GURRË QË GURRON DRITË DHE VARGJE. Autor Namik Selmani.

Meditim për një libër poetik me motive matjane “Gurra e Budit me motive matjane “Gurra e Budit”

Këtë libër e ngjiza në një vend të largët e të afërt si është Mati. Mati, ashtu si në shumë vende të botës, ka bukuritë e tij, ka grykat, livadhet, këngët, bëmat, përrallat, legjendat, tregimet, ka poetë e farkëtarë, ka mjekë popullorë dhe ndërtues kullash, ka gjuetarë dhe urtakë, që gdhijnë natën mbi një fletë libri. Mati ka dhe shumë histori, një histori baroti dhe këngësh, një histori vallesh dhe lahutarësh, tupanxhinjsh, mjeshtërish të lahurisë dhe çiftelisë. Po! Ka patur dhe ka shumë ëndrra për atë që i takon të ketë në vitet e jetës. Mund të mburret se ka qenë prapavija më e fortë e betejave për liri me barotin që prodhohej në dingat e Klosit, të Petralbës e kudo. E, simbolika e GURRËS do të ishte ngjizja më e fortë, më e sigurtë, më jetëgjatë për një libër me poezi, që do të doja që t’i kishte nën jastëk, në një tavolinë familjare, në një makinë nga ato mijërat që sot mbushin rrugët e këtij vendi, te bankat e një shkolle, ku ka celularë të markave nga më të mirat në botë, po ka pak shkronja. Simbolika e GURRËS më vinte dhe kur dëgjoja për minatorët ballëdjersitur të Martaneshit, që nxirrnin kromin. Atëherë më duket se së bashku me matjanët, me minatorët dhe meata që e lexonin çdo ditë parullën në hyrje të galerive, prej nga dilnin me disa çizme të baltosura, me fytyra paksa të verdhëllyera, që ta jepte nëndheu pa dritë të fortë, pa blerim livadhesh. Ishte parulla e madhe “KROMI ÇAN BLLOKADËN”, që sot duket se është po kaq aktuale sa dhe atëherë. Do të doja që këto poezi, apo dhe një pjesë të tyre, të bëheshin sadopak balsami i plagëve të një trupi shumë herw të drobitur dhe aq kërkues për një fjalë më të mirë për një shpresë më shumë, për një optimizëm, për një dritë të re. Po, Gurra na kujton në këtë vend dhe një kryepoet, ose më saktë një kryekarvanar të shkronjës shqipe, të poezisë shqipe, që sot e kemi ngjitur në maja të larta të sasisë, po jo dhe aq të cilësisë. është Pjetër Budi. Mati është burim poezie, për matjanët, por dhe për ata që kanë brenda vetes pak matjanizim. Asnjë poezi, ose thënë më qartë, rrallë poezi mund të bëhen me urdhër. Jo, poetët nuk janë krejtësisht argatë betoni, mbledhës të ullinjve, druvarë pyjesh, nallbanë kuajsh, shoferë pajtonësh për nuset, nuk janë njerëz që sjellin në shtëpi mollë, fruta, domate, patate. Ata drejtohen nga një ligj i bukur, i pashkruar në asnjë kod zyrtar, po i futur brenda kodit të njerëzores, kudo ku jetojnë njerëzit e shumë gjuhëve dhe kombeve. E pra, ky matjanizim i poezisë është një lloj borxhi, që njeriu ia bën vetes dhe asaj që ka parë, i atyre njerëzve që ka takuar. Është testi i ndjesisë, i padukshëm i një poeti profesionist, për të nxjerrë atë frymë të dukshme e të padukshme të një jete. Po, Gurra e Budit është gurra e parë prej nga dalin e duhet të dalin currilët e blertë të poezisë së një vendi, që ka kaq shumë histori të lashtë shkronjash, po jo sa duhet mësimtore, si dua që t’i quaj shkollat e një kombi. O, sa keq më vjen, kur mendoj se shkronjat e para të gjuhës sonë u gatuan me gjak mësuesësh! U nisën me fjalën e klerikëve që do t’u jepnin fëmijëve edhe kulturën e fesë. Dikur më vonë u mësuan në kondakët e pushkëve. E, të mësosh në kondakët e pushkëve, është pak dhimbje, tragjedi po aq sa pak komedi. Të mësosh shkronjën, diturinë në hijen e pushkës! Kështu na tha historia, kështu na bëri historia. E ku matjanizimi i këtij vëllimi besoj dhe dëshiroj që të jetë një lloj gurre e re e Budit, në një autostradë vargërore, ku është futur një pjesë e madhe e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jo më pak dhe në diasporë. Në këtë sinor të këtij ligjërimi paksa të veçantë m’u kujtua një viz të një ditë në Kumanovë. Edhe atje kisha shkuar për një Ditë të Poezisë Shqipe. Disa fëmijë, kur morën vesh se isha mësues i

gjuhës shqipe, më kërkuan lutshëm që të shkoja të bëja një orë mësimi në gjuhën shqipe. Përtej kësaj fryme që të rinon, të pjekuron, të emocionon, të bën të mbretërosh brenda vetes, është një frymë tjetër atje larg, ku ende ullinjtë mbeten pa u vjelë, ku ende gërmadhat presin duart e mjeshtërve, duart e nipërve të atyre, që një ditë i lanë atje ku kullosin rrufetë, si thotë i madhi poeti çam, Bilal Xhaferri.

Është Çamëria e bukur, e dhimbshme, sypërlotura e gjokskrenarja, hambari i mallit njerëzor, të një malli që i kapërcen lesat e oborrëve, që i kapërcen gurët e pragjeve dhe është më e thellë se dhe vetë Joni, që u rri pranë fshatrave të saj. Nuk mund ta kuptoj këtë poezi pa këtë frymë të butë lulërore, patriotike, të bukur matjane. Jo, nuk mund t’i kuptoj, ndaj lexuesit e mi le ta ndërtojnë me mua, me mjaft të tjerë këtë urë të bukur që bashkon brigjet, ëndrrat, dëshirat, këngët, vallet, fyejt, kopshtijet, vreshtat. E, si kurorë e bukur e këtij binjakëzimi, që nuk njeh kilometra, kohë vitesh e shekujsh, është drithërima e shpirit lirik. Do të shohësh disa valle, të dëgjosh disa këngë të kënduara nga këngëtarja Feride Kurti, Esat Ruka, të dëgjosh fyellin magjik të Ymer Nelit, që ngjan si fyell lashtësie, të dëgjosh tërë ata djem e vajza, që mësojnë diku në shtëpinë e tij të rrethuar me mollë, tingujt e çiftelisë. Një bashkim që ia kalon atij rregulli. Një lirikë që ka simotër edhe epikën, atë epikë që e sheh në vallet e bukura të Matit, tek ato valle ku ka shumë kaltërsi, ku ka kaq shumë costume të bukura popullore. Në vitet e rinisë sime larg, shumë larg Matit, larg luginave të tij kaq përrallore dhe në pranverë, dhe në vjeshtë, më vinin jonet e tingujve të ëmbël të këngëtarëve matjanë Feride e Vera Kurti, Esat Ruka, Avni Hoxha, Selvie Lena, Hysni Hysnelaj, Florina Tefa, për të ardhur në kohët tona me zërin e mrekullueshëm të Shkëlqim Faricit. Apo dhe të së madhes Juljana Pasha, që këndoi në skenat evropiane. Më vonë mësova për një valltar të madh si Zyber Ceni. E kam parë këtë shpirt edhe te një veteran i artit, si Sabri Aliaj, që sfidon vitet e moshës me artin e tij. Lirikja duket se këtu ka gjetur truallin e bukur jetësor. E kam parë këtë shpirt të bukur e të madh në shumë bashkëpunime që kam bërë me Esat Rukën, me redaktimet e librave të matjanit të mençur e të mërguar Xhavit Gasa e të poetit Hamdi Hysuka, me një portet të bukur si ai i Qemal Cenajt në librin tim “RILINDJE”, me bashkëpunimim shumëvjeçar me gazetën “Mati” dhe revistën e të nderuarit Artan Kurti, “EMATHIA”, me miqësinë me njeriun e nderuar të letrave Aqif Ymeri etj. E të gjitha këto jone këngësh, këto valle të bukura, m’u kthyen në një portë tingujsh, vargjesh. Vonë, shumë vonë, në Berat ku do të punoja për mbi tri dekada si mësues i letërsisë, bëra shumë shkrime që lidheshin me etnografinë shpirtërore të këtij qyteti me histori 2400-vjeçare. Mes datave, njerëzve, bëmave të kësaj historie, më vjen një fakt i bukur, që ma rriti dhe më shumë respektin për Matin e matjanët dhe që më dha brenda vetes shumë matjanizim. Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, kur po ngrihej në këtë qytet një nga lulishtet e para publike, qoftë dhe në shkallë vendi, një nga ata njerëz që i dha jetë këtij projekti shumë të bukur ishte dhe një matjan. Bukur! Ia besuan matjanit shpirtin e qytetit të lashtë, që në të gjithë botën e ka lulja dhe lulishtari. Për fat të keq, nuk ka aq dokumente për ta shkruar shumë më të plotë këtë biografi të bukur. Poezitë e shumta që botoja diku, në libra, revista e gazeta e patën të mbarë rrugën drejt këtij vëllimi poetik, ku do të vihen dhe Çamëria ime me lirikat e saj, po dhe mjaft lirika që e bëjnë më përfshirës këtë libër me poezi. Mati të bën më tepër mentar, jo vetëm në kuvendet e tij, por dhe në poezinë që bën për ‘të. “Më jep një dritë Mati, të jap një varg, një cikël, një vëllim e ta quash atë “GURRA E BUDIT”, është një obligim vitesh, shekujsh, njerëzish, kohërash.