Sot, më 13 Mars, 2017 nderojmë me respekt të thellë 52 vjetorin e vdekjes së Gjigandit të Kombit, të Kulturës Shqiptare, burri i ndritur i mbarë shqiptarizmës, Imzot Theofan Stilian Noli; shkrimtar, studiues, diplomat, politikan, historian, orator, përkthyes, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare, Kryeministër i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit të Qershorit…
Themelues i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston: (22mars, 1908) ku vazhdues i udhës së ndritur në Katedrale sot është Kancellari i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Famulltar i Kishës Shën Gjergji, Boston, i përndershmi At Arthur Liolin.
Në vizitën që bëmë me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në Boston në Katedralen e Shën Gjergjit dhe më pas homazhe në varrin ku prehet i ndrituri Fan Noli, unë interpretova vargjet: “MARSHI I KRYQËZIMIT”
Është fat, kënaqësi e madhe të hysh në atë zyrë ku punoi për vite me radhë Gjigandi Fan Noli; të ulesh në karrigen pranë tavolinës së tij të punës, të prekësh, të shikosh nga afër çdo gjë të ruajtura me shumë kujdes nga pasardhësit e tij.
Lavdi përjetë Gjigandit të mbarë Shqiptarizmës, Fan Stilian Noli.
MARSHI I KRYQËZIMIT
Do të vrasim, Jesu, se të kemi baba!
Do të varrim, Mesi, se të kemi Usta!
Se s’ke dashur as jet’, as martes’, as para:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Dy kusarë të vegjël i zumë në lak.
Kryqësoji këta, se na vothnë fort pak,
Kryqësoje këtë, se s’na vodhi aspak:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron, dhe çliron, dhe forcon varfërinë,
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, se me botën, me ne s’shëmbëllen,
Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë s’na rren,
Se e do vegjëlin’ e tiran’ e urren:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se për vete s’kujdeset, s’lëfton,
Dhe të mjerët, të humburit nuk i sfruton,
Dhe për sherr, për vlla-vrasje, për luftë s’punon:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, posa s’do as të vras’ as të varrë,
As të bënjë të keqen as gjakun t’a marrë,
Dhe katilët me nam na i qan si të marrë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni kryengritësin e Shënjtëruar
Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar,
Se kujtoj që pa armë na ka për të zgjuar:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.






