FOFO!… Nga Simon Vrusho. Berat Albania

FOFO!

“MË MIRË TË MË HAJË MISHIN UJKU, SESA KAPTERI KOCKAT, SHKRONJAT!” – KY ISHTE Moisi Baballëku!…

Që kur ishte 3 vjeç, në vitin 1933, atë e quajtën thjesht dhe shkurt: FOFO!
Edhe sot që është 87 vjeç atë e quajnë dhe e thërrasin po kështu: FOFO!
Të afërmve, fqinjëve, të njohurve në një hark kaq të lartë jete iu pëlqen ky emër: FOFO, ndonëse e dinë mirëfilli se emri i tij zyrtar është Lytfi, Lytfi Myftiu…

E nisi si aktor që kur qe 15-16 vjeç, në ’45-46, në trupën amatore të qytetit të Beratit, që kish për drejtor, regjisor, skenarist dhe aktor energjikun vibrant, Hekuran Zhiti, duke vënë në skenë dramën e parë, shfaqjen e parë “VËLLAVRASJA”… Aktorë Novruz Haznedari, Moisi Baallëku, Selam Tepelena, Vangjel Gili-Buda, Hajrie Sollaku, që luante rolin e zanës…

Në majat me borë,
Në grykat e malit,
Me armë në dorë
Lufton pikë e djalit!

Pas dramës, pas tragjedisë, dhanë një komedi mbi një koprac vendas…

-Qëlloi që shkuam ushtarë bashkë, me Moisi Baballëkun, në Përmet, më 1948. Ai ishte i prapambetur, por pas dy muajsh shërbimi, seç doli para një komisioni dhe përfitoi një vit leje, bashkë me disa të tjerë nga Berati. Për arsye ekonomike, familjare…
Kur ua komunikuan lirimin, lejen e zgjatur, Moisiu u thotë shokëve:
– O burra, të ikm në këmbë që tani, se kush pret gjer nesër kur të vijë makina, se vjen a s’vjen,dhe nisen në këmbë: Moisi Baballëku në krye të kolonës pesë vetëshe, pas tij Fitim Baballëku,kushëri, Ibrahim Polovina dhe nja dy të tjerë… 120 km në këmbë…
I zuri nata rrugës dhe gjatë rrugës i ankoheshin Moisi Baballëkut se na more në qafë, do të na hanë qentë, ujqërit… Dhe Moisiu, Moisi Baballëku, ky njeri me stof aktori, ky njeri me fibra artisti iu kthehej të liruarve, të lejuarve:
– Ikëm dhe ikim se qeveria është si fëmija, ndërron mendje shpejt, e kthen fjalën, urdhrin, vendimin, pastaj pse repart ishte ai, pse kapter ishte ai që më hante të gjalla shkronjat e emrit e të mbiemrit, që kur bëhej apeli, emrin tim e shqiptonte:

-Mos, Mois Murdallëku?! Njëherë ma bëri mbiemrin “Budallallëku”. Mirë që nuk e tha “Gomarllëku!”

Më mirë të më hajë mishin ujku se kapteri shkronjat, gërmat!

Ky ka qenë Moisi Baballëku, aktor i lindur nga natyra, me dy nëna, por ajo që e rriti ishte ajo që i vuri emrin, një hebreje me emër myslimaneje, bektashiane, Lutfie, kurse nëna reale ishte Hafizeja, bijë nga Usoja e Mallakstrës, nga fshati ballkonik mbi Ballsh… Hebreja Marie-Lutfie, rritur tek dera e Hasan Shehut, ardhur në Shqipëri që e mitur, u rrit bashkë me tri vajzat e shehut dhe e martoi tek Baballëkët… Hebreja Marie-Lutfie Baballëku e rriti Moisinë me përkujdesje të veçantë, ajo i vuri emrin Moisi…

Aktor fin, ekspresiv, i gjatë, Një e 80-të, elegant, me një shprehje dhe sharm artisti që në pamje, që në vështrim, Moisi Baballëku shkëlqeu në Estradën e Beratit në vitet ’50-60-të, por si çdo gjë që shkëlqen, ai tërhoqi vëmendje, admirim, por edhe xhelozi, cmirë, madje vetë pushteti nuk e pranonte dot rrezatimin e tij dhe për këtë i dhanë kazmën dhe i treguan ullishtet e NB-së… I dhanë kazmën, lopatën, belin, cfurkun… dhe pastaj dhe furçën e bojaxhiut dhe në fund, një penel cung dizenjatori…

Sepse provinca kënaqet kur ke talent, por kur ta rrjepin talentin, provincëria shkrin e tëra nga kënaqësia…