*Fitorja madhështore në betejën e Albulenës(02.09.1457) shkaktoi një impakt të jashtëzakonshëm në Botën e Krishterë, por gjithashtu, pas kësaj disfate asgjësuese, sulltan Mehmeti II Fatih i ndërpreu përkohësisht sulmet kundër Arbërisë dhe çka ishte më e rëndësishme, ky triumf i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu ishte një goditje vendimtare kundër lëkundjeve në gjirin e aristokracisë arbëre, duke ndikuar në forcimin e pushtetit të tij politik mbi të gjitha trevat e lira të Arbërisë. Menjëherë pas kësaj fitoreje, kalorësi anglez dhe kamerlengu i Alfonsit V të Aragonës, John of Newport, i cili me 16 maj 1456 ishte caktuar nga papa Kaliksti III si komisar papnor për Arbërinë, Bosnjën dhe Skiavoninë, e që mori pjesë në betejën e Albulenës përkrah Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, duke komanduar një togë me harkëtarë, shkruan se “Invazioni i Europës është i sigurtë, sepse nuk ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë qëndresë po të bjerë edhe kështjella arbëre”. Lajmi i fitores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu mbi turqit në Albulenë, mbërriti në Romë me 24 shtator 1457. Papa Kaliksti III e përhapi lajmin e shumëpritur nga të gjitha anët me një gëzim të papërmbajtur. Që në fund të muajit gusht 1457, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte dërguar në Romë njeriun e tij të besuar, abatin Gjergj Pelini, një diplomat dhe orator i jashtëzakonshëm, i cili kërkoi ndihma urgjente nga papa Kaliksti III, dhe nga mënyra sesi e kishte paraqitur ai situatën kritike në Arbëri, nuk e lanë që të kthehej duarbosh. Me 7 shtator 1457, 5 ditë pas betejës së Albulenës, papa urdhëroi komisarin e Selisë Apostolike J.Navarrin që të angazhohet për grumbullimin e ndihmave financiare nëpër qytetet dalmate ku do të merrte 1/3 e të ardhurave të kishave katolike për t’ia dërguar Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në qytetin e Krujës. Me 11 shtator, në një letër të gjatë e të përkushtuar, me 675 fjalë, papa Kaliksti III i vlerëson përpjekjet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu si “të shkëlqyera” dhe që “shënohen si më të denjat ndër princërit e tjerë katolikë”, dhe më pas vazhdon me fjalët se “s’ka njeri aq të paditur sa të mos ngrejë në qiell me lavdërimet më të larta dhe të mos flasë për fisnikërinë tënde si atlet i vërtetë dhe kampion i emrit të krishterë”. Tre muaj pasi arriti në Romë lajmi i fitores së shkëlqyer në betejën e Albulenës që padyshim është edhe më e shënuara për Arbnorin e Madh, papa Kaliksti III me anën e një dekreti pontifikal që mban datën 23 dhjetor 1457, e emëroi Gjergj Kastriotin-Skënderbeu “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shënjtë”. Përveç dhënies së titujve të lartë dhe të privilegjuar të “Athleta Christi” dhe “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shënjtë”, që i kanë marrë shumë pak personalitete europiane përgjatë historisë, ajo që bie në sy është edhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i papa Kalikstit III, i cili u angazhua me mish e me shpirt për ta ndihmuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeu në luftën kundër Perandorisë Osmane. Menjëherë pas marrjes së lajmit për fillimin e fushatës ushtarake turke kundër Arbërisë, me 9 qershor 1457 papa Kaliksti III i kishte dërguar një galerë dhe premtuar disa të tjera, me 10 dhe me 30 qershor 1457 i kishte dërguar të holla siç ka vepruar edhe në shumë raste të mëparshme, me 10 shtator 1457 të ardhurat e mbledhuara nga misioni i J.Navarrin në Dalmaci ndahen në tri pjesë të barabarta dhe i dërgohen Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, mbretit të Hungarisë dhe atij të Bosnjës, me 17 shtator 1457 të ardhurat e mbledhura nga nunci apostolik Pal Ëngjëll-Dushi nga burime të ndryshme financiare i dorëzohen Kastriotit, me 6 shkurt 1458 papa Kaliksti III dërgon 5.000 dukate dhe premton po kaq të tjerë, në muajin maj 1458 nipi i papës, Michele Borgia, vjen në Arbëri për të ndihmuar Kastriotin, me 8 qershor 1458 shënohet dërgimi i ndihmës së fundit financiare dhe me 6 gusht 1458 papa Kaliksti III ndërron jetë. Përsa i përket titullit të privilegjuar “Athleta Christi(Atleti ose Kampioni i Krishtit)”, ky ishte një vlerësim tepër i veçantë që akordohej nga Selia e Shenjtë vetëm për individë shumë të rëndësishëm të cilët kishin udhëhequr me sukses fushata të mëdha ushtarake duke mbrojtur Krishtërimin. Ky titull i lartë kishtar lidhet me rangun e luftëtarëve martirë të kristianëve të hershëm(paleokristianëve) ku si pikë referimi u shërbente Shën Sebastiani(256-288), i cili gjatë sundimit të perandorit ilir të Romës, Diokleciani(Gaius Aurelius Valerius Diocletianus), u emërua si kapiten i Gardës Pretoriane. Diokleciani, që njihet në histori si persekutori më i madh i të krishterëve, nuk e dinte që Sebastiani ishte i krishterë dhe prandaj ia besoi këtë pozicion kaq të rëndësishëm, por pasi ky i fundit ra në sy duke përhapur fjalën e Zotit, Diokleciani urdhëroi ekzekutimin(martirizimin) e tij. Lista e figurave historike që kanë marrë titullin “Athleta Christi” është shumë e kufizuar dhe përmban vetëm 5 individë të cilët duke i marrë në rend kronologjik, ata janë:
1)-Luigji I ose Luigji i Madh(1326-1382), Mbreti i Hungarisë, Kroacisë dhe Polonisë,
2)-Janosh Huniadi(1406-1456), Vojvoda i Transilvanisë dhe Regjent-Guvernatori i Mbretërisë së Hungarisë,
3)-Gjergj Kastrioti-Skënderbeu(1405-1468), Kryezoti i Arbërisë dhe Kapiteni i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë,
4)-Stefani III(1433/40-1504), princi i Moldavisë,
5)-Sigismundi I, “I Vjetri(1467-1548)”, mbreti i Polonisë dhe Duka i Madh i Lituanisë.
Më i rëndësishmi nga të gjithë ishte mbrojtësi i civilizimit europian dhe Heroi jonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilit ky titull i lartë nuk ju akordua nga papa Eugjeni IV(1431-1447), dhe as nga papa Nikolla V(1447-1455), siç pretendohet, kryesisht me hamendësime, nga autorë të ndryshëm, por i pari papë që e ka quajtur “Athleta Christi” ishte Kaliksti III(1455-1458), dhe që u rikonfirmua me këtë titull edhe nga dy papët e tjerë pasardhës; Piu II(1458-1464) nga Siena dhe Pali II(1464-1471) nga Venecia. I pari autor që përmend këtë titull të privilegjuar është M.Barleti në kryeveprën e tij monumentale, sepse në hyrje të letrës së dërguar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në adresë të sulltan Muratit II dhe që mban datën 12 gusht 1444, thuhet; “Athleti i Krishtit Gjergj Kastrioti, ndryshe Skënderbeu, princ i epirotëve, i dërgon përshëndetje Muratit otoman, prijësit të turqve(M.Barleti, vep. cit. f.135)”. Pra nëse i besojmë M.Barletit, këtë titull i bie ti’a ketë dhënë papa Eugjeni IV(1383-1447), i cili ka qëndruar në fronin e Shën Pjetrit, duke nisur nga data 3 mars 1431 dhe deri sa ndërroi jetë me 23 shkurt të vitit 1447. Por, sidoqoftë duket qartë se M.Barleti këtu është nxituar, sepse njoftimi i dhënë prej tij nuk gjen mbështjetje në asnjë burim dokumentar. Historiani gjerman P.Bartl dhe njohësi i shkëlqyer i historisë së Selisë së Shenjtë, nënvizon faktin e patjetërsueshëm se ishte pikërisht papa Kaliksti III, i pari që “ish myslimanin” e quajti “Athleta Christi”, por sidomos papa Piu II, i cili, fill pas zgjedhjes së tij papë(1458), nisi menjëherë përgatitjet për një kryqëzatë dhe me të vërtetë kështu është, historia e këtij burri”, shton historiani F.Babinger; “të cilin Papa Kaliksti e quajti një herë “Atleti i Krishtit” dhe i cili për pothuaj një çerek shekulli i qëndroi trimërisht dhe me sukses ushtrisë turke gjithmonë shumë më të madhe, (histori që) lexohet si roman”. “Athleta Christi” i ri nga Arbëria, falë aftësive të tij të jashtëzakonshme, arriti të fitojë vëmendjen e të gjithëve, duke u bërë një figurë qëndrore e shek.XV. Në muajin janar të vitit 1458 mbi fronin hungarez mezi u ngjit Matias Korvini(1443-1490), djali 15 vjecar i Janosh Huniadit dhe me 20 shkurt vdiq despoti i Serbisë, Llazar Brankoviç(1421-1458), djali i tretë i Gjergj Brankoviçit dhe Irena Kantakuzenit, i cili u pasua në fron nga bashkëshortja Helena Paleologina që do të bashkësundonte shtetin e rrënuar serb me vëllain e tij të verbër, Stefan Brankoviç(1417-1476). Bosnja po ziente nga konfliktet e brëndshme dhe princi i Vllahisë, Vladi III Tepes ose Vlad Dracula, kishte hequr dorë nga angazhimet ushtarake, duke sunduar vendin e vet si tributar i Hungarisë dhe i Perandorisë Osmane njëkohësisht. Në Angli, menjëherë pas përfundimit të Luftës 100-vjecare me Francën(1337-1453) dhe pas konfliktit me Skocinë, tashmë prej 3 vitesh kishte shpërthyer një luftë civile shumë e ashpër, e njohur në histori si Luftërat e Trëndafilave(Wars of the Roses) që u zhvillua gjatë viteve 1455-1485 midis Jorkëve(House of York) që kishin në emblemën e tyre trëndafilin e bardhë dhe Lankastërve(House of Lancaster) që në emblemë mbanin trëndafilin e kuq. Në mbështetje të Jorkëve ishte angazhuar Dukati i Burgonjës dhe ndërsa Lankastërve të cilët më vonë do t’ia kalonin stafetën Tudorëve(House of Tudor) po u vinin në ndihmë Mbretëria e Francës dhe ajo e Skocisë. Franca, e cila kishte dalë e fituar, por shumë e rraskapitur nga Lufta 100-vjeçare me Anglinë, nuk e kishte ndërmend të angazhohej në ndonjë luftë të re jashtë territorit francez të sapoçliruar pas 116 viteve lufte të pandërprerë. Gjermania ishte e fragmetarizuar, Bohemia(Çekia) dhe Polonia po vuanin nga trazirat e brëndshme, e ndërsa në Itali vazhdonte lufta midis Aragonezëve dhe Gjenovezëve, kurse Republika Veneciane më shumë i jepte prioritet marrëdhënieve tregtare me Perandorinë Osmane se sa luftës kundër saj. Në Spanjë vazhdonte lufta e gjatë 750-vjeçare(742-1492) e njohur si “La Reconquista” për dëbimin e plotë të pushtuesve myslimanë, Maurëve, nga Gadishulli Iberik, luftë e cila mori fund me 2 janar të vitit 1492, kur “Mbretërit katolikë; Izabela e Kastiljes dhe Ferdinandi II i Aragonës”, hynë fitimtarë në Granada me kryq në dorë. Pra, ndërkohë që e gjithë Europa e krishterë po ziente nga problemet e saj të brëndshme dhe sulltan Mehmeti II Fatih po përgatitej për zhvillimin e një fushate të madhe ushtarake në Anatoli kundër Hasanit të Gjatë(Uzun Hasan) dhe Ibrahim Beut të Karamanisë; vëmendja e të gjithëve u përqendrua vetëm tek i pathyeshmi Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, roli i të cilit si komandant i përgjithshëm i ushtrive të krishtera në luftën antiturke, ishte i pazëvendësueshëm. Autori anglez A.Baldwin, i cili në veprën e tij me titull “Mbret i pakurorëzuar”, përmblodhi mendimin e të gjithë mendimtarëve, kritikëve, burrave të shtetit dhe shkrimtarëve anglezë që vlerësuan Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, ndër të tjera shkruan se; “Skënderbeu luftoi jo vetëm për popullin e tij, por për të gjithë Europën”. Me pak fjalë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me “fatin e tij të përjetshëm prej fitimtari”, siç e cilësojnë me shumë të drejtë G.Valentini, M.Sciambra dhe I.Parrino, praktikisht ishte e vetmja mburojë e pathyeshme që po mbronte jo vetëm atdheun e tij të shenjtë, por edhe Krishtërimin dhe Europën Perëndimore nga fuqia gjithnjë në rritje e sulltan Mehmetit II Fatih. Ky i fundit po shfaqej kërcënueshëm në dy kontinente, por akoma nuk kishte njohur ndonjë rival të denjë përveç “Aleksandrit të Ri” dhe që ishte armiku i tij më i tmerrshëm, i dalë nga gjiri i popullit më të lashtë të Kontinentit Europian.
P.S:(Pjesë të shkëputura nga libri im që së shpejti do të shohë dritën e publikimit, me 17.01.2019 ose 02.03.2019).
Portreti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu është realizuar me shumë mjeshtëri nga duar’arti Pashk Pervathi.
Nga: Paulin Zefi.