ADUSH, ÇIFUTË DHE … KËPUCË …(Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”) Simon Vrusho.

ADUSH, ÇIFUTË DHE … KËPUCË …
Adush Civeja, 71 vjeç, ka pasur fatin që në 7-vjeçare të ishte në një klasë pilot, me nxënës shumë të mirë që ëndërronin të bëheshin gazetarë, inxhinierë, arsimtarë, sportistë, që merrnin vetëm pesa në mësime, kaq shumë pesa, sa Adushit mezi i vinte radha të merrte edhe tresha…
KALIN, PO NUK E KAPE NGA FRERI, MBAJE NGA PATKOI…
-Ia thashë babait. Të tërë të klasës do të bëhen njerëz të mëdhenj, me kapele republike, po punëtor kush do të jetë? Unë do të bëhem punëtor, baba… Isha i fundit i djemve e më quanin në shtëpi kimetliu i dytë, kimetliu i parë ishte djali i parë, vëllai i madh fare, Saliu… Dhe e mbylla me 7-vjeçaren… Babai u mërzit, por i thashë se jam gati të filloj punëtor… Për të më dekurajuar, që të bindesha se punëtor ishte zanat shumë i vështirë, babai më çoi në kaminë, tek fabrika e tullave, gërmim dheu, mbushje vagonash, punë vërtetë e vështirë dhe unë isha vetëm 14 vjeç… Babai nuk e bënte këtë për lekë, por mendonte se do të tërhiqesha, por unë nuk u dorëzova, se isha klasë punëtore unë… Edhe punova shumë, edhe më paguan mirë… Rrogën, siç e merrja, ia dorëzoja babait… Pas një viti në fabrikën e tullave, 15 vjeç më çuan tek Qendra e llaçit, që të më acaronte gëlqerja, të më digjte, ku durova 2 vjet dhe prapë nuk u dorëzova… punëtor unë… Dhe unë nuk mbaja asnjë lekë nga rroga… E vetmja pije që nuk e lija dot ishte uji. 17 vjeç më çuan në këpucari… Më tha babai: “Nuk do kapele republike, merru me këpucë republike… Sepse, nëse nuk e kap dot kalin nga freri, të paktën mbaje nga patkoi…” U bëra këpucar i kategorisë së parë… Jo vetëm emri, por edhe fotografia ime doli në tabelën e nderit… Babai nuk u besonte syve… Vinte përditë dhe e shihte, se mendonte se do bëja ndonjë gabim e do të më zbrisnin nga tabela, por ku zbrisja më unë, unë nuk lëvizja nga tabela, madje, edhe kur unë shkova ushtar, fotografia qëndronte aty, sikur më priste, sikur më ruante edhe vendin, edhe nderin e punës…
NË SHTËPINË TIME NUK JU PREK AS PERËNDIA…
-Babai im ka qenë Qani Civeja, që i thoshin dhe Qani Efendiu… Në vitin 1942 babai bëri shtëpi të re me 20 dhoma… kur ia mbërritën tek ne 7 familje çifutësh, hebrenjsh nga Kosova, nga Prishtina… Nuk kishim fjetur as vetë ne, asnjë natë… Punonin hebrenjtë… E blinin metro, e shisnin me kut… Pesë lekë kuti/ Tek Jake Çifuti… Hynë tek ne dhe nuk lejoheshin të dilnin më… Babai iu thoshte: “Jo nga gjermani nuk do të vdisni, por as nga Perëndia nuk lejohet të vdisni sa të jeni në shtëpinë time. Po vdiqa unë, nuk di çfarë t’ju them”. Bënin shaka…
Babanë e njihte gjithë Berati. Njëherë postieri pruri në shtëpi një letër me këtë adresë: Qani Civeja, Qani Efendiu Berat. Vetëm kaq.
KISHIM MËSUES JO ARSHININ, POR MIGJENIN…
-Arshin Xhezon e kam pasur shok lagje, shok fëmijërie, shok klase… Kur vinte në Berat, do të më takonte patjetër… Kur vdiq, shkova dhe po e prisja tek varreza… Binte një shi i imët… Tek varri i hapur prisnin tri vajza studente, dikur nxënëse të tij: “Ne kemi pasur mësues Migjenin, “- më thanë… Qava, por edhe u krenova…
Ilir Civeja, djali i tij në Amerikë, ruan lidhjet me hebrenjtë amerikanë dhe shkon e lutet atje edhe në sinagogë…

(Nga triptiku “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.”)