Komiteti për Stabilizim dhe Asociim rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë..

shqiperi-1Komiteti parlamentar i Stabilizimit dhe Asociimit përsëriti mbështetjen e plotë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për këtë arsye, Komiteti i bën thirrje Komisionit Evropian të caktojë një datë për hapjen e negociatave, ndërsa Shqipëria duhet të përparojë në plotësimin e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave.

Për çështjen më të debatuar në politikën shqiptare, atë të kultivimit të kanabisit, Komiteti vëren një trend pozitiv të operacioneve për shkatërrimin e fushave me kanabis si dhe një ulje të fushave të kultivuara. Bashkëpunimi i i autoriteteve shqiptare me ato italiane duhet të vazhdojë për të çrrënjosur krimet që kanë lidhje me drogën.

Një kërkesë e përsëritur e këtij komiteti por edhe e institucioneve të tjera evropiane janë zbatimi i kushteve për organizimin e zgjedhjeve demokratike, të cilat janë thelbësore për progresin e Shqipërisë në BE.

Reforma zgjedhore duhet të bëhet në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, duke i dhënë zgjidhje çështjeve kryesore përpara skadimit të afatit të përcaktuar për zgjedhjet e vitit 2017.

Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit shprehet i kënaqur nga hapat e vendit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe kërkon zbatimin e ligjit të dekriminalizimit të miratuar në parlament.

Liria e mediave është një pikë ku Shqipëria ka marrë kritika.

Vendi duhet të krijojë një mjedis që promovon fjalën e lirë dhe të shmangë çdo lloj censure,

Vendi ynë inkurajohet të vazhdojë rrugën e reformave për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, duke iu referuar rritjes në renditjen e Doing Bussines si dhe të vazhdojë të mbajë rolin konstruktiv në ruajtjen e paqes në rajon.

Për sa i përket të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, Shqipërisë i kërkohet të përmirësojë legjislacionin e saj, në lidhje me diskriminimin, të drejtave të barabarta dhe integrimin e plotë të minoriteteve në jetën publike shqiptare.