Ku ta kërkoj identitetin?! Nga Namik Selmani.

Ku ta kërkoj identitetin?
Më tepër se një problem social
Nga Namik Selmani

Në festat e fundvitit edhe shqiptarët nuk i largohen traditës evropiane të shkëmbimit të kartolinave simbolike.
E natyrisht , kur ndal në kioskat e shumta të Tiranës, Beratit apo të Prizrenit e Tetovës , në një kthinë librarie përpara kartolinave që të afrohen nga dyqani përnjëherë ti përfytëron mikun apo miken, vendin ku rri e më tej kërkon të vendosësh.. Po cili është realiteti që të shpaloset ?Vërtet trishtues , për të mos thënë revoltues me plot gojë se përballë teje nuk ka asnjë shenjë të identitetit tënd kombëtar.
Me përjashtim të disa pamjeve të qyteteve tona , në të nuk gjen asnjë shenjë të kulturës sonë kombëtare, të etnografisë, të folklorit, të historisë që ti mund ta nisësh në Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër ,Amerikë ,etj.Mund të gjesh artistë nga e gjithë botë të veshur e të zhveshur e nuk gjen asgjë shqiptare.Si thotë populli, simbolet tona kombëtare janë futur shtatë pashë në dhe.Në këto kioska nuk gjen për be asnjë artist shqiptar që nga kohërat e kaluara deri në ditët tona.
E kur mendon se këto ti nuk i gjen në dyqanet e vendit tënd apo në trevat shqipfolëse as të të mos shkojë mendja se një shtet tjetër do të bëjë propagandën atdhetare në llogari të kombit tënd. Asnjë vlerë nuk mund të ngrihet mbi antivlerën.. Në këto vetrina mund të gjenin vendin e tyre të padiskutueshëm Nënë Tereza e Skënderbeu,Fan Noli e Adem Jashari,Hasan Tahsini e Dora D’Istria, Bajram Curri e Ismail Kadareja, Alekandër Moisiu e Vaçe Zela,Sandër Prosi e Margarita Xhepa, Kadri Roshi e Fadil Berisha, Kledi Kadiu….Mund të vazhdonim me të tjerë “stacione “ të lavdishme të historisë sonë. si: Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit , Kullën e Adem Jasharit, Monumentin e Pavarësisë.Mund të vazhdonim me pikturat e Kolë Idromenos e Vangjush Mios, me Sali Shijakun e Ibrahim Kodrën etj.
Pa folur për politikanë që gjithësesi edhe ata kanë simpatizantët e tyre këndej e matanë kufirit.vetë koha e kontributi i tyre i kanë dhënë “statusin” e të qënit simbol i identitetit .Zhvillimi i teknikës bashkëkohore edhe në këtë drejtim i jep mundësi që të mos jetë pengesë për qarkullimin e këtyre vlerave, mjaft që të kesh dëshirë që të jesh një patriot i mirë.Dikush mund të thoë që në momentin e parë :” Kjo nuk është në kompetencën e shtetit!”
Në pamje të parë , do ta pranonim këtë konstatim, po edhe shteti ka këtu mekanizmat e veta që mund ta nxisë këtë identitet.Ne do të hyjmë në Evropë me identitetin tonë. Konkretisht. U festua me madhështi 600-vjetori i Skënderbeut në disa treva . U bënë sesione shkencore ku natyrisht u hpenzuan edhe para.Sa mirë do të ishte që fotot e pikturave më të mira të Heroit të botoheshin në një cikël kartolinash e të shpërndaheshin në trevat shqiptare. Ndonëse disi më i zbutur ky mentalitet vazhdon edhe në trevat e Kosovës.
Brenda këtij vëzhgimi do të trajtonim edhe një aspekt tjetër.Në një librari të bllokut një librar na shprehu shqetësimin se lexuesit e të gjitha moshave nuk mund ta shuanin urinë e tyre me abetare. Në të kishte një abetare me çmim prej 35000 lekësh të vjetar.
Si të thuash në kohët moderne ne po mbjellim një analfabetizëm modern.A nuk mund të botohet një abetare me praktike e më të lirë për ta pasur si një “ bibël” në të gjitha trojet shqiptare. Brenda vëzhgimit e trishtimit që të vjen në shpirt nga që nuk mund ta ushqesh këtë identitet në këto kioska memece, të një vendi memec, mes njerëzve memecë që nuk mendojnë për një gjë të tillë pyes veten:
”Ku ta gjej identitetin tim kombëtar????!!!!”