AMERIKANËT U LUTËN PËR BEKTASH ÇERENIN…
Shofer i zjarrfikëses në Poliçan, Bektash Çereni, aty nga viti 1975, 42 vjeç, zbriti familjarisht, me tri vajza dhe një djalë, nga Kapinova në Mbrakull. E bezdisnin edhe për biografinë… Punoi shofer edhe në Parkun e Fierit.
Djali i vetëm, Ardian Çereni, mësues matematike, shkoi në Amerikë, ku punon si teknik për pajisjet frigoriferike në një azil, por para dy vjetësh erdhi në Mbrakull për të parë babanë, tashmë 82 vjeç, i rënduar nga një sëmundje tejet e rëndë, në një fazë tepër të avancuar… Ndenji disa ditë, u çmall me të atin, dhe i ati i tha:
-Ik bir, do bëhem më mirë. Ik se të pret puna dhe bëju të fala atyre të stafit të azilit, që të dhanë leje,të fala nga Bektash Çereni, u thuaj, nga Kapinova, nga Tomori i Shqipërisë, që është dhe Tomor i botës, ku janë lutur të parët tanë…
Dhe iku i biri, Ardian Çereni në Amerikë, në Rochester, Michigan, u paraqit tek puna, tek stafi i azilit, ku u dorëzoi dhe të falat me Tomor të Bektash Çerenit…
-Stafi i azilit, – thotë Ardiani, – besimtarë protestantë filluan të luteshin çdo ditë për babanë tim… Amerikanët luteshin për Bektash Çerenin! Babai u përmirësua ndjeshëm, u ndje mirë për një vit, pastaj u shua…
Foto të Ardian Çerenit në Rochester, Michigan.
Nga triptiku (“Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)