JARGËT E HIENAVE DHE MITI I LUANIT. Nga: Ymer Nurka

JARGËT E HIENAVE DHE MITI I LUANIT.

Sa keq, kur edhe në Shekullin e XXI, bashibozukët otomanë tashmë të klonuar jo vetëm në vëndin e tyre të origjinës (Turqi), por fatkeqësisht edhe në vëndin tim e në vendin e të gjithë shqiponjave krenare. O zot sa janë shtuar taborrët e tyre, dikur të prirë nga Ballaban pashët, ndërsa sot kanë në krye ca dallkaukë e kopukë, xhuxhë e delenxhinj, a më saktë me u thënë me terminologjinë e kohës Nano… Mustafanj dhe Kim (me vezë)… Mehmetër, apo Shmidër. Ç’i shtyn këta pseudoanalistë e sharlatanë të historisë të kërkojnë revizionimin e të vërtetave me rëndësi dhe status të veçantë për vetegzistencën e Kombit Shqiptar? Cilët janë këta buburrecë, të ekzaltuar dhe ekzagjeruar e të shitur për dy dekada, si qiklopë të mendimit analitik? Ç’janë këta delirantë që e mbajnë veten të pazëvëndësueshëm nga subjektet mediatikë, duke u përpjekur të shëmbëllejnë me demonët e pamposhtur të parashikimit të ngjarjeve dhe të qëmtimit të fakteve; të aftë gjoja të rrëzojnë e tjetërsojnë fakte autentike mbi heroin më të madh të Krishterimit, Gjergj Kastriotin? Vërtet këta bashibozukë xhonturq besojnë se mund të ndryshojnë opinionin dhe të zhvlerësojnë atributet dhe minimizojnë kontributet e heroit legjendar? Nuk e kuptoj ku e gjejnë kurajon që Nënën e Gjergjit e nxjerrin nga geni Sërb? Cilët janë këta këlyshër dhe atavizma pesëshekullore që guxojnë të përmbysin teorinë e evolucionit me një metamorfozë të tillë ? Si mundet të fusin në pjesë genin Sërb e të tjetërsojnë vezoren ku është ngjizur geni Arbëror? Sërbët na kanë uzurpuar trojet, më saktë tradhëtarët ua kanë falur dhe tash po ca tradhëtarucë pa bythë e taban kërkojnë të na ndajnë në mes Kryetrimin e të na shesin gjysmën e historisë. Nëse Sërbët, do të kishin qënë dajat e Skënderbeut, si mundet Gjergj Brankoviçi mbreti i atëhershëm Sërb, do të pengonte nipin e tyre gjeneral që të bashkohej me gjeneralin tjetër të madh të kohës Janosh Huniadin? Si mundet po ky palo mbret Sërb do ti jepte robinë motrën dhe më pas bijën Sulltanëve Murat i parë e Mehmet i dytë, për të ruajtur thjesht vasalitetin? A nuk ishte po ky palo mbret që ndërsente Hamzain kundër Skënderbeut? A nuk do të kishte pastaj aq forcë heroi ynë që me ndikimin më të madh në botën e Krishterë të ndryshonte qëndrimin oportunist dhe përunjësinë e dajave të tij? Gjithsesi këto që po thuen sot, asnjëherë dhe nga askush nuk janë thënë më parë dhe tashmë kur populli ynë nuk është në performancën më të mirë të ndërgjegjes, gjejnë forcë këta ndyrësira të bëjnë të tilla provokacione. Harrojnë këta sozi të halldupëve se ende geni ynë është i gjallë e sa të regëtijë një damar do të marrin damkosjen që meritojnë, ashtu siç e kanë marrë ndër shekuj dhe bashibozukë të tjerë, që kanë guxuar të na prekin të vërtetat e shenjta. Gjergj Kastrioti erdhi si ndëshkim gjëmëmadh për invadorët e egër, aq sa nëse vendoset e tërë lavdia e tij në njërën anë të peshores së historisë, dhe fama e nëmur e Perandorisë më të urryer të njerëzimit në anën tjetër : vepra titanike e heroit e ngre zgupthi peshoren. Tashmë nuk po çuditem më që në moçalin e pseudopaqes të lëvrijnë krimba të tillë … Eshtë e qartë se Kombi Shqiptar që kulmoi me maja të tilla unikale në historinë e njerëzimit, padyshim që ka dhe hone dhe gropa që qelbin nga atavizmat e ndyra të tradhëtisë. Gjithashtu nuk dyshoj aspak, për një fenomen të tillë, ku hienat, çakejt dhe lakejt, që jargaviten në rrjetet sociale dhe ato mediatike me miksimin e sekrecioneve të tyre bashkë me pluhurin historik të krijojnë baltë dhe ta hedhin atë mbi heronjtë tanë dhe historinë tonë të lavdishme..