“Gërmadhat e Malit të Shëlbuem (Akrolissus, Kisha katolike mesjetare e të Shëlbuemit dhe Tyrbja e Xhymert Kasapit) në kuotën 410 m.”.
*I gjithë ky sit arkeologjik i panjohur, i pastudiuar, pak ose aspak i gërmuar nga arkeologët, i papromovuar dhe i lënë në harresë të plotë ndër vite, është marrë në mbrojtje që me dt.17.03.1948, vendim i aprovuar me Ligj. Nr.609, dt.24.05.1948 dhe ka marrë statusin Monument Kulture i kateg. I-rë me dt.23.09.1971. Akrolissusi paraqet një vertikale të thellë historike, sepse në bazë të gjetjeve arkeologjike rezulton se kjo është bërthama e parë protourbane e Lissusit antik, që e ka zanafillën në periudhën tranzitore të kalimit nga Epoka e Bronzit në Epokën e Hekurit (Shek.XIII-XII p.k.). Akrolissusi është i vendosur në Malin e Shëlbuemit, i cili ka një pozitë dominuese mbi të gjitha territoret fqinje dhe sidomos mbi qytetin e Lezhës, Fushën e Zadrimës, Kodrat e Kakarriqit, Fushën e Torovicës, pjesën më të madhe të Malësisë së Lezhës, Fushën midis Lezhës dhe Tiranës, por gjithashtu të ofron një fushëpamje të plotë të të gjithë vijës bregdetare të Gjirit të Drinit në detin Adriatik, nga Ulqini e deri në Kepin e Rodonit. Fillimisht ka qenë një vendbanim i mirëfilltë urban i fisit ilir të Abrejve, më vonë ka shërbyer si qendra më e rëndësishme e fisit luftarak të Pirustëve dhe si kufiri jugor i shtetit të Ardianëve. Abrejtë ishin një fis i vogël dhe shumë shpejt u shkrinë me Pirustët, por më vonë edhe vetë Pirustët, duke qenë se nuk ishin ndonjë fis i madh si Dardanët, Ardianët, Taulantët apo Enkelejdët, sa të formonin nën udhëheqjen e tyre federata fisesh, edhe ata u detyruan të inkuadrohen në bashkimet fisnore të Ardianëve dhe Taulantëve. Në këto kushte, pjesa më e madhe e territorit pirust u bë pjesë integrale e shtetit të Ardianëve me qendër në Scodrinon(Shkodër) dhe si Akrolissusi ashtu edhe Lissusi u lidhën ngushtë me Shtetin e Ardianëve, formacionin shtetëror pararendës të Mbretërisë së madhe Ilire. Akrolissusi dhe Lissusi janë dy fortifikata të palidhura me mur dhe të ndara nga njëra-tjetra prej qafës malore, që ndodhet midis kodrës së qytetit dhe malit te Shelbuemit, e cila njihet si Qafa e kështjellës së Lezhës dhe Nekropoli mesjetar. Në pjesën e sipërme ose kurrizore të malit të Shëlbuem janë zhdukur mbeturinat e ndërtimeve të lashta, përveç themeleve të murit rrethues në pjesën veriore dhe jugore. Fortesa antike përfshinte të dy majat e malit dhe pranë pjesës më të lartë, asaj jugore, sot ndodhen rrënojat e Tyrbes së Xhymert Kasapit, e cila është ndërtuar mbi muret e Kishës Katolike mesjetare të Shëlbuemit (San Salvatore). Masivi gëlqeror ose mali i të Shëlbuemit ka një trajtë të mirëfilltë piramidale dhe pikërisht pranë pikës më të lartë, shtrihen mbeturinat e mureve perimetrale të qytezës antike, e cila ka trajtë vezake, me drejtim veri-jug, me gjatësi 330 m. dhe gjerësi 80 m. Zona e mbrojtur përfshin të gjithë terrenin shkëmbor, që ndodhet deri në 20 m. distancë nga mbeturinat e mureve antike. Muret e themeleve janë të punuara nëpërmjet një teknike primitive (Shek.XIII-XII p.k.), por nëse analizojmë me kujdes fragmetet murale që i kanë mbijetuar kohës, në pjesën e sipërme dhe sidomos blloqet ciklopike të rrëzuara në skajin verior, teknika e ndërtimit është ajo trapezoidale dhe rrjedhimisht më e vonë (Shek.VII-V p.k.). Sot më shumë se kurrë, Akrolissusi pret të njihet, promovohet, gërmohet dhe studiohet, sepse deri më tani ne vetëm kemi gërvishtur lehtë sipërfaqen e tij. Për këtë vend të mrekullueshëm dhe misterioz ne dimë fare pak ose aspak, prandaj lind nevoja që t’a hapim siparin me ndonjë ekspeditë arkeologjike dhe jo me perlustrim terreni dhe vëzhgim sipërfaqësor (Survey), sepse kjo nuk mjafton.
Nga: Paulin Zefi.