Cili është dallimi mes robëruesit të huaj, që t’i merr të gjitha dhe ‘çlirimtarit’ tënd që vetvetes ia jep të gjitha të mirat, e popullit ia lë në hise vuajtjen?
“10 vjetorin e pavarësisë së vet Kosova e pretë me institucione të partizuara shtetërore, me gjyqësor që e zbaton ligjin vetëm ndaj varfanjakut që vjedhë 50 euro për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe ndaj politikanit që e plaçkit popullin, me sistem të rrënuar shëndetësorë ku vdesin varfanjakët, e ku nuk shkojnë të shërohen burrështetasit e sëmurë, me institucione publike arsimore ku libreza partiake ta siguron edhe titullin shkencor…, me shenjë njohëse keqëqeverisjen dhe korrupsionin! Por edhe në një Kosovë të tillë, ka diçka që ngjanë si parajsë e ndërtuar në tokën e varfanjakëve: Vilat, shtëpitë dhe makinat e shtrenjta të politikanëve dhe burrështetasve të Kosovës! Kuptohet edhe pse nuk e kishim ëndërruar si shtet të politikanëve të pasur, e popullit të varfër, Kosova ishte dhe mbetet mburrja e shqiptarisë! Mburrje që nuk duhet të na pengojë t’i përgjigjemi pyetjes se cili është dallimi mes robëruesit të huaj që t’i merr të gjitha dhe ‘çlirimtarit’ tënd që vetvetes ia jep të gjitha të mirat, e popullit ia lë në hise vuajtjen dhe varfërinë!
Kim Mehmeti