Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për ngjarjet në Beograd

Tirane 16 Tetor 2014
Ministria e JashtmeMinistria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë hedh poshtë me vendosmëri baltosjen politike të ndërmarrë nga udhëheqësit kryesorë të Serbisë kundër popullit dhe shtetit shqiptar.

Deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë bien ndesh me etikën më bazike të marrëdhënieve diplomatike dhe reciprocitetin e mirësjelljes, vetëpërmbajtjes dhe respektit midis shteteve sovrane. Për më tepër, ato nuk dëshmojnë lartësinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

Ftojmë udhëheqësit e lartë të Serbisë të kthjellohen dhe të tregojnë maturi duke dënuar aktet antishqiptare që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, si bllokimin në aeroportin e Beogradit të gazetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë që shoqëronin ekipin kombëtar, djegien e flamurit shqiptar në stadium, thirrjet për 40 minuta për vrasjen e shqiptarëve dhe dhunën patologjike të ushtruar mbi sportistët e kombëtares shqiptare.

Historia e vjetër dhe e re e Ballkanit nuk e njeh Shqipërinë si destabilizuese e rajonit dhe as si agresore kundër popujve liridashës, që kërkojnë pavarësi. Shqipëria nuk është përgjegjëse për faktin se e kaluara mund të rëndojë në ndërgjegjen dhe gjendjen emotive të zyrtarëve të lartë serbë.

Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, ndjek besnikërisht politikën e bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit demokratik në rajon, sepse i përmbahet pikëpamjes se integrimi euroatlantik është rruga e përbashkët e popujve dhe shteteve në rajonin tonë.

Falë perspektivës Europiane, sot kemi mundësinë të ndërtojmë një rajon ku mbizotëron paqja dhe prosperiteti, jo ndasitë dhe ksenofobia.

* * *

Shënim: Sot në 16 tetor 2014, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë thirri sërish në një takim Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, z. Miroljub Zaric, për t’i dorëzuar notën e protestës së qeverisë Shqiptare lidhur me ngjarjet në Beograd.