Elez.. Nga Vaso Papaj

PrangatNe vijim te ciklit: Ata qe vuajten tmerin komunist …Gjenocidi Komunist Ne Shqiperi.
Elez

Në një fjetore bosh aksionistësh të pashë për herë të parë,
Netëve pafund, kur me mushkonjat i humbnim betejat, Elez.
Kur i kyçja ato net e me lopatë nisja një tjetër ditë në arë
Dhe ti veç flije – flije, i zhytur në atë gjysmë-gjumi-harresë.

Nga përtej klonit kishe ardhur, të gjeje të madhen dashuri .
Unë nga Fakulteti i Shkencave në ditët më të zeza, pa shpresë
“Oj nanë, oj nanë”! përsërisje tërë natën një dhimbje-potpuri
E unë ikja në agim dëshpërimisht pa të thënë as mirëmëngjes.

Magaze qe, me shtretër dykatësh, që ngjanin skelete druri.
Në vetmi kaluam, me një stinë të vdekur vjeshte në mes.
Mbi ato dyshekë kashte përbri, si t’ishim kthyer në epokë guri,
Na mbrojti heshtja nga sytë e veshët që përgjonin në çdo kthesë.

S’më fole për Prizrenin, as unë për Durrësin s’të thashë gjë.
Sesi m’i ngulje sytë, kur shihje tufa kalamajsh veshur me cule.
Nën batanije fytyrën prej meiti zhytje, diellin s’doje ta shihje më,
Mezi dilje të takoje në mensë çajin me klor e pilafin me fasule.

E s’mjaftoi kaq… Erdh një ditë. Një GAZ 69… Befas ca hapa…
Rreth duarve të brishta, ca pranga si për dashurinë shpërblim.
Si një deng vjetërsirash të hodhën në sediljet e tij nga prapa
E s’të pashë më. “Në emër të popullit”! Kështu ish marrë vendim.

Dhe kloni ra një ditë… Renda. Një frymë dhe drejt Prizrenit.
Po kishin shkuar vite. S’të gjeta. Më kot rrëmova sa atje, këtu
Doja të kërkoja ndjesë për heshtjen ndaj Zenelit të Migjenit.
Por fati të kish çuar nën dhè dhe as aty nuk munda të të gjej se ku.

Shkurt 2016