Greqia dhe Serbia duhet të dinë se… Nga Fahri Xharra.

Përderisa themi se: “Nacionalizmi shqiptar nuk lindi si një dëshirë e domosdoshme për çlirim nga Turqia, siç ndodhi me nacionalizmin grek ose serb (Fatos Lubonja)”, atëherë e vëmë në pikëpyetje ndërgjegjen tonë kombëtare. “Perandoritë e mëdha gjatë qëndrimit të tyre plogështojnë dhe shkatërrojnë fuqinë e vendësve që ata i kanë pushtuar… dhe kur ata dështojnë, gjithçka shkon në shkatërrim dhe vendësit kthehen në pre të vetvetes” (Bakon). Dhe me këtë pak a shumë shpjegohet qëndrueshmëria e skajshme në “dokrrat” e “internacionalistëve” të sotëm.

Sipas koncepteve të njohura gjithmonë, në themel të bashkëveprimeve të shumëfishta në shoqëri qëndrojnë interesat. Interesat mund të jenë politike, të fuqisë në pushtet, ekonomike, morale e shpirtërore e, në rastin konkret tonin, më shumë se kurrë interesat duhen të jenë gjithëkombëtare. Në raste të ndryshme normat morale po përjashtohen nga rregullat e përgjithshme, duke vepruar me metodologjinë nihiliste të të menduarit dhe me metodologjinë absurde të të vepruarit.

Po shkruajmë, po këndojmë dhe po mundohemi të bindim veten dhe ta trashim mendimin tonë se nuk mbajmë në mend asgjë nga kaluara. Me anë të këtyre mendimeve po e bëjmë që të tjerët të ndërrojnë mendjen për ne; bota po mendon që ne s’e kemi mendjen të shkëputemi nga e kaluara, që ne jemi po ata të shekullit të 18-të, po ata si të shekullit të 19-të, po ata si të fillim shekullit të 20-të. Kur bota e ndërron mendimin për ne dhe i kthehet bindjes së vjetër që e kishte, për të cilën edhe ata menduan që e kishin gabim atëherë Serbia merr krahë… dhe vepron…dhe i ka sukses.

Historiani Gjokë Dabaj, duke sjellë në studimet e tij krimet dyshekullore raciste ndaj shqiptarëve, të serbo-sllavëve në veri dhe helenëve në jug, shprehet: “Ky kalendari ynë, i martirëve, nuk do të përkujtonte vetëm 1 martir në një ditë të caktuar, por secila nga datat tona do të bartte mbi shpinë me dhjetëra, me qindra e, disa herë, me mijëra martirë, përjetësisht të pangushëllueshëm”. Me veprimet tona “jonacionaliste” “proevropiane”, dhe me shkrimet tona, më mirë të kisha thënë të porositura, jo vetëm që Serbia po e ndien veten mirë, por po myket populli, po e harron vetveten, po katandiset në mendje e në shpirt dhe po na lindin përditë e më tepër adhuruesit e asaj që po i shkon për shtat Serbisë.

Evropa nuk ka heshtur asnjëherë. Neve na kanë keqinterpretuar heshtjen e saj. Evropa ka qenë me ne. Popujt e civilizuar të Evropës ishin ata që nuk e lanë të mbyllet dosja e krimit të serbëve ndaj nesh. Heshtja e qeverive evropiane të viteve të fillim shekullit të 20-të ishte e pakuptimtë. Por ne e kuptuam, se heshtja e tyre ishte e përkohshme kur u bombardua Beogradi ne vitin 1999. Evropa nuk na kishte harrua.,
E gjatë është historia e krimeve serbe mbi shqiptarët. Unë e përmenda vetëm një kohë të shkurtër, kur dëshmitë e Evropës ishin dhe janë të gjalla.

Shkrimi nuk e ka qëllimin që të ripërshkruajë krimet e serbëve të bëra në një kohë jo aq të largët e të përsëritura në një kohë që ishim dëshmitarë edhe vetë. Qëllimi tjetër është t’iu bëhet e ditur serbëve që Evropa asgjë nuk ka harruar nga e kaluara, që Evropa është shumë e ndjeshme kur janë në pyetje shqiptarët.

Për grekët, shqiptarët janë mbeturina të perandorisë osmane në tokën “e lashtë greke” të Ilirisë. “Nuk mund të presim më shumë nga një komb si shqiptarët, të krijuar nga italianët dhe që mbahen nga sionistët amerikanë. Mjafton një teshtitje e Greqisë, që goja e tyre të mbyllet. Shqiptarët janë mbeturina të perandorisë osmane në tokën ilire dhe nacionalistët grekë do të vendosin rendin në tokën e lashtë greke të Ilirisë”- kështu thonë vazhdimisht.
– I kishte Greqia agimet e saja të arta kur arvanitasit e bënë gabimin e tyre të madh që e formuan Greqinë si shtet. I kishte Greqia agimet e saja të arta kur udhëhiqej nga shqiptarët dhe e formoj hartën e saj gjeografike në saja të shqiptarëve.

Në Greqi deri në shekullin XIX flitej shqip! E dinë grekët këtë? E dinë, e dinë, fort mirë e dinë. Studiuesi Aristidh Kola me guxim dhe me fakte në dorë thoshte sa ishte gjallë, që pak kush, jo vetëm në shtetin helen, por as edhe në Shqipëri, nuk ia nxë goja: «Nëse i nxjerrim jashtë këta arvanitas, nuk do të mbetet asgjë nga grekët dhe Greqia!».

Gjeneratave të reja të grekëve duhet bërë e ditur, se atyre iu janë fshehur të vërtetat, se atyre iu janë verbuar sytë me falsifikime,se «Parlamenti Kombëtar i Greqisë në Argolide me mbretin Otton më 1832 dhe gjatë një dhjetëvjeçari bisedonte në gjuhën shqipe, ndërsa rendi i ditës hartohej greqisht » (f 6K.K.)« Deri në vitin 1912, admirali Pavlo Kullurioti, Presidenti i parë i Republikës greke, jepte urdhra në gjuhën shqipe. (f 538A.K.). Po, kështu ishte, janë fakte që nuk fshihen, janë fakte që bota nuk bëhet se nuk i ndjeu.

KOSTA Papa TOMORI në librin e tij ”Barbaritë greke në Shqipëri” shkruan: ’Atdheu ynë, Shqipërija e dashur, rojtur 500 vjet në tirani, nënë bajonetën e Turqisë, Flamurin tonë, i nderçim, dhe madhështor, i cili kur rontej Mbreti tonë Skënder Beu dërmoj heshtrat e Turqisë me 27 luftra, më së fundi Turqia gjeti rastin ta groposnjë, pas vdekjes të ati mbret trim dhe kalorës, i cili mbrojti nderin e Shqipërisë gjer në orën e fundit. Dhe kështu që më 1400, më 1913, Shqipëria rojti nënë zgjedhën e Turqisë, e cila na ndëroi të tëra zakonet tona. Na ndahu në dy parti: Myslymanë dhe të Kërshterë, na futi më një armiqësi të madhe midis të Krështerëve dhe Myslymanëve. Myslimanët Shqiptarë duke u verbuar nga lavdija që u dha Turqia, harruan atdhen’e tyre dhe punonin vetëm për nderin e Turqisë, duke shtypur popullin i cili i dërmuar dhe i shkelur nga këta tiranë, u shtrëngua të kërkojë një mprojtje të cilën nuk ju kurzye t’ia japë Kleri Grek. Kleri Grek duke përzjerë fenë me kombësi, gjeti një rast të mirë, për të pagëzuar për së dyti Shqipëtarët duke dhënë emërin Grek, se kështu ka thënë Zoti Krisht. (Që çdo orthodhoks është Grekë!). Pushtuan pra të Krështerët me anën e kishave dhe të skollave.”

Por “Arvanitasve të shekullit të 20-të u faturohet nga historia humbja e gjuhës së tyre dhe fajtorët më të mëdhenj janë intelektualët arvanitas, që përndryshe nuk qenë dhe të paktë në numër. Shumë prej tyre përfshihen në listën e emrave më të shndriçëm, që i dhanë lavdi Greqisë së Re.” (Aristidh Kola):
“Dhimitër Egjini lindi më 1862, Angjello Gjini është një tjetër anëtar i akademisë së Athinës. Ai lindi në vitin 1859. Gjinët janë familje e madhe arvanitase që ishin vendosur në ishullin Speca. Sotiri Skipi është nga familja e lënduar epiriotase arvanitase, Gjeorgjio Sotiriu lindi më 1880 në një familje arvanitase në ishullin e Specas, Spiridon Doda. Është nga familje luftëtarësh të Hidrës, Kostandin Horemi lindi më1898. Është Arvanitas nga Klementi i Karintias, Aleksandro Diomidi është nga familje e madhe e pasur arvanitase dhe shumë e shumë të tjerë.

Greqisë dhe Serbisë t’i bëhet e ditur që goja e jonë nuk do të mbyllet me një teshtitje të tyre.