VOKOPOLË E URËS BERAT: 49-VJEÇARI – LIBRI I PAGËZIMEVE…
Famulltari i Kishës së Shën Spiridonit në Goricë, Berat, At Kristaq Subashi, që mbulon Kishën e Vokopolës me rrethinat, si dhe bashkinë e Urës Vajgurore, flet me stimë për Librin e Pagëzimeve në Kishën e Shën Mërisë së Vokopolës për vitet 1893-1942, Libër kaligrafik, mbajtur prej priftit, Ikonom Jakov Plaku.
Regjistrime rutinë, klishe, stereotip, por me një kaligrafi që duket se vallëzon nga gëzimi i lindjes, i pagëzimit, i vënies së emrit… I njëjti tekst, por me personazhe të ndryshme, i linduri, origjina, fshati, kumtri, kumbara, vënia emrit… Një regjistrim fetaro- civil…
Lindi… nga fshati… u pagëzua më …. të këtij muaji, u quajt me emrin…. prej kumtrit/kumbarës…. Në një rast kumtri Vangjel Kishari vjen nga Kalaja e Beratit.
Shkrimi bukurshkrim i Ikonom Plakut në Librin e Pagëzimeve 49-vjeçar ndërpritet më 3 prill të viti 1942:
“Ikonom Jakov Plaku, ardhur në katundin Vokopolë prej Ardënice më 30 të vjeshtës së tretë, Ditën e Shëndreut, të vitit 1893,
më datë 3 prill, ditën e Premte e Zezë, viti 1942, ndërroi jetë, domethënë vdiq, ora 5 të sabahut, mëngjes dhe u varros të nesërmen, ora 4 pasdreke, të shtunën, Darkën e Pashkëve të Mëdha.” E shkruaj unë, Kozma Aleksi, për kujtim.
Dhe shkrimi i Kozma Aleksit, disi i shqetësuar, por prapëseprapë korrekt, duket sikur edhe ai e nderon kaligrafinë e Librit të Pagëzimeve…
Libri i Pagëzimeve duket edhe si një personalitet që tregon kronikën e jetës së vet…