej dora e t’i dilnin djersët, gjë që për mjekun nuk është normale: “Bëj detyrën tënde, doktor,- i ishte drejtuar Kadriu,- e mos mendo se kush jam.”
Megjithatë thotë me nderim se ka patur e ka miq të ngushtë shumë e shumë njerëz të thjeshtë. Prej tyre shumë herë ka marrë një mençuri që nuk ia kanë dhënë edhe librat. Thotë se me hallet e gëzimet e tyre i është dridhur zemra e jo dora. Një ditë në spital një pacient i verbuar me një sy, po që shihte kaq mirë edhe shpirtërat njerëzorë, kur e sheh paksa të mërzitur ballaz i thotë: “Dokor, sot je ndryshe. E ke një hall, por hallet lëri jasht dera e eja si çdo ditë!” Një Mana Rabi, mik nga Lazarati që e ka patur edhe ka mik shtëpie, mban mend  ia ka treguar sekretin e madh njerëzor mes profesionit dhe njeriut që e ka atë: ”Kur kërkonin që ta thërrisnin një ditë me emrin (prej vitesh ai e ka “humbur” emrin dhe e thërrasin “Doktor”), ai i pat thënë: “Emri që ke miku im është emri që ta ka vënë babai yt i nderuar, por emri i vërtetë është emri që ti ia ke vënë vetes me punën që bën dhe e me respektin që ke për njerëzit” . Dhe shpesh kjo urti shoqërohet me mirënjohjen që nuk mund ta meritosh kurrë pa punë, pa dashuri për njerëzit. Në vitin 2002 një telefonatë e largët Shqipërie ia zgjon gjumin. E uronte pacientja e verbuar e disa viteve më parë nga bombat italiane. Një paciente e verbëruar që ecte në kalldrëmet e Gjirokastrës me sytë e vajzës që e shtrëngonte për dore. Dhe Doktor Ademi e kishte qetësuar: “Dëgjo Eli, ti ke sytë më të bukur e më të sigurtë në botë se ecën me sytë e vajzës tënde!”
Përballë kësaj mençurie, ai ka prekur edhe paaftësinë që ka patur dhe ka në shumë kate të pushtetit. Për këtë një herë në jetë ai ka rebeluar shumë. Ka rebeluar në formën e vet. Një rebelim i çastit, por që vinte së brendshmi. Kishte mbrojtur gjuhën e huaj, kishte dhënë me rezulate të shkëlqyer provimet e disertacionit. Duhej edhe një temë për të cilën kishte punuar me vite.Duhej lexuar para një komisioni në Tiranë,. Ishte koha kur edhe mjekët luftoheshin me mënyra të ndryshme. Kur mendoi se do ta lexonte para një kuadri shumë, shumë të paaftë e pa përvojë, ahere mori një vendim që temën “Verbëria në Shqipëri”(edhe Shqipëria ecte ato vite e shoqëruar me verbërimin e saj) dhe nxitoi tek kaldaja ku ishte kaldaisti Grekush. Asnjëherë kaldaisti nuk kishte parë gryka e furrës këtë lëndë në zjarrin e saj “Ç’bën kështu, doktor? Ç’bën kështu???” “Ke të drejtë, more Grekush vëlla,- ia pat prerë ai,- nuk doja që ta mbroja këtë temë me njeërz që janë të paaftë për ta bërë një gjykim të tillë”.
***
Një risitar i veçantë Adem Harxhi. Prej vitesh ka ngritur prej vitesh me disa shokë mjekë në SHBA, Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave që është e 121-ta mes kombeve që e kanë ngritur një të tillë në këtë vend të stërmadh. Në vendin e tij ka kohë që risitar i vërtetë po bën një “revolucion” në krijimin e disa menatlitetve të reja të qytetërimit bashkëkohor. E nisi në një televizion një emision për seksin. Një thyerje e “traditës” . Një risi që vuri në lëvizje dhe televizione të tjera të ballkanit si ai Slloven që kanë nxituar që t’i bëjnë emisione të tëra. Të mbajë që prej tre vjetësh një rubrikë një javore për kulturën qytetare, në mbrojtje të dashurisë së vërtetë. Të vlerave që krijon rinia dhe të kujdesit që kemi e duhet të kemi për brezat. E vazhdon këtë rregullisht edhe kur është në SHBA duke sjellë me adresë elektronike. Që prej 14 vjetësh, edhe pse është mjek dhe i di të gjitha dietat mjeksore, i duhet që të konsumojë rreth 21 tableta për shumë shqetësime shëndetësore. Në kafe “Europa” shplodhet pak mes miqve të artit që kanë dëshirë të dëgjojnë atë maturi fjalësh, një maturi e rrallë përpara mburravecëve dhe nostalgjikve të shumtë.
…Nuk harron lulet që ka mbjellë në Kaliforni dhe hutinë e çudinë e amerikanëve para bukurisë, aromës dhe para këtij lulishtari të çuditshëm që iu fliste lirisht me gjuhën e tyre, por që nuk mund t’ia thoshtë dot të gjtha ato që kishte në atë frymë lulërore që po i jepte atyre, të asaj fryme shqiptarie që kishte brenda vetes me pamjen e duarve të nënave gjirokastrite që, mes bardhësisë së gëlqeres nuk harronin të vinin vazot e luleve. Më tej një degë borziloku apo një trëndafil të porsaçelur t’ua vinin miqve të rinj në duar.. Kujton shpesh gjyshin Riza Bimi që një jetë të tërë  ka qenë mes bulmetit në Janinë të Çamërisë në një punishte të tijën duke bërë djathë e gjalp e produkte të tjerë me qumështin e Çamërisë. Ia mbante mend disa këngë që ai i sillte nga Filati, nga Gumenica ku mbushte avulloret me vozat e djathit për në Evropë. Në atë kohë duhet të kishte lindur sythi i portretit të Adem Harxhit që do t’i jepte shumë dekada më vonë kaq njerëzve dhe vetes kaq shumë mirësi, kaq shumë lule, kaq shumë dashuri, kaq shumë frymë lumturie që buron nga puna e nderimi për njerëzit. Dhe në Sofrën e Fjalës së Mençur të Adams (Adem) Harxhit do të lexoni të gjitha, do t’i prekni të gjitha, të gjitha..
namikselmani@yahoo.ca