Këpucët e emigrantëve… Vargje nga Namik Selmani.

Këpucët e emigrantëve

Në doganat hijerënda shumëgjuhëshe çdo gjë mund të preket.
Pasaporta me vula njëqind herë kthehen në duar.
Veç këpucët e emigrantëve mbeten në ato porta si mister.
Me këngët e pathëna e me ofshamën e pambaruar.

Rënkojnë këpucët e emigrantëve nga malli e udha.
Dhe bëhen cicëronët më të mençur që ka Muzeu i Kohës.
Nëse ke ndonjë ditë këngë e çaste të bukura
Vetëm ato mbeten Çelsi më i saktë i Trishtimit të Botës.

Mes brigje shtetesh mund të gjesh lustraxhinj zezakë.
Të të luten për të të hequr pluhurin me duart gjithë bojë.
Po Malli i Tokës ka Kodin më të dhimbshëm e më të rrallë.
Që vetëm ato, këpucët e mërgimtarëve do ta thonë.

Mund të gjesh këpucë mbretërish me çmime përrallore.
Sandale zonjash të shtrenjta që blejnë me margaritarë.
Oo, nuk mund të gjesh askund si këto këpucë hyjnore
Kur symenduar dhe nxitimthi hedh hapa edhe duke qarë.

Mund të vësh në sirtar lule e reliken më të rrallë.
Më të bukura shumë herë se këpuca e Hirushes së Përrallës.
Veç ajo, këpuca që të dërgon te puthja e parë.
Është më hyjnore se vetë magjia e përjetshme e fjalës.

Gjithë kimikatet mund të përdorësh ditëve, netëve.
Të pastrosh lëkurën, stampën, lidhëzet në këpucën e shtrenjtë.
Do të të mbesin përherë ca grimca dheu nga varret e etërve
Të marra atje larg, mes tufanesh në Tokën e Shenjtë.

Namik Selmani