“KOINÇIDENCE” ME UGOLININ.. Nga: Anastas Nika

Anastas  Nika ….( Duke lexuar librin e Luixhi Ugolinit” BUTRINTI-Miti i Eneas” dhe librin “Rrënjët tona” -të autorit e bashkfshatarit tim Mihal Xhamo )

…..para dy ditëve,pas aktivitetit në qytetin e lashtë të Butrintit kushtuar Luigi Ugolinit, kryeredaktoria e shtëpisë botuese “Çabej” Ana Shkreli më dhuroi librin e Luigi Ugolinit ” BUTRINTI-Miti i Eneas”…Duke e rrotulluar në duar librin,sytë më ndalën tek pjesa e pasme e kopertinës së tij ku më tërhoqën vëmëndjen disa rreshta të shkruara shkëputur nga brëndia e këtij libri.Aty shkruhej kështu: “….Edhe punëtorët shqiptarë që qëndronin rreth meje dukeshin të emocionuar e të mbrekulluar :ishte koka e parë që zbulonim në Butrint.E larë vazhdimisht për t’u shquar më mirë gjatë punës delikate të nxjerrjes nga dheu,koka zuri të shfaqej në gjithë madhështinë e vet: me dritën e bardhësisë së mermerit që kontrastonte me errësirën e plumbtë të baltës dhe që i’a nxirrte në pah edhe më qartë tiparet e mbrekullueshme…qe e paprekur.”Paska dhe hundën”! ” Paska dhe hundën”- u thërriste shokëve një punëtor………” Këtu unë ndala së lexuari dhe menjëherë mendja më shkoi në fillim të viteve 2000 në qytetin e Butrintit,ku xhirohej kjo skenë nga regjisori Vladimir Prifti në filmin e tij ” BUTRINTI” kushtuar figurës së Ugolinit. Dhe si për çudi punëtori që e thoshte batutën ” Paska dhe hundën”-e kisha për ta thënë unë,ku në film kisha rolin e një furnitori që sillja ushqimet me kuaj dhe mushka.“Koinçidencë interesante”-mendova duke futur çelësin tek dera e shtëpisë.Hyra brënda në shtëpi ,ndeza dritën dhe u drejtova nga tavolina e punës të lija librin e Ugolinit. Atje mbi tavolinë gjeta një libër tjetër të titulluar “Rrënjët tona”.”Po e lexoj unë,o ba”-më tha djali që sapo hyri në dhomë. Ishte shkruar nga një bashkfshatari im i quajtur Mihal Xhamo ( një njeri shumë i lexuar i cili ka patur një jetë tejet të vështirë në kohën e sistemit të Hoxhës ,për arsye se babai ju arratis dhe ai e ka takuar qysh kur lindi vetëm pas 45 vitesh) i cili rrëfente brënda tij histori të vjetra të fshatit dhe të njerezve që nuk jetonin më e kishin lënë një emër të mirë.Duke e shfletuar ngadalë sytë më mbetën në një nga faqet ku përmëndej çuditërisht emri i Ugolinit…” Tjetër koinçidencë me Ugolinin”-mendova dhe duke u nisur dhe nga libri që më kishte dhënë Ana për Ugolinin,u bëra dhe më kurioz dhe i lexova ato rreshta sa hap e mbyll sytë,më mirë të them i përpiva…dhe ishte e vërtet e çuditshme : Gjyshi i bashkfshatarit tim dhe njëkohësisht autorit të këtij libri Mihalit ,Anton Thodhoriu për shtatë vite rresht 1929-1936 kishte punuar në gërmimet e italianit Ugolini… Mu kujtua ai burrë plak shtatmesëm hypur në gomar e që na fliste me një zë të hollë e me sytë që i ndrinin…nuk e di pse gjithmonë prisja të kalonte ai plak atje tek “sheshi i Kriqit ,ku luaja me fëmijët e lagjes,e gjithmonë ai vështrimi i tij prej syve fshehur poshtë kapeles, ku buronte një dritë e bukur ,dukej se diçka më thoshte ……!!! Ja se çfarë shkruhej brënda atij libri: ” Një realitet tjetër,i rrallë në mos i vetmi në fshatin tonë,është fakti që,për shtatë vite me rradhë 1929-1936 papo Ndonia,(gjyshi Anton ) ka punuar në misionin arkeologjik të Butrintit,pranë arkeologut me famë botërore Luigji Ugolini dhe arkeologut tjetër Marinoti.Ndër dhjetra punëtorë që arkeologët italianë kishin punësuar nga gjithë rrethi (kupto zonën e jugut të Shqipërisë) papo Ndonen ( gjysh Antonin) e kishin zgjedhur si më të besuarin.E kishin emëruar furnitor,ekonomat dhe pagator i misionit të tyre…..” Morra një stilograf dhe fillova ti nënvizoj ato rreshta vërtet të çuditshme. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se dikush nga fshati ynë mund të ishte në gërmimet e Butrintit në kohën e Ugolinit. “O zot, duket si e pabesueshme ,por çuditërisht qënka e vërtetë”-mendova duke sjellë edhe njëherë në mëndje skenën e zbulimit të mbretëreshës së Butrintit ,çasti kur aktori Artur Gorishti në rolin e Ugolinit ,i futur brënda një grope gjithë baltë,thërriste e kërkonte ujë për t’ia hedhur kokës së Deas mbuluar nga balta ,e kur ajo të çfaqej unë do të thosha tekstin ” Paska dhe hundën” (sepse siç dihet skulpturat që zbuloheshin atje ishin të gjitha pa hundë)” Eh, sikur ta dinte regjisori Vladimir Prifti që ma dha mua atë rol episodik të furnitorit të Ugolinit…..jo gjithmonë gjërat që ndodhin para syve tanë janë thjesht e vetëm rastësi,ato shpesh fshehin diçka brënda tyre..E shpesh nuk e dimë se ç’farë fshehin… e ato rrinë ashtu fshehur për të dalë në dritë ndoshta dekada a shekuj pas ” Domethënë unë kisha interpretuar në film,jo thjesht një furnitor,por një njeriun tim të vendlindjes…” E bukur kjo”!!! Kjo është arsyeja pse unë ndihem mirë dhe i sigurt në atë skenë..!! Sepse atje unë kam një shpirt e që gjithmonë është ëngjëlli im sa herë unë interpretoj në amfiteatër a rrethinat e tij në atë qytet antik ( dhe aty në Butrint kam realizuar një pjesë të madhe të punëve të mjia artistike si vënia në skenë e tragjedise “Antigona”e Sofokliut ,interpretimin e Kreontit në tragjedinë “Antigona”,në Festivalin Ndërkombëtar “Butrinti 2000″, videoklipin poetik”Rent or Marathonomak” dhe “Marshi i Kryqëzimit” të Fan.S Nolit ,videoklipin poetik “Perandori e zogjve” të poetit Bardhyl Maliqi ,”Këngë pleqërishte ” të Lasgush Poradecit ,”Kënga e Benkos” E Fatmir Gjatës,”Shqipëria” nga Denos Kubatas )dy herë konferencier i Festivalit Kombëtar “Fyelli magjik” e shumë të tjera…) E prandaj zoti i lashtësive vuri aktoren e Shkodrës Rita Gjeka (e cila ishte në Butrint me trupën e teatrit ‘Migjeni” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit) kur Ana do ti kërkonte emrin e një aktori që të interpretonte në Butrint vargje nga “Eneida ” e Virgjilit. E me siguri ,ëngjëlli papo Ndone i pëshpëriti në vesh Ritës ,dhe ajo menjëherë,pa u menduar fare, i përmendi emrin tim. E unë kisha privilegjin atë mbrëmje magjike ,nën tingujt antik të harpës ,luajtur me mjeshtëri nga artistja e mbrekullueshme ,e vetmja në Shqipëri në këtë vegël lashtësie muzikore, znj.Aida Kasmi, të interpretoja me shpirt vargjet nga “Eneida” e Virgjilit. E kjo më takonte”me ligj” sepse gjyshi i bashkfshatarit tim të mirë e të mënçur Mihal,papo Ndonia ishte njeriu më i besuar i Ugolinit…

( Në foto janë shkëputur momente nga realizimi i filmit ,ku zbulohet Dea,si dhe pjesët e cituara më sipër marrë nga libri Ugolinit “Butrinti-miti i Eneas” dhe libri i Mihalit …)