Burrat e asaj kohe… Nga Vladimir Duraj.

Burrat e asaj kohe
Dr Zino
Mesi i viteve 60. Një ambulancë po ecte me shpejtësi sketerre drejt spitalit të Beratit. Mbart’te një të sëmurë rëndë, aq rëndë sa e vetmja mundësi shpëtimi për të ishte vajtja në kohë në spital dhe puna e një kirurgu duarartë pas kësaj.
– O zot, bëj që të arrijmë në kohë dhe të qëlloj një doktor i mirë – tha një moment, më tepër me vete, i jati i të sëmurit që ishte ulur pranë infermierit që shoqëronte ambulancën.
– Të arrijmë në kohë, thuaj, pa për doktor mos ki merak, Maksuti, Zino dhe Hyseni janë nga kirurgët më të mirë në Shqipëri…njëri prej tyre do të jetë – ia ktheu infermieri babait të të sëmurit.

I sëmuri shpëtoi, Zino duararti e riktheu në jetë. Ajo kohë e kishte primar njeriun, kapitalin më të çmuar, siç thuhej atëherë. Nuk shihej se ç’ishte i sëmuri, fëmijë, rini, pleqëri, i ”pasur”, i ”varfër”, i bardhë, i zi dhe ku di unë ç’gjë tjetër. Cilido që të ishte e prisnin duart e arta të tre musketjerëve të kirurgjisë beratase. Atëhere nuk kishte telefona për të njoftuar ambulancën, 128-ën apo 129-ën e megjithatë lajmi merrej vesh në moment, atëhere nuk kishte makinë personale për të të çuar në spital e megjithatë i sëmuri arrinte në kohë me autoambulancën që të priste jashtë derës së shtëpisë ndërkohë që bëhej gati i sëmuri.

Zino njihej në atë kohë, përveç aftësive të tij profesionale dhe cilësive të larta njerëzore, edhe për prejardhjen e tij hebreje. Nuk di përse, por mbaj mend që në atë kohë suksesin dhe arritjet e Zinos ia faturonin në njëfarë mënyre edhe origjinës së tij.
– Izraeli ka pilote femra, Izraeli rracë e zgjedhur – mbaj mend të thuhej në atë kohë kur donin të ”justifikonin” aftësinë e Dr. Zinos.

E megjithatë, gjithë ç’thash më lart e mori spunton nga një koment i djeshëm i Dr. Zinos, koment të cilin po e sjell autentik për ju, miqtë e mi. Në të do të shihni edhe njëherë madhështin e Zino izraelito – shqiptarit, madhështi që mungon tek shumë prej shqiptaro – shqiptarëve të kohës së sotme. Ja komenti në përgjigje të pyetjes : – Cili është atdheu juaj ?

”Po te kthej o Nessim nje pergjigje pak te gjate.Kur Iliri vajti ushtar ne Izrael, ne vij te pare te luftes, une i kam then:te rruajt Zoti ,ta kryesh ushtrin me nder dhe te kthehesh shendosh dhe po te jete nevoja ne te dy do japim jeten per shqiperin dhe per Izraelin.Iliri mu pergjegj :ti babi je i moshuar,nuk lufton dot dhe une i thash se une jam kirurg dhe u shpetoj jeten ushtareve dhe e dyta vertet nuk vrapoj dot,por ze nje vend dhe deri sa te vdes luftoj per te mbrojtur Atdheun.Une kam pasur nderin te vesh dy lloj uniformash:Shqiptare dhe Izraelite,ne vitin 1999 ne Kosov,sepse kam dy atdhe:atdheu im eshte shqiperia dhe ai historik eshte izraeli.Te fala.”