LAJM I MIRE: Miratohet legalizimi i emigrantëve dhe azilit për Shqiptarët. Sipas Lajmexpress

EmigrimEmërtohet “Shpërndarje picash”, kusht vetëm gjermanishtja, jo më pagesa mujore në kontratë
“Pizza Delivery”, është ligji i miratuar në Gjermani tri javë më parë për t’i dhënë fund fluksit të paligjshëm të emigrantëve nga Ballkani Perëndimor, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë. Përmes këtij ligji, nga 1 janari i vitit të ardhshëm Gjermania do të pranojë emigrantë të formalizuar me kontratë pune në këtë shtet dhe kjo jo vetëm për të diplomuarit në nivelin e parë të studimeve, bachelor apo të nivelit të dytë, master shkencor dhe profesional, por edhe për zanatçinj, për këtë arsye ligji është quajtur “Shpërndarje picash”. Veç të tjerash, ky shtet ka hequr gjithashtu si kusht sigurimin e një kontrate pune me pagesë mujore jo më pak se 4500 euro. Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, orientimi i qytetarëve shqiptarë në këtë proces do të bëhet nga bashkëpunimi i dy qeverive. “Për të gjitha këto, ne së bashku me qeverinë gjermane, mbështetjen nga GIZ do të orientojmë në zyrat tona të punës, sportele të dedikuara për qytetarët shqiptarë që për çfarë profesionesh ka nevojë Gjermania dhe për të pasur mundësi t’i orientojmë në aplikim apo realizimin e kërkesës së tyre për punësim të drejtë”, tha Klosi. Çdo shqiptar që ka deklaruar heqjen dorë nga kërkimi i azilit në Gjermani dhe është kthyer në Shqipëri deri përpara datës 24 tetor të këtij viti, sqaron më tej ministri Klosi, ka të drejtën të aplikojë sërish për vizë pune në Gjermani. Ata që janë të përjashtuar nga kjo e drejtë janë shqiptarët që aplikojnë për azil pas datës 24 tetor po të këtij viti. “Pra, është dhe kjo një përpjekje e mëtejshme e qeverisë gjermane për të shprehur qartë atë që dhe ne po shprehim përditë e më shumë, që emigrimi i paligjshëm është me mundësi zero për punësim në Gjermani”, sqaroi Klosi. Por, një nga kushtet që konsiderohet domosdoshmëri për punësimin në Gjermani, i integruar edhe në ligjin e ri “Delivery pizza” vazhdon të mbetet njohja e gjuhës gjermane. Deklaratat e ministrit të Mirëqenies Sociale u bënë dje në Komisionin e Politikës së Jashtme, për çështjen e fluksit të largimit të shqiptarëve dhe për masat e qeverisë për rehabilitimin e të kthyerve. Zyrtarisht mësohet se priten të kthehen edhe 60 mijë azilkërkues nga Gjermania, për të cilët sipas Klosit do të ofrohet këshillim dhe ndjekje e kurseve profesionale falas, sikundër edhe shërbimi me ushqim, ujë dhe medikamente. Por, reagimi i opozitës për trajtimin e çështjes së azilantëve, erdhi gjatë raportit të zëvendësministrit të Brendshëm për masat e frenimit të flukseve. “Vetëm gjatë kësaj periudhe janë refuzuar 13.500 shtetas të dalin të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian. Arsyeja është mosplotësim i kushteve për udhëtim në vendet e BE-së”, tha zëvendësministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj, gjithashtu i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm. Mirëpo, ka edhe nga ata që ndajnë mendim të kundërt në këtë drejtim, duke e cilësuar këtë si shkelje të të drejtave të njeriut. “Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Si mund të ndaloni ju shqiptarët të dalin, kur Europa i ka dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, ju i thoni 13.500 shqiptarëve nuk do të dilni jashtë. Arsyet pse shqiptarët largohen kanë të bëjnë të gjitha me situatën ekonomike dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Komisioni i Jashtëm ka organizuar disa seanca raportimi dhe diskutimi në lidhje me çështjen e azilantëve, ku pjesën më të madhe të këtij fluksi e përbëjnë shqiptarët.