Ishulli i Gjarpërit Rrëfenjë për kohët moderne.. Refenje nga Namik Selmani.


Nisën një nga një të zbrisnin në atë ishull. I madh dhe i bukur Ishulli. . I rrethuar nga dete që ishin kaq të begatë me peshk, me bukuri. Thonë se kishte edhe shumë naftë, por ende nuk kishin ardhur sondat në brigjet e tij. Me lindje e perëndime të bukura. Ani pse nuk ishin shpikur ende fotografët e të gjithë kohërave. E Ishulli u bë porta e madhe për të gjithë kafshët. Çudi! Nuk kishte shkruar njeri në të dhe s’kishte duar personazhe që të bënin strofkulla për të kotecë për pula, shtëpi të larta për elefantë se helbete nuk mund të rrinte elefanti që ka  kaq të madhe feçkën e tij një një kasolle dosido. Po edhe dhelpra, zebra apo buajt. Po ishulli kishte edhe shumë zogj se kishte pemë e në çdo pemë kishte degë ose më mirë sqetullore trungjesh ku ata të mbështesnin supet e një nga nje të bënin fole me kashtën e shkarpat që kishte kudo ishulli. Gjithsesi ishin në liri e jo si kushërinjtë e tyre shumë vite më vonë që do cicëronin dhe këndonin në ca kafazë të bukur, po pa liri. Do të rrinin në ca tela të mbyllur ku fluturimi i tyre ishte vetëm në disa centimetër. Do ishin aq ngushtë në to sa çdo çuktitje dhe këngë do te dukej shumë e trishtuar.
Thonë se mëkatin e parë Adami e kishte bërë në atë ishull. Kishte parë Evën dhe kishte bërë një kurorë të bukur me dafina për kokën e saj. Pa dyshim dhe një puthje të bukur e tërë shije. Që atëherë kur nuk kishte njerëz rreth e rrotull. Nuk kishte dritë skenash. I bukur sa nuk kishte më. Me kafshë e zogj që garonin mes tyre për bukurinë, për forcën, për këngën, për shpejtësinë, për zgjuarësinë ose intuitën. Do të ketë pasur aty besoj dhe shqiponja. Këtë nuk e vërteton saktë historia po ma kanë treguar gjyshërit e gjyshërve. Ndaj dhe nga një herë betohem “Për mençurinë e gjyshërve!” Ishulli i bukur bleronte në katër stinë. Aso kohe dikush mund ta kishte quajtur “ Ishulli i Blerimit”, “Ishulli i Këngës”. Aty edhe bora vinte dhe bënte një skenë të madhe me degët që mbanin dëborë apo dhe kërcisnin nganjëherë nga pesha e saj. Ujë kudo, e ku ka ujë, ka dhe jetë. Ujë në gurra të mëdha, ujë në rrugët e ngushta e të gjëra. Ujë që dilte në çdo cep qoftë edhe nga një burimi i vogël. Ujë që vinte nga qielli si i thonë fjalës kur e donte toka, pema gjethja dhe vetë ato kafshët plot etje të ishullit.
Nganjëherë dhe ziheshin. Vërtet nuk kishte arbitër apo gjykatës që të hetonte dhe të gjykonte me nene dhe ligje fajtorët dhe viktimat, po këtë gjë e bënte vetë Ishulli si një babagjysh, si një gjykatës i moshuar dhe pa korrupsion,.
Të gjithë ishin të lirë dhe e gëzonin këtë liri me disa ligje që ishin vënë qoftë edhe në një marrëveshje të pashkruar.
Të gjithë gëzonin lirinë, hipnin e zbrisnin nga drurët, ketra, majmunë, zogj. Diku në pemët e shumta të pyllit merrnin fruta të shumtë, të shijshëme e të shumëllojshëme. I hanin ashtu me dhëmbët përjashta duke hungërirë pak nga kënaqësia e jetës që do të shtohej dhe më shumë nga ato kafshime të tyre me forcë deri na zhvatjen e frytit. Delet bënin qengja. Luaneshat bënin klyshë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Sorrat në degë bënin sorra të reja. Bretkosat mbushnin moçalet me të tjera bretkosa.
Pulat kakarisnin të qeta se dhelprat e pyllit e kishin humbur nuhatjen ndaj tyre. Elefantët ishin më të butë. Ketrat uleshin në supet e luanëve. Milingonat në trupat e elefantëve……

Dhe erdhi një ditë. Uji po ikte pa i lajmëruar me telallë ata që ishin banorë të ishullit. Në fillim lumenjtë u bënë përrenj Gurrat u bënë kroje të vegjël. Sa një dorë. Sa një gisht e po shtohej etja. Nuk kishte uri po kishte etje. Po kush, kush do i jepte një pikë ujë më shumë elefantëve, deveve, ujqërve, deleve, qengjave trumcakëve?
Dhe kafshët, dikur të lumturuara, ikën një nga një. Çdo ditë mund të gjeje në udhët e ishullit të bukur me pemë por pa…ujë mjaft kafshë që po iknin nga kjo jetë. Grumbuj të kafshëve të ngordhura me sytë nga qielli se mos i dërgonte në çastin e agonisë një pikë, vetëm një pikë ujë. Është e vërtetë se në trungjet e pemëve nuk kishte njoftime zyrtare po Ishulli po dëgjonte më pak lehje angullima, ulërima, cicërima, pëllitje, hingëllima, klithje etj. Në të nuk kishte ardhur asnjë gjahtar, asnjë plumb i bërë në punishtet e maleve, po ishulli po zbrazej.
Dhe mbeti vetëm ai që nuk donte ujë GJARPËRI.
Nuk ishte nevojë që të bënin ceremoni martesore për gjarpërinjtë. Ata martoheshin kudo e kurdo. Babai gjarpër bëri gjarpërinjtë-vajza, meshkuj e u mbush Ishulli me koloninë e gjarpërinjve. Po tashti kishin festë vetëm ata që kishin pak etje ose aspak. Nuk duhej uji për gjarpërinjtë . Nuk e di se si e kishin bërë atë qënie që të mos pinte ujë, po vetëm të mxirrte atë gjuhëz të vogël sa një gjilpërë dhe të jetonte me helmimin e tyre.
Nga vezët e tyre nuk dilte as kërmilli, as elefanti, as pata, e as rosa, por vetëm gjarpëri Gjarpëri që bëhej baba dhe që më vonë bëhej koloni marshimi në shkëmbinjtë e Ishullit më drurët që po zhvisheshin pak nga pak.
Një ditë një zog i ardhur s’di se nga cili vend vendosi që të ulet qoftë edhe pak çaste në ishull. Të pushonte për të rinisur rrugën nga kishte ardhur.
Dhe u ul në një degë.  Më  pas u ul në një fije bari që kishte mbetur ende mes tokës dhe gjelbërimit. Ah, zogu i bukur që e kishte këngën në sqep? Ku e dinte ai se Ishulli ishte kthyer prej kohësh jo në Mbretërinë e Harmonisë së jetës, por në një kohë që kishte helumar çdo gjë.
Dhe  helmi e gjeti vendin e tij në atë trup të vogël. I dhembi fort zogut. I miri zog largohet me pengun e madh të një mëkatimi që i kishte bërë ajo koloni gjarpërinjsh që fishkëllenin për të helmuar jo vetëm një zog po edhe një qiell të tërë se edhe toka e Ishullit ishte helmuar. Kush do ta bëntë vallë gjyqin e këtij krimi të madh? Shkoi zogu me një dhimbje në trupin e brishtë nga helmi që mori Nuk dihet se ç’ndodhi me të. Në cilin tokë tjetër shkoi? Ku ndaloi? Kush e ndihmoi kur iku? Kishte lënë pas fishkëllimat e së keqes në atë ishull që e kishte marrë emrin prej kohësh Ishulli i Gjarpërinjve ende dhe sot vazhdojnë fishkëllimat e mprehta ndaj ajrit ndaj qiellit, ndaj tokës që i mban . Mos vallë ka ardhur kohë e Ishujve të Gjarpërinjve????? Nuk e di. Mbase ata që kanë gojë të helmët një ditë do të na thonë të vërtetën. Mbase edhe do heshtin për të mbuluar helmëtirën e tyre.
Ndoshta…
Korrik , 2017